Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PIKËPAMJA E BIBLËS

Parajsa

Parajsa

Çfarë është Parajsa?

ÇFARË THONË NJERËZIT

Disa mendojnë se Parajsa është veç një mit. Të tjerë besojnë se është utopi për një kopsht ku njerëzit e mirë jetojnë përgjithmonë dhe merren me aktivitete të gëzueshme e frytdhënëse.

ÇFARË THOTË BIBLA

Fjala «parajsë» është përdorur për shtëpinë e parë të njerëzimit, kopshtin e Edenit. (Zanafilla 2:7-15) Bibla e paraqet këtë kopsht si një vend real ku çifti i parë njerëzor jetonte pa sëmundje dhe vdekje. (Zanafilla 1:27, 28) Ngaqë u rebelua kundër Perëndisë, çifti i parë e humbi shtëpinë parajsore. Megjithatë, shumë profeci biblike përshkruajnë një të ardhme kur njerëzit do të gëzojnë Parajsën e rivendosur.

PSE DUHET TË TË INTERESOJË?

Nëse Perëndia është i dashur, do të ishte logjike t’i shpërblente adhuruesit e tij besnikë me një jetë të mirë në një vend si Parajsa. Do të ishte logjike edhe t’i informonte njerëzit ç’duhet të bëjnë që të fitojnë miratimin e tij. Bibla thotë se mund ta fitosh miratimin e Perëndisë duke marrë njohuri për të dhe duke iu bindur urdhërimeve të tij.Gjoni 17:3; 1 Gjonit 5:3.

«Perëndia Jehova mbolli një kopsht në Eden, . . . dhe vendosi atje njeriun që kishte formuar.»Zanafilla 2:8.

 Ku është Parajsa?

ÇFARË THONË NJERËZIT

Disa besojnë se Parajsa është në qiell, kurse të tjerë thonë se do të vendoset në të ardhmen në tokë.

ÇFARË THOTË BIBLA

Në fillimet e historisë, Parajsa për njerëzimin ishte në tokë. Perëndia e ka treguar qartë se toka është shtëpia e përhershme e njeriut. Bibla thotë se Perëndia e ka bërë planetin tonë që të mbetet përgjithmonë. (Psalmi 104:5) Gjithashtu, thotë: «Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.»Psalmi 115:16.

Prandaj, nuk është çudi që Bibla premton se toka do të bëhet Parajsë. Perëndia do t’i bekojë me jetë të përhershme njerëzit që do të jetojnë në të. Do të mbretërojnë harmonia dhe paqja. Dhembjet dhe vuajtjet do t’i përkasin së kaluarës. Gjithashtu, njerëzit do të kenë mundësi të shijojnë plotësisht mrekullitë natyrore të planetit Tokë.Isaia 65:21-23.

«Tenda e Perëndisë është me njerëzit. . . . Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»Zbulesa 21:3, 4.

Cilët do të jetojnë në Parajsë?

ÇFARË THONË NJERËZIT

Shumë fe mësojnë se në Parajsë do të jetojnë vetëm njerëzit e mirë. Por, kur vjen puna te kuptimi i fjalës «i mirë», ka shumë pështjellim. Disa mendojnë se mjafton thjesht të marrësh pjesë në ceremoni fetare dhe lutje rituale.

ÇFARË THOTË BIBLA

Bibla mëson se në Parajsë do të jetojnë «të drejtët». Por, kush është i drejtë në sytë e Perëndisë? Jo ai që bën ritet e fesë së tij, e ndërkohë shpërfill vullnetin e Perëndisë. Bibla thotë: «A kënaqet Jehovai me blatimet e djegura dhe flijimet, aq sa kur i bindesh zërit të Jehovait? Të bindesh është më mirë se flijimi.» (1 Samuelit 15:22) E thënë thjesht, «të drejtët» që do të jetojnë përgjithmonë në Parajsë, janë ata që u binden urdhërimeve të Perëndisë që gjenden në Bibël.

Ç’MUND TË BËSH

Bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë përfshin më shumë se të marrësh pjesë në ceremoni fetare. Me sjelljen tënde të përditshme, ose i pëlqen Perëndisë, ose e mërzit atë. Mund të mësosh t’i pëlqesh Perëndisë duke shqyrtuar me kujdes Biblën. Nuk është e vështirë t’i pëlqesh atij. Bibla thotë se «urdhërimet e tij nuk janë të rënda». (1 Gjonit 5:3) Perëndia mezi pret të të shpërblejë për bindjen tënde, duke të dhënë mundësinë të jetosh në Parajsë.

«Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»Psalmi 37:29.