Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

Si ta përdorësh kohën me mençuri?

Si ta përdorësh kohën me mençuri?

«Ah, sikur të kisha më tepër kohë!» Sa herë i ke thënë këto fjalë? Në njëfarë kuptimi, koha i vë të gjithë në një nivel, sepse njerëzit e pushtetshëm dhe të pasur nuk kanë më tepër se njerëzit e thjeshtë dhe të varfër. Për më tepër, as të pasurit, as të varfrit nuk mund ta grumbullojnë kohën. Kur ikën, nuk kthehet më. Prandaj është e mençur ta përdorim sa më mirë kohën që kemi. Si? Shqyrto katër mënyra që kanë ndihmuar shumë njerëz.

Mënyra 1: Ji i organizuar

Vendos përparësitë. ‘Sigurohu për gjërat më të rëndësishme’,—këshillon Bibla. (Filipianëve 1:10) Bëj një listë të gjërave që janë të rëndësishme ose urgjente, ose të dyja bashkë, duke pasur parasysh se ajo që është e rëndësishme, si për shembull blerja e ushqimeve për darkën, mund të mos jetë medoemos urgjente. Dhe ajo që mund të duket urgjente, si nxitimi për të kapur fillimin e emisionit tënd të preferuar, mund të mos jetë e rëndësishme. *

Mendo që më përpara. «Nëse një vegël hekuri topitet dhe askush s’ia ka mprehur tehun, atëherë njeriu duhet të ushtrojë më shumë forcë,—thotë Eklisiastiu 10:10.—Prandaj, suksesi varet nga përdorimi i mençurisë.» Mësimi që nxjerrim? Mprehi veglat e punës, domethënë planifiko që më përpara që ta shfrytëzosh sa më mirë kohën. Lëri për më vonë ose fshiji nga axhenda punët jo të domosdoshme, që veçse të hanë kohë e energji. Nëse e ke vënë punën para dhe mbaron para kohe, pse të mos bësh diçka tjetër që e ke planifikuar për më vonë? Duke i menduar gjërat që më përpara, bëhesh më i frytshëm, ashtu si një punëtor i mençur që mpreh veglat e punës.

Thjeshtoje jetën. Mëso të thuash jo për gjëra që janë të parëndësishme ose veçse të hanë kohë. Veprimtaritë dhe takimet e shumta mund të të krijojnë stres të panevojshëm dhe mund të të rrëmbejnë gëzimin.

Mënyra 2: Shmang gjërat që të vjedhin kohën

Zvarritja e gjërave dhe pavendosmëria. «Kush vëzhgon erën, nuk do të mbjellë farë dhe kush shikon retë, nuk do të korrë.» (Eklisiastiu 11:4) Mësimi që nxjerrim? Zvarritja e gjërave vjedh kohën dhe ul rendimentin. Bujku që pret kushte të përsosura, mund të mos e mbjellë kurrë farën ose të korrë prodhimin. Po kështu, nëse i lejojmë, pasiguritë e jetës mund të na bëjnë të pavendosur. Ose ndoshta mendojmë se duhet të presim derisa të kemi çdo copëz informacioni të rëndësishëm para se të marrim një vendim. Sigurisht, kur merret një vendim i rëndësishëm, duhen bërë kërkime dhe duhen peshuar mirë gjërat. «Kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij»,—thuhet te Proverbat 14:15. Por e vërteta është se shumë vendime përfshijnë njëfarë pasigurie.​—Eklisiastiu 11:6.

Mania për përsosmëri. «Mençuria nga lart [ose nga Perëndia] është . . . e arsyeshme»,—thotë Jakovi 3:17. Kuptohet, mbajtja e një standardi të lartë është për t’u lavdëruar. Por, ndonjëherë, mund të vëmë standarde kaq të larta, sa mund të shkojmë me këmbët tona drejt zhgënjimit e madje drejt dështimit. Për shembull, ai që mëson një gjuhë të huaj, duhet të përgatitet mendërisht që do të bëjë gabime, i vetëdijshëm se do të mësojë prej tyre. Por, ai që është i fiksuar pas përsosmërisë, ndoshta do të tmerrohet vetëm nga ideja se mos thotë diçka gabim. Ky është një qëndrim që do ta pengonte përparimin e tij. Është më mirë të jemi modestë në atë që presim nga vetja. «Mençuria është me modestët»,—thuhet te Proverbat 11:2. Për më tepër, kush është modest dhe i përulur nuk e merr veten tepër seriozisht dhe zakonisht qesh me veten e tij.

