Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Masoretët i kopjuan me kujdes Shkrimet

TEMA KRYESORE | BIBLA​—HISTORIA E SAJ E MBIJETESËS

Bibla u mbijetoi përpjekjeve për t’ia ndryshuar mesazhin

Bibla u mbijetoi përpjekjeve për t’ia ndryshuar mesazhin

RREZIKU: Faktorët e jashtëm, si prishja dhe kundërshtimi, nuk e shkatërruan dot Biblën. E megjithatë, disa kopistë e përkthyes janë përpjekur të ndryshojnë mesazhin e saj. Ndonjëherë janë përpjekur të ndryshojnë Biblën sipas doktrinave të tyre dhe jo doktrinat sipas asaj që thotë Bibla. Ja disa shembuj.

  • Vendi i adhurimit: Midis shekullit të katërt dhe të dytë p.e.s., shkrimtarët e Pentateukut samaritan futën pas Daljes 20:17 fjalët «në malin Gerizim. Atje duhet të ndërtosh një altar». Samaritanët shpresonin se, duke ndryshuar Shkrimet, do të mbështetnin ndërtimin e tempullit të tyre në malin Gerizim.

  • Doktrina e Trinitetit: Më pak se 300 vjet pas mbarimit të Biblës, te 1 Gjonit 5:7 një shkrimtar i doktrinës së Trinitetit shtoi fjalët «në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një». Kjo pjesë nuk ishte në tekstin origjinal. Studiuesi i Biblës Brus Metsgër vëren se «nga shekulli i gjashtë e më pas», këto fjalë «i gjeje gjithnjë e më shpesh në dorëshkrimet e Versionit të vjetër latin [Vetus Latina] dhe të Vulgatës [Latine]».

  • Emri hyjnor: Duke u bazuar në një bestytni judaike, shumë përkthyes të Biblës vendosën ta hiqnin emrin hyjnor nga Shkrimet. E zëvendësuan me tituj, si «Perëndi» ose «Zot», që në Bibël përdoren jo vetëm për Krijuesin, por edhe për njerëzit, për objekte të adhurimit të rremë, madje edhe për Djallin.​—Gjoni 10:34, 35; 1 Korintasve 8:5, 6; 2 Korintasve 4:4. *

SI MBIJETOI BIBLA: Së pari, edhe pse disa kopistë të Biblës ishin të pakujdesshëm e madje mashtrues, shumë të tjerë ishin goxha të aftë e të kujdesshëm deri në hollësi. Midis shekujve të gjashtë dhe të dhjetë të e.s., masoretët kopjuan Shkrimet Hebraike dhe nxorën atë që njihet si teksti masoretik. Ata numëronin fjalët dhe shkronjat që të siguroheshin se nuk kishin bërë gabime. Nëse dyshonin se në tekstin bazë kishte gabime, bënin shënime anës faqes. Masoretët nuk donin kurrsesi të ndryshonin tekstin e Biblës. Profesor Moshe Goshen-Gotshtajni shkroi: «Për ta, ndërhyrja e qëllimshme në tekst ishte krimi më i tmerrshëm që mund të bënin.»

Së dyti, falë dorëshkrimeve të shumta që kemi sot, studiuesit e Biblës arrijnë t’i dallojnë gabimet. Për shembull, për shekuj me radhë udhëheqësit fetarë deklaronin se versionet e tyre në latinisht përmbanin tekstin origjinal të Biblës. E megjithatë, te 1 Gjonit 5:7 kishin futur fjalët e pavërteta që përmendëm në fillim të këtij artikulli. Ky gabim u fut edhe te përkthimi i njohur në anglisht King James. Por çfarë u kuptua kur u zbuluan dorëshkrime të tjera? Brus Metsgëri shkroi: «Kjo pjesë [e 1 Gjonit 5:7] nuk është në asnjë prej përkthimeve të lashta (siriake, koptike, armene, etiopase, arabe dhe sllave), përveçse në versionin latin.» Ja pse përkthimi i rishikuar King James dhe Biblat e tjera e kanë hequr këtë fragment të pavërtetë.

Çestër Biti P46, një dorëshkrim biblik në papirus aty nga viti 200 i e.s

A vërtetojnë dorëshkrimet e lashta se mesazhi i Biblës është ruajtur i pandryshuar? Pasi u gjetën Rrotullat e Detit të Vdekur më 1947, më në fund studiuesit mund ta krahasonin tekstin hebraik masoretik me rrotullat e Biblës të shkruara mbi një mijë vjet më parë. Një nga skuadra e botimit të Rrotullave të Detit të Vdekur arriti në përfundimin se një rrotull «është provë e pakundërshtueshme se teksti biblik u transmetua nëpërmjet penës së kopistëve judaikë me besnikëri e kujdes të jashtëzakonshëm për më se një mijë vjet».

Në bibliotekën e Çestër Bitit në Dublin, Irlandë, gjendet një koleksion papirusesh ku përfshihet gati çdo libër i Shkrimeve të Krishtere Greke, si dhe dorëshkrime që datojnë nga shekulli i dytë i e.s, vetëm rreth 100 vjet pas përfundimit të Biblës. Një fjalor vëren: «Megjithëse papiruset sigurojnë shumë informacione të reja për hollësitë e tekstit, ato tregojnë edhe koherencë të jashtëzakonshme në transmetimin e tekstit biblik.»​—The Anchor Bible Dictionary.

«Mund të thuhet me siguri se asnjë vepër tjetër e lashtësisë nuk është transmetuar kaq saktë»

REZULTATI: Vjetërsia dhe moria e dorëshkrimeve të Biblës jo vetëm që nuk e kanë ndryshuar tekstin e saj, por e kanë përmirësuar. Sër Frederik Kenioni shkruante për Shkrimet e Krishtere Greke: «Për asnjë libër tjetër të lashtë nuk ekzistojnë kaq shumë dëshmi të hershme, dhe asnjë studiues i paanshëm nuk do ta mohonte se teksti që kemi sot në dorë është kryesisht i paprekur.» Kurse për Shkrimet Hebraike, studiuesi Uilliam Henri Grin pohonte: «Mund të thuhet me siguri se asnjë vepër tjetër e lashtësisë nuk është transmetuar kaq saktë.»

^ par. 6 Për më shumë informacion, shih pjesët 1 dhe 2 te broshura Ndihmë për të studiuar Fjalën e Perëndisë, që disponohet edhe në www.mr1310.com.