Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka empati Perëndia?

A ka empati Perëndia?

ÇFARË MËSOJMË NGA KRIJIMI

Empatia përkufizohet si «aftësia për të përjetuar ndjenjat ose eksperiencat e dikujt tjetër, duke e vënë veten në vendin e tij». Dr. Rik Hensëni, specialist i shëndetit mendor, tha se «empatinë e kemi në gjak».

NDALU E MENDO: Pse vetëm ne njerëzit kemi aftësinë të shfaqim këtë cilësi të pashoqe? Bibla shpjegon se Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij. (Zanafilla 1:26) Ne jemi bërë sipas shëmbëlltyrë së Perëndisë në kuptimin që mund të pasqyrojmë personalitetin e tij e të shfaqim deri në njëfarë mase cilësitë e tij të shkëlqyera. Ndaj, kur njerëzit e dhembshur, të nxitur nga empatia, u vijnë në ndihmë të tjerëve, po pasqyrojnë empatinë e Krijuesit të tyre të dhembshur, Perëndisë Jehova.​—Proverbat 14:31.

ÇFARË NA MËSON BIBLA PËR EMPATINË E PERËNDISË

Perëndia ndien empati për ne dhe nuk duron dot që të vuajmë. Kur flet për popullin e lashtë të Izraelit, i cili duroi skllavërinë shtypëse në Egjipt që u pasua nga 40 vite të vështira në shkretëtirë, Bibla thotë: «Ai vuajti për të gjitha vuajtjet e tyre.» (Isaia 63:9) Vër re se Perëndia jo vetëm e dinte që po vuanin, por ndiente dhimbjen e tyre. Jehovai thotë: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.» (Zakaria 2:8) Ndaj, kur të tjerët na bëjnë të vuajmë, zemra e tij vuan bashkë me tonën.

Bibla na siguron se, edhe pse mund ta dënojmë veten a të ndihemi të padenjë për empatinë e Perëndisë, «[Ai] është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka». (1 Gjonit 3:19, 20) Perëndia na njeh më mirë se ç’e njohim ne veten dhe kupton me imtësi çdo rrethanë, mendim a ndjenjë që përjetojmë. Ai ndien empati për ne.

Mund t’i drejtohemi Perëndisë për ngushëllim, mençuri dhe mbështetje, të sigurt se Ai u bëhet krah të gjithë atyre që po vuajnë

Shkrimet na sigurojnë se . . .

  • «Do të thërritje, dhe Jehovai do të përgjigjej. Do të kërkoje ndihmë, dhe ai do të thoshte: ‘Ja ku jam!’»​—ISAIA 58:9.

  • «‘Sepse unë e di mirë se ç’mendoj për ju,​—thotë Jehovai,—​mendoj për paqe, dhe jo për gjëmë, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë. Ju do të më thërritni, do të vini e do të më luteni, e unë do t’ju dëgjoj.’»​—JEREMIA 29:11, 12.

  • «M’i vër lotët në calikun tënd. A nuk gjenden ato në librin tënd?»​—PSALMI 56:8.

PERËNDIA NA VË RE, NA KUPTON DHE NDIEN EMPATI PËR NE

A mund t’i përballojmë më lehtë vështirësitë kur e dimë se Perëndia ndien empati për ne? Shih çfarë i ndodhi Marisë. Ajo thotë:

«Mendoja se jeta u tregua e ashpër dhe e padrejtë me mua pas dhembjes therëse që përjetova kur humba djalin 18-vjeçar që luftoi dy vjet me kancerin. Isha e zemëruar me Jehovain që nuk bëri gjë për ta shëruar.

Gjashtë vjet më vonë, një mike e dashur dhe e dhembshur nga kongregacioni më dëgjoi teksa i shprehja se Jehovai nuk më donte. Pasi më dëgjoi për orë të tëra pa më ndërprerë, më përmendi një varg që më preku thellë. Ishte 1 Gjonit 3:19, 20, që thotë: ‘Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka.’ Gjithashtu, më shpjegoi se Jehovai i kupton brengat e zemrës.

Pavarësisht nga kjo, e kisha shumë të vështirë ta hidhja pas krahëve zemërimin. Pastaj lexova Psalmin 94:19, ku thuhet: ‘Kur pata përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua nisën të ma ledhatonin shpirtin.’ M’u duk sikur ato fjalë ishin shkruar kastile për mua! Me kohë kuptova sa ngushëlluese ishte t’i hapja zemrën Jehovait për brengat e mia, duke e ditur se ai më dëgjon dhe më kupton.»

Sa na ngrohet zemra kur dimë se Perëndia na kupton dhe ndien empati për ne! Atëherë, pse ka kaq shumë vuajtje? Mos vallë Perëndia po na ndëshkon për ndonjë të keqe që kemi bërë? A do të vërë dorë për t’u dhënë fund vuajtjeve? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikujt vijues.