Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Arsye për të besuar te Bibla

4. Saktësi shkencore

4. Saktësi shkencore

Shkenca ka bërë hapa viganë në kohët moderne. Për rrjedhojë, teoritë e vjetra u kanë lënë vendin të rejave. Ajo që dikur pranohej si fakt, sot ndoshta konsiderohet ide e gabuar. Shpesh tekstet mësimore shkencore kanë nevojë për rishikim.

BIBLA nuk është libër shkencor. Megjithatë, kur bëhet fjalë për çështje shkencore, Bibla vlen të përmendet jo vetëm për atë që thotë, por edhe për atë që nuk thotë.

E pandikuar nga pikëpamjet joshkencore.

Në lashtësi shumë bindje të gabuara u pranuan botërisht. Ekzistonin lloj-lloj mendimesh për tokën, duke filluar që nga ideja se ishte e sheshtë e deri te koncepti se qëndronte mbi ndonjë objekt. Shumë kohë para se shkenca të zbulonte si përhapeshin e si parandaloheshin sëmundjet, mjekët ndiqnin disa praktika të cilat ose nuk bënin efekt, ose më keq, mund të sillnin edhe vdekjen. Por në asnjë prej kapitujve të saj, që janë më shumë se 1.100, Bibla nuk mbështet qoftë edhe një pikëpamje joshkencore ose praktikë të dëmshme.

Pohime të sakta shkencërisht.

Afro 3.500 vjet më parë, Bibla thoshte se toka mbahet varur «në asgjë». (Jobi 26:7) Në shekullin e tetë p.e.s., Isaia foli qartë për «rruzullin [ose sferën] e tokës». (Isaia 40:22) Një tokë sferike që qëndron në një hapësirë boshe pa u mbështetur mbi diçka​—a nuk ju tingëllon mjaft i kohës ky koncept?

Ligji i Moisiut (që gjendet në pesë librat e parë të Biblës), i shkruar rreth vitit 1500 p.e.s., kishte ligje të mira për vënien në karantinë të të sëmurëve, trajtimin e kufomave dhe të mbeturinave.​—Levitiku 13:1-5; Numrat 19:1-13; Ligji i përtërirë 23:13, 14.

Pjesërisht falë teleskopëve të fuqishëm që vëzhgojnë qiejt, shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se universi pati një «fillim» të papritur. Jo të gjithë shkencëtarëve u pëlqen ajo që nënkupton ky shpjegim. Një profesor tha: «Një univers që ka pasur një fillim duket se kërkon një shkak, pasi kush do të mund ta imagjinonte një pasojë të tillë [universin] pa një shkak?» Por, shumë kohë para se të shpikeshin teleskopët, që në vargun e parë të Biblës thuhej qartë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»​—Zanafilla 1:1.

Bibla thoshte saktë se toka është e rrumbullakët dhe varet «në asgjë» kohë më parë se të zbulohej ky fakt

Ndonëse është një libër i lashtë dhe prek shumë tema, Bibla nuk ka pasaktësi shkencore. A nuk e meriton një libër i tillë që të paktën ta marrim në shqyrtim? *

^ par. 9 Për shembuj të tjerë që mbështetin saktësinë shkencore të Biblës, shih faqet 18-21 të broshurës Një libër për të gjithë njerëzit, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.