Si t’i mbroni fëmijët tuaj
PAK prej nesh do të donin të ndaleshin në çështjen e abuzimit seksual të fëmijëve. Vetëm mendimi i bën prindërit të drithërohen. Por ky abuzim është një realitet i frikshëm dhe i shëmtuar i botës së sotme, dhe pasojat te fëmijët mund të jenë shkatërrimtare. A ia vlen të merremi me këtë temë? Po mirë, ç’do të ishit gati të bënit vetëm e vetëm që fëmija juaj të ishte i mbrojtur? Informimi rreth realitetit të hidhur të abuzimit, sigurisht që kushton fare pak. Kjo njohuri mund të bëjë vërtet punë.
Mos lejoni që murtaja e abuzimit me fëmijët t’ju grabitë guximin. Të paktën ju keni zotësi që fëmija juaj nuk i ka, aftësi që atij do t’i duhen vite, madje dekada, për t’i fituar. Jeta ju ka dhënë një bagazh njohurie, përvoje dhe mençurie. Çelësi është t’i përforconi këto aftësi dhe t’i shfrytëzoni për të mbrojtur fëmijën tuaj. Do të shqyrtojmë tre hapa kryesorë që mund të bëjë çdo prind. Këta janë: (1) bëhuni vija e parë e mbrojtjes për fëmijën, (2) jepini fëmijës njohuri të nevojshme rreth seksit dhe (3) mësojini fëmijës disa mënyra bazë për t’u mbrojtur.
A jeni vija e parë e mbrojtjes?
Përgjegjësia kryesore për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi u takon prindërve, jo fëmijëve. Pra, në fillim duhet të informoheni ju vetë si prindër, pastaj fëmijët. Nëse je prind, është e nevojshme të dish disa gjëra për abuzimin me fëmijët. Për shembull, ç’lloj njerëzish abuzojnë me fëmijët dhe çfarë orvatjesh bëjnë. Shpesh prindërit mendojnë se pedofilët janë të panjohur që zënë pritë në errësirë dhe kërkojnë mënyra për të rrëmbyer dhe përdhunuar fëmijët. Pa dyshim që ka edhe përbindësha të tillë. Dëgjojmë shpesh për ta në lajme. Megjithatë, ata janë disi të rrallë. Në rreth 90 për qind të rasteve të abuzimit seksual me fëmijët, * është dikush që fëmija tashmë e njeh dhe tek i cili ka besim.
abuzuesiNatyrisht, nuk të pëlqen ideja se një fqinj, mësues, mjek, trajner ose i afërm i përzemërt mund të dëshirojë me epsh fëmijën tënd. Në fakt, shumica e njerëzve nuk janë të tillë. S’ka pse të dyshosh te çdonjëri që ke përqark. Sidoqoftë, mund ta mbrosh fëmijën duke mësuar se çfarë taktikash përdor një pedofil tipik.—Shih kutinë në faqen 6.
Dijenia për këto taktika mund të të bëjë ty si prind, më të përgatitur për të qenë vija e parë e mbrojtjes. Për shembull, ta zëmë se dikush që duket se i interesojnë më shumë fëmijët se të rriturit, veçon fëmijën tënd dhe jepet shumë pas tij: i bën dhurata, tregohet shpesh i gatshëm të kujdeset për të kur është vetëm ose e fton të dalin shëtitje bashkë. Çfarë do të bësh? A duhet të nxjerrësh përfundimin se është një abuzues? Jo. Mos nxito të nxjerrësh përfundime. Një sjellje e tillë mund të jetë fare pa të keq. Sidoqoftë mund të jetë një sinjal që të hapësh sytë. Bibla thotë: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.»—Proverbat 14:15.
