Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 6

Si e ndryshojnë fëmijët martesën?

Si e ndryshojnë fëmijët martesën?

«Fëmijët janë trashëgimi nga Jehovai.»—Psalmi 127:3

Lindja e një fëmije mund të jetë emocionuese, por njëkohësisht edhe angështuese për një çift. Si prindër të rinj, mund të habiteni kur të zbuloni se pjesën më të madhe të kohës dhe të energjive do t’ia kushtoni fëmijës. Mungesa e gjumit dhe ndryshimet emocionale mund ta tendosin lidhjen tuaj. Si ty, edhe bashkëshortit do t’ju duhet të bëni ndryshime që të kujdeseni për fëmijën dhe të ruani lidhjen martesore. Si mund t’ju ndihmojnë këshillat e Biblës që t’i përballoni këto sfida?

1 KUPTO SI TA NDRYSHON JETËN NJË FËMIJË

ÇFARË THOTË BIBLA: ‘Dashuria është e durueshme dhe mirëdashëse, nuk kërkon interesat e veta, nuk provokohet’. (1 Korintasve 13:4, 5, BR, anglisht) Si nënë e re që je, është e natyrshme ta përqendrosh vëmendjen te fëmija. Por burri mund të fillojë të ndihet i lënë pas dore, prandaj mos harro se edhe ai ka nevojë për vëmendjen tënde. Me durim e mirëdashje, ti mund ta ndihmosh të ndihet i dobishëm dhe i përfshirë në përkujdesjen ndaj fëmijës.

«Ju burra, vazhdoni të banoni . . . me to sipas njohurisë.» (1 Pjetrit 3:7) Kupto se gruaja do ta harxhojë shumicën e energjive të saj me fëmijën. Ajo ka përgjegjësi të reja dhe mund të jetë e stresuar, e rraskapitur ose madje e dëshpëruar. Ndonjëherë, ajo edhe mund të mërzitet me ty, por përpiqu të ruash qetësinë, sepse «kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm». (Proverbat 16:32) Trego aftësi dalluese dhe jepi mbështetjen për të cilën ka nevojë.—Proverbat 14:29.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Etër: Ndihmojeni gruan të kujdeset për fëmijën, madje edhe natën. Kaloni më pak kohë me gjërat e tjera që të kaloni më shumë kohë me gruan dhe fëmijën

  • Nëna: Kur burri ofrohet t’ju ndihmojë me fëmijën, pranojeni ndihmën. Nëse nuk e bën punën siç duhet, mos e kritikoni, por me mirësjellje tregojini si ta bëjë

2 FORCOJENI LIDHJEN TUAJ

ÇFARË THOTË BIBLA: «Ata do të bëhen një mish i vetëm.» (Zanafilla 2:24) Edhe pse tani keni një pjesëtar të ri në familje, mos harroni se ju të dy jeni akoma «një mish i vetëm». Bëni çmos ta mbani të fortë lidhjen tuaj.

Ju gra, jini mirënjohëse për ndihmën dhe mbështetjen e burrit. Shprehjet tuaja të vlerësimit mund të jenë «shërim». (Proverbat 12:18) Ju burra, tregojini gruas sa shumë e doni dhe e çmoni. Lavdërojeni për mënyrën si kujdeset për familjen.—Proverbat 31:10, 28.

«Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.» (1 Korintasve 10:24) Bëj gjithmonë atë që është më e mira për bashkëshortin. Si çift, gjeni kohë për të biseduar, për të lavdëruar dhe për të dëgjuar njëri-tjetrin. Mos jini egoistë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet seksuale. Merrni në konsideratë nevojat e njëri-tjetrit. Bibla thotë: «Mos ia mohoni njëri-tjetrit këtë detyrim, veç nëse jeni marrë vesh.» (1 Korintasve 7:3-5) Prandaj, flisni me sinqeritet për këtë çështje. Durimi dhe mirëkuptimi do ta forcojnë lidhjen tuaj.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Mos harroni të kaloni kohë vetëm me njëri-tjetrin

  • Bëj gjëra të vogla që bashkëshorti ta ndiejë se e do. Shkruaji një shënim ose bëji një dhuratë të vogël

3 STËRVITJA E FOSHNJËS

ÇFARË THOTË BIBLA: «Që nga foshnjëria i ke njohur shkrimet e shenjta, të cilat janë në gjendje të të bëjnë të mençur e të sjellin shpëtimin.» (2 Timoteut 3:15) Mendo që më përpara se si do ta mësosh foshnjën. Ajo ka aftësi të jashtëzakonshme për të mësuar, madje para se të lindë. Edhe pse ende në bark, foshnja mund të ta njohë zërin dhe të reagojë ndaj ndjenjave të tua. Lexoji diçka ndërsa është ende foshnjë. Edhe pse mund të mos e kuptojë çfarë po i lexon, kjo e ndihmon që t’i pëlqejë leximi kur të rritet.

Asnjëherë fëmija nuk është tepër i vogël për të të dëgjuar kur flet për Perëndinë. Lutju Jehovait me zë që fëmija të dëgjojë. (Ligji i përtërirë 11:19) Edhe kur luani bashkë, foli për gjërat që ka bërë Perëndia. (Psalmi 78:3, 4) Ndërsa fëmija rritet, ai do ta ndiejë dashurinë tënde për Jehovain dhe do të mësojë ta dojë edhe ai.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Lutu në mënyrë specifike për mençuri që të dish si ta stërvitësh fëmijën

  • Përsëritja fjalët dhe idetë kyçe foshnjës që të fillojë të mësojë shpejt