Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGJARJE TË SPIKATSHME NGA VITI I KALUAR

Lajme shkurt nga e gjithë bota

Lajme shkurt nga e gjithë bota

Ndajnë materialet e shkarkuara nga siti

Ndonëse në Kubë Interneti ende nuk është aq i përhapur, kohët e fundit njerëzit mund të lidhen me të në dyqanet e një kompanie telefonike. Por, kjo kushton shumë. Prandaj, që t’i ndihmojë vëllezërit të nxjerrin dobi nga siti jw.org, dega i nxiti kongregacionet të caktonin një lajmëtar që të shkarkonte botime, incizime dhe video e më pas t’i ndante me Dëshmitarë të tjerë në kongregacionet vendëse. Kjo masë ka sjellë rezultate të mira.

Salla e Mbretërisë është më e rëndësishme se celulari

Teona 10-vjeçare dhe motra e saj tetëvjeçare, Tamuna, jetojnë në Republikën e Gjeorgjisë. Vajzat donin një celular. Për t’i ndihmuar, gjyshja u premtoi t’u jepte një pjesë të pensionit çdo muaj. Mjerisht gjyshja vdiq papritur. Gjithsesi, familja ua dha vajzave pensionin e saj të fundit që të blinin celular. Pasi u menduan, vajzat i shkruan kongregacionit të tyre: «E dimë se për dy javë do të fillojë ndërtimi i Sallës së re të Mbretërisë në fshatin tonë, Terjolë. Gjyshja donte vërtet të ndihmonte për Sallën, kështu që pensionin e saj të fundit duam t’ia japim kongregacionit, dhe jo të blejmë celularë. Ju lutemi, na bëni një Sallë Mbretërie të bukur!»

Shkrimet Greke në gjuhën tetume

Më 17 janar 2014, në Dili të Timorit Lindor, Xhefri Xheksoni i Trupit Udhëheqës prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën tetume, gjuha më e folur në vend. Më parë të vetmet kopje të Shkrimeve Greke në gjuhën tetume i shtypte dhe i shpërndante Kisha Katolike, e cila nuk pranonte t’ua shiste Dëshmitarëve të Jehovait apo atyre që dyshonte se studionin me Dëshmitarët. Sidoqoftë, përkthimi katolik kishte shumë pasaktësi, mungesa fjalësh, fjalë të vjetra dhe gabime gjatë shtypjes. Në kontrast me këtë, Dareni, një misionar në Timorin Lindor, tha për Përkthimin Bota e Re: «Shumë vendësve që lexojnë këtë përkthim u bën përshtypje saktësia dhe e kërkojnë pa ngurruar. E lexojnë kollaj dhe e çmojnë tekstin me shkronja të mëdha, sidomos ngaqë mjaft shtëpi kanë pak ndriçim. Tani shumë prej atyre që kanë marrë një kopje, po studiojnë Biblën.»

‘Jehovai më quan të denjë’

Maqedoni: Predikojnë me botime në gjuhën rome

Në janar 2014 puna e përkthimit për gjuhën rome, që flitet në Maqedoni, arriti një nivel tejet të lartë. U formua një skuadër e përhershme përkthimi dhe u dha miratimi që në këtë gjuhë të dilnin botime, jo vetëm në alfabetin latin, por edhe në atë cirilik. Kjo është një ndihmë e madhe për ata që flasin gjuhën rome, të cilët e kanë më kollaj të lexojnë me shkrim cirilik, shkrimi zyrtar në Maqedoni.

Shumë prej tyre preken kur shohin që organizata siguron literaturë në gjuhën e tyre. Një motër tha: «Shpesh njerëzit e racave të tjera më përbuzin ngaqë flas romisht, ndaj i jam thellësisht mirënjohëse Jehovait që më quan të denjë të marr literaturë në gjuhën e nënës. Kjo më lidh edhe më ngushtë me të.»

«I jam thellësisht mirënjohëse Jehovait që më quan të denjë të marr literaturë në gjuhën e nënës»

Ndryshon mbikëqyrja

Që nga 1 shkurti 2014 territorin dhe kongregacionet në Xhamajkë e në Ishujt Kajman filloi t’i mbikëqyrte zyra e degës e Shteteve të Bashkuara. Sa prekës është uniteti i mbi 1,2 milionë lajmëtarëve në territorin e degës së Shteteve të Bashkuara! Ky territor përfshin të 50 shtetet e SHBA-së, ishujt Bahama, Bermudën, Ishujt Virxhin të Britanisë dhe të SHBA-së, Porto-Rikon dhe ishujt Turks e Kajkos.

Pionierët në Japoni

Vëllezërit e motrat në Japoni vazhdojnë të mbajnë një frymë të zjarrtë pionieri dhe ky ishull renditet i katërti në botë për nga numri i pionierëve të rregullt. Në fillim të vitit të shërbimit 2014, nisën shërbimin si pionierë 2.646 veta, duke e rritur numrin e tyre në 65.668. Gjatë marsit 2014, më shumë se gjysma e të gjithë lajmëtarëve morën pjesë në ndonjë formë të shërbimit si pionierë.