Mos harro, çdo propozim që është aq fantastik sa duket i pabesueshëm, mund të jetë vërtet mashtrim. Zhbiro me kujdes çdokënd që tregohet i gatshëm të kalojë kohë vetëm me fëmijën tënd. Bëja të qartë se nga çasti në çast do të vish ta shohësh fëmijën. Melisa dhe Bradi janë të rinj dhe kanë tre djem. Ata tregohen syçelë kur lënë ndonjë nga fëmijët vetëm me një të rritur. Kur njëri nga djemtë bënte kurs muzike në shtëpi, Melisa i tha mësuesit: «Do të hyj e do të dal vazhdimisht nga dhoma për sa kohë të jeni këtu.» Një vigjilencë e tillë mund të duket ekstreme, por këta prindër mendojnë që është më mirë të sigurohen sot, sesa të dëshpërohen nesër.
Interesohu se çfarë bën fëmija yt, cilët janë shokët e tij, çfarë mësimesh bën. Informohu deri në hollësi për ndonjë ekskursion që organizohet. Një specialist i shëndetit mendor që për 33 vjet ka trajtuar raste të abuzimit seksual,
thotë se ka parë gjithë ato raste që mund të parandaloheshin thjesht nga vigjilenca e prindërve. Ai citon fjalët e një pedofili të dënuar: «Prindërit na i dorëzojnë fëmijët me dorën e vet. . . . Sigurisht, ata ma bënin ta kisha kollaj fare.» Mbaj parasysh se shumica e ngacmuesve kërkojnë ndonjë pre të lehtë. Prindërit që përfshihen vazhdimisht në jetën e fëmijëve bëjnë që ata të mos jenë një pre e lehtë.Një mënyrë tjetër për të qenë vija e parë e mbrojtjes për fëmijën është të jesh dëgjues i mirë. Rrallë ndodh që fëmijët të tregojnë vetë se me ta është abuzuar; atyre u vjen shumë turp dhe kanë shumë frikë si do të reagojnë të tjerët. Pra dëgjo me kujdes, për të kapur qoftë edhe ndonjë shenjë të vogël. * Nëse fëmija thotë diçka që të merakos, me qetësi bëji disa pyetje që ai të të hapet. Po të thotë se nuk do që filani të kujdeset për të kur është vetëm në shtëpi, pyete përse. Po të thotë se dikush bën disa lojëra të çuditshme me të, pyete: ‘Çfarë loje? Çfarë bën ai?’ Nëse fëmija ankohet se dikush e gudulisi, pyete: ‘Ku të gudulisi?’ Mos i nënvlerëso përgjigjet e fëmijës. Abuzuesit u thonë fëmijëve se askush nuk do t’i besojë; mjerisht, shpesh ndodh kështu. Nëse me një fëmijë është abuzuar, besimi dhe mbështetja e prindit është një hap i madh drejt shërimit.
Jini vija e parë e mbrojtjes për fëmijën
Jepi fëmijës njohuri
Në një vepër referimi rreth temës së abuzimit me fëmijët citohen fjalët e një pedofili të dënuar: «Mjafton të më jepni një fëmijë që s’di asgjë për seksin dhe ja ku kam viktimën tjetër.» Këto fjalë tronditëse janë një përkujtues i dobishëm për prindërit. Fëmijët që nuk dinë asgjë për seksin mashtrohen shumë më lehtë nga abuzuesit. Bibla thotë se njohuria dhe mençuria mund të na shpëtojnë «nga njeriu që thotë mbrapshti». (Proverbat 2:10-12) A nuk dëshironi këtë për fëmijën tuaj? Prandaj për ta mbrojtur, mos ngurroni të ndërmerrni hapin e dytë kryesor: t’i mësoni rreth kësaj teme të rëndësishme.
Por, si të flitni rreth saj? Shumë prindër e kanë pak të sikletshme të flasin me fëmijët për seksin. Por për fëmijën mund të jetë edhe më e sikletshme dhe ka shumë të ngjarë që nuk do ta hapë këtë temë me ju. Pra merrni iniciativën. Melisa thotë: «E nisëm qysh herët, duke u mësuar si quheshin pjesët e trupit. Përdornim fjalën e duhur, jo fjalë kalamajsh, për t’u treguar se asnjë pjesë e trupit të tyre s’ka ndonjë gjë të çuditshme ose të turpshme.» Më pas bisedat për abuzimin vijnë natyrshëm. Shumë prindër thjesht i thonë fëmijës se pjesët e trupit që i mbulojnë rrobat e banjës i përkasin vetëm fëmijës dhe janë të veçanta.