«Në të vërtetë, gjërat nuk i paguan me para, por me kohë.»​—Libri What to Do Between Birth and Death

Mënyra 3: Ji i ekuilibruar dhe realist

Ekuilibro punën me zbavitjen. «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.» (Eklisiastiu 4:6) Shpesh, maniakët e punës e privojnë veten nga frytet e ‘dy grushteve me mund’ sepse nuk u mbetet më kohë dhe energji. Kurse përtacët zgjedhin të kenë «dy grushte» me pushim dhe shpërdorojnë kohën e çmuar. Bibla nxit këtë pikëpamje të ekuilibruar: puno fort dhe gëzoji frytet. Ky gëzim është «dhuratë nga Perëndia».​—Eklisiastiu 5:19.

Mos u kurse me gjumin. «Në paqe do të bie të fle»,—tha një shkrimtar i Biblës. (Psalmi 4:8) Shumica e të rriturve kanë nevojë për tetë orë gjumë në natë që të jenë plotësisht të çlodhur fizikisht, emocionalisht dhe mendërisht. Për sa i përket kësaj të fundit, ia vlen ta përdorësh mirë kohën për gjumin, sepse të ndihmon të përqendrohesh, të forcon kujtesën dhe si rezultat nxit procesin e të mësuarit. Kurse mungesa e gjumit e pengon procesin e të mësuarit dhe rrit mundësinë për të bërë aksidente, gabime dhe për t’u acaruar.

Vër synime realiste. «Më mirë ajo që sheh syri, se ajo që dëshiron shpirti.» (Eklisiastiu 6:9) Cila është pika? Një person i mençur nuk e lë timonin e jetës në dorë të dëshirave, veçanërisht në dorë të dëshirave që janë jorealiste ose të pamundura. Kështu, nuk joshet nga reklamat e sajuara me zotësi dhe nga kreditë që merren kollaj. Përkundrazi, mëson t’i shtrijë këmbët sa ka jorganin, pra, të kënaqet me atë «që [i] sheh syri».

Mënyra 4: Udhëhiqu nga vlera të mira

Mendo për vlerat e tua. Vlerat që ke, të ndihmojnë të përcaktosh çfarë është e mirë, e rëndësishme dhe e vlefshme. Nëse jeta jote do të ishte një shigjetë, vlerat e tua do ta drejtonin atë. Prandaj, vlerat e mira të ndihmojnë të vësh përparësi të shëndosha në jetë dhe ta përdorësh sa më mirë kohën orë pas ore dhe ditë pas dite. Ku mund t’i gjesh vlera të tilla? Shumë veta i drejtohen Biblës, pasi e pranojnë mençurinë e saj tejet të lartë.​—Proverbat 2:6, 7.

Bëje dashurinë vlerën tënde kryesore. Kolosianëve 3:14 thotë se dashuria «është një lidhje e përsosur bashkimi». Pa dashuri, nuk mund të gëzojmë lumturi të vërtetë dhe siguri emocionale, sidomos brenda familjes. Ata që e shpërfillin këtë, mbase duke i dhënë përparësi pasurisë dhe karrierës, në të vërtetë nuk do të jenë të lumtur. Prandaj, jo më kot dashuria është vlera më kryesore në Bibël, pasi përmendet qindra herë në të.​—1 Korintasve 13:1-3; 1 Gjonit 4:8.

Lër kohë mënjanë për të plotësuar nevojën më të madhe. Një burrë me emrin Xhef kishte një grua të dashur, dy fëmijë të lumtur, shokë të mirë dhe një punë të kënaqshme si ndihmësmjek. Megjithatë, shpesh në punë i shihte me sytë e tij vuajtjet dhe vdekjen. «A duhej të ishte kështu jeta?»,—pyeti ai. Pastaj, një ditë lexoi ca literaturë biblike të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe gjeti përgjigje të kënaqshme.

Xhefi ua shpjegoi gruas dhe fëmijëve çfarë po mësonte, dhe kjo u nxiti kureshtjen. Familja nisi të studionte Biblën. Kjo ua pasuroi jetën dhe i ndihmoi ta përdornin kohën më me mençuri. Gjithashtu, studimi i Biblës u dha shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme në një botë pa kotësi e vuajtje.​—Zbulesa 21:3, 4.

Përvoja e Xhefit na sjell ndër mend fjalët e Jezu Krishtit, kur tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» (Mateu 5:3) A je i gatshëm të lësh pak kohë mënjanë që të mësosh për Perëndinë? Pa dyshim, asgjë tjetër në botë nuk të jep mençuri për ta përdorur sa më mirë jo vetëm ditën, por gjithë jetën.

^ par. 5 Shih artikullin «20 mënyra për të pasur më shumë kohë» te Zgjohuni! e prillit 2010.