Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Limoni i gjithanshëm

Limoni i gjithanshëm

IMAGJINO një produkt që mund të përdoret si ilaç, si pastrues, si dezinfektues dhe si artikull kozmetik. Mund ta hash, të pish lëngun e tij ose të nxjerrësh esencë vajore. Është i paketuar bukur, e gjen kudo në botë dhe nuk kushton shtrenjtë. Madje tani mund të kesh një në kuzhinën tënde. Për çfarë e kemi fjalën? Për limonin.

Mendohet se limoni e ka origjinën nga Azia Juglindore. Prej atje u çua dalëngadalë në perëndim, drejt Mesdheut. Pemët e limonit e kanë qejf klimën e butë; ja pse rriten për bukuri në vende, si Argjentina, Italia, Meksika, Spanja, e madje edhe në disa pjesë të Afrikës e të Azisë. Në varësi të vendit ku është mbjellë dhe të varietetit, pema e rritur mund të japë nga 200 deri në 1.500 limonë në vit. Varietetet e kultivuara lulëzojnë në periudha të ndryshme, prandaj limonët mund të vilen gjatë gjithë vitit.

Limonët zënë rrënjë në Itali

A rritnin limonë romakët e lashtë? Kjo është një temë e rrahur që ngjall polemika. Ka dëshmi të shkruara se romakët njihnin qitron, një pjesëtare tjetër e familjes së agrumeve, që ngjason si limon i madh. Në veprën e tij Historia e natyrës, historiani romak Plini Plaku përmend drurin e qitros dhe frytin e tij. Por, disa specialistë me emër mendojnë se romakët njihnin edhe limonin. Pse? Sepse ka afreske dhe mozaikë të panumërt ku paraqitet ky fryt, jo qitroja. Një shembull është një vilë e zbuluar në Pompei, e quajtur me të drejtë Vila e Pemishtes, pasi është stolisur me afreske ku janë vizatuar lloj-lloj bimësh, mes të cilave edhe një pemë limoni. Doemos, asokohe ka të ngjarë që limoni të konsiderohej pemë ekzotike dhe mund të jetë përdorur vetëm si bimë mjekësore. Është e pamundur të dimë nëse limonët rriteshin kollaj ose sa të përhapur ishin.

Ishulli i Sicilisë, me verën e gjatë e të ngrohtë dhe dimrin e butë, është bërë prodhuesi numër një i agrumeve, përfshirë limonët. Por, edhe në zona të tjera, kryesisht përgjatë bregut, kultivohen limonë cilësorë.

Qyteti i bukur i Sorentos ndodhet pak më në jug të Napolit, e më tej vjen bregdeti i Amalfit​—një vijë bregdetare spektakolare që shtrihet më shumë se 40 kilometra. Të strukura në gjiret përgjatë bregdetit ndodhen  qytetet piktoreske Amalfi, Pozitano dhe Vietri sul Mare, për të përmendur vetëm disa. Limonët e rritur brigjeve të Sorentos dhe të Amalfit marrin një certifikatë të veçantë, një garanci që dëshmon se janë kultivuar vërtet atje. Vendësit jo më kot i mbrojnë me xhelozi pemët e limonit, pasi ato janë mbjellë me zgjuarsi nëpër brezaret në shpatin e malit, ku thithin rrezet e diellit dhe japin limonë tërë lëng e me aromë të mrekullueshme.

Për të rritur një pemë limoni, nuk duhet ndonjë hapësirë kushedi. Mjafton edhe një ballkon me diell, pasi ka pemë të vogla limoni që rriten në saksi dhe janë bimë dekorative që të kënaqin syrin. Atyre u pëlqejnë vendet gjithë diell që s’i rreh era, mundësisht pas një muri, ku mund të thithin ngrohtësinë. Megjithatë, nëse në dimër temperatura bie ndjeshëm, duhen mbuluar ose duhen futur brenda.

Jo veç për shije

Sa shpesh i përdor limonët? Disa hedhin një fetë limoni në filxhanin e çajit, të tjerë përdorin lëkurën ose ca pika limoni për recetat e ëmbëlsirave. Mbase ty të pëlqen t’i shtrydhësh për të bërë limonatë. Shefat e kuzhinës përqark botës mbajnë gjithmonë limonë në kuzhinën e tyre për përdorimet e pafundme në gatim. Por, a e ke përdorur ndonjëherë lëngun e limonit si dezinfektues ose për të hequr njollat?

Disa e pastrojnë dhe e dezinfektojnë dërrasën ku presin ushqimet duke e fërkuar me gjysmë limoni. Në vend të një solucioni me klor për të hequr njollat a për të pastruar lavamanin, disa përdorin një përzierje limoni me sodë buke. Gjithashtu, thuhet se një gjysmë limoni në frigorifer a në makinën pjatalarëse, heq erën e keqe dhe përhap aromë të freskët.

Limoni është burim acidi citrik, që shërben si konservues natyror dhe u jep shije të athët ushqimeve a pijeve. Nga lëkura e limonit nxirret pektinë, që përdoret në industrinë ushqimore si lëndë trashëse, si emulgator dhe si mpiksës. Veç kësaj, nga lëkura nxirret një vaj që përdoret në industritë ushqimore, farmaceutike dhe kozmetike. Lista e përdorimeve të limonit mund të vazhdojë pa fund. Limoni është vërtet një fryt plot shije e aromë, me ngjyra të gjalla dhe i gjithanshëm.