Eliza, e përmendur në artikullin e kaluar, thotë: «Unë dhe Tomi i thamë djalit se penisi i tij i përket vetëm atij dhe nuk është lodër. Askush nuk duhet të luajë me të, as mami, as babi, madje as mjeku. Kur e çojmë te mjeku, i shpjegoj se ai vetëm sa do të kontrollojë nëse gjithçka është në rregull, prandaj ndoshta mund ta prekë aty.» Të dy prindërit marrin pjesë në këto biseda të thjeshta që bëhen hera-herës dhe e sigurojnë fëmijën se mund të shkojë gjithmonë tek ata dhe t’u tregojë nëse ndokush e prek në ndonjë mënyrë që s’duhet ose e bën të ndihet në siklet. Specialistët në fushën e kujdesit për fëmijët dhe të parandalimit të abuzimit këshillojnë që të gjithë prindërit të bëjnë këto lloj bisedash me fëmijët e tyre.
Shumë veta kanë parë se libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh * është vërtet një ndihmë për t’i mësuar fëmijët rreth kësaj teme. Në kapitullin 32, «Si e mbrojti Jehovai Jezuin?» jepet një mësim i drejtpërdrejtë dhe forcues për fëmijët rreth rreziqeve të abuzimit dhe sa e rëndësishme është të mbrojnë veten. Melisa thotë: «Libri ka qenë një mënyrë e shkëlqyer për t’u përforcuar fëmijëve ato që u kemi mësuar.»
Në botën e sotme fëmijët duhet të dinë se ka ca njerëz që duan t’i prekin fëmijët ose që fëmijët t’i prekin ata në mënyra të gabuara. Këto paralajmërime nuk ka pse t’i frikësojnë fëmijët ose t’i bëjnë të mos kenë besim tek asnjë i rritur. «Është thjesht një mësim si të mbrohen,—thotë Eliza.—Është një ndër gjërat e shumta që u mësojmë, shumica e të cilave nuk kanë lidhje fare me abuzimin. Ky mësim nuk e ka frikësuar aspak tim bir.»
Fëmijës i duhet mësuar edhe një pikëpamje e drejtpeshuar për bindjen. T’i mësosh fëmijës të bindet është e rëndësishme dhe e vështirë. (Kolosianëve 3:20) Gjithsesi ekziston rreziku që të teprohet në këtë drejtim. Nëse një fëmijë e mësojnë se duhet t’i bindet gjithnjë çdo të rrituri, pavarësisht nga rrethanat, ai mund të bjerë pre e abuzimit. Pedofilët e nuhatin shpejt kur fëmijët janë tepër të bindur. Prindërit e mençur u mësojnë fëmijëve se bindja është relative. Për të krishterët, kjo nuk është aq e ndërlikuar sa duket. Thjesht nënkupton t’u thuash fëmijëve: «Nëse dikush të shtyn të bësh diçka që Perëndia Jehova thotë se është e gabuar, nuk duhet ta bësh. Madje, as mami ose babi nuk duhet të të thonë kurrë të bësh diçka që Jehovai thotë se është e gabuar. Në qoftë se ndonjëri mundohet që ti të bësh ndonjë gjë të gabuar, gjithmonë tregoji mamit ose babit.»
Si përfundim, bëjani të qartë fëmijës se askush nuk duhet t’i kërkojë që t’ju mbajë juve sekrete. Thuajini se nëse ndonjëri i kërkon t’ju mbajë ndonjë sekret, gjithmonë duhet të vijë te ju dhe t’ju tregojë. S’ka rëndësi se çfarë i thonë të tjerët, edhe nëse e kërcënojnë që ta frikësojnë, edhe nëse ai vetë bën diçka të gabuar, gjithmonë është mirë të vijë te mami ose te babi dhe t’i kallëzojë. Këto porosi s’ka pse ta frikësojnë fëmijën. Mund ta siguroni se shumë njerëz nuk do të bëjnë kurrë gjëra të tilla, si: ta prekin ku nuk duhet, t’i thonë të mos i bindet Perëndisë ose t’i thonë që t’ju mbajë juve një sekret. Ashtu siç bëhet një plan për të shpëtuar në rast zjarri, edhe këto udhëzime janë «vetëm po të lindë nevoja» e ka shumë të ngjarë të mos i duhet kurrë t’i zbatojë.
Jepini fëmijës njohuri
Mësojini fëmijës disa mënyra bazë për t’u mbrojtur
Hapi i tretë që do të shqyrtojmë është t’i mësoni fëmijës disa veprime të thjeshta në rast se ndokush përpiqet të përfitojë nga ai kur ju nuk jeni. Një metodë që sugjerohet shpesh është si një lojë. Prindërit pyesin: «Po sikur . . . ?» dhe fëmija përgjigjet. Mund të thoni: «Po sikur të ishim bashkë në një dyqan dhe të humbje. Si do të më gjeje?» Ndoshta përgjigjja e fëmijës nuk është tamam ajo që donit, por mund ta drejtoni te përgjigjja e duhur me anë të pyetjeve të tjera, si për shembull: «Si thua, ka ndonjë mënyrë tjetër më të mirë?»
Po kështu mund ta pyetni fëmijën se cila do të ishte mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nëse dikush do të përpiqej ta prekte në mënyrë të gabuar. Nëse fëmija tronditet lehtë nga pyetje të tilla, mund t’i tregoni një histori për një fëmijë tjetër. Për shembull: «Një vajzë e vogël është me një kushëri që ajo e ka xhan, por ai përpiqet ta prekë aty ku s’duhet. Si mendon, çfarë duhet të bëjë ajo që të mbrohet?»
Mësojini fëmijës disa mënyra bazë për t’u mbrojtur
Çfarë duhet t’i mësoni fëmijës të bëjë në rrethana të tilla? Ja se ç’thotë autori i një libri: «Një ‘jo’ e fortë ose ‘mos më prek’ ose ‘ik andej’ bëjnë mrekulli. Mund ta trembë ngacmuesin që i vardiset e ta bëjë të stepet e të ndërrojë mendje për viktimën e zgjedhur.» Improvizoni skena të shkurtra dhe ndihmojeni fëmijën ta interpretojë çfarë do të bënte, e kështu të ndihet i sigurt që të kundërshtojë me zë të lartë, t’ia mbathë që andej dhe t’ju tregojë gjithçka që ka ndodhur. Një fëmijë që duket sikur e ka kuptuar mirë mësimin mund ta harrojë kollaj brenda disa javësh ose muajsh. Pra përsëritjani herë pas here.
Të gjithë ata që kujdesen praktikisht për fëmijën, përfshirë meshkujt—qoftë ky babai, njerku ose të afërm të tjerë—duhet të marrin pjesë në këto biseda. Përse? Sepse ata që përfshihen në këto biseda, në thelb i premtojnë fëmijës se ata vetë nuk do të abuzojnë kurrë me të. Mjerisht shpesh abuzimi seksual ndodh brenda familjes. Artikulli vijues do të trajtojë si mund ta bëni familjen një liman të mbrojtur në një botë ku abuzohet me fëmijët.
^ par. 5 Specialistët thonë se shumë fëmijë me të cilët është abuzuar, japin shenja pa fjalë se diçka nuk shkon. Nëse fëmija papritur u kthehet disa zakoneve që i kishte kaluar prej kohësh, për shembull fillon të urinojë në shtrat, u ngjitet prindërve ose ka frikë të rrijë vetëm, ndoshta po jep sinjal që diçka serioze e mundon. Këto shenja nuk duhen marrë medoemos si prova abuzimi. Me qetësi bëje fëmijën të hapet që të kuptosh çfarë e mundon, e kështu ta qetësosh, t’i japësh siguri dhe mbrojtje.
^ par. 10 Për thjeshtësi, si për abuzuesin dhe për viktimën është përdorur gjinia mashkullore. Megjithatë parimet vlejnë për të dyja gjinitë.
^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.