Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | LUFTA QË NDRYSHOI BOTËN

Fajtori i vërtetë i luftërave dhe i vuajtjeve

Fajtori i vërtetë i luftërave dhe i vuajtjeve

Më 11 nëntor 1918, Lufta e Parë Botërore mori fund. Dyqanet u mbyllën dhe njerëzit dolën në rrugë për të festuar. Por festimet nuk zgjatën shumë. Një kërcënim tjetër edhe më vdekjeprurës ia behu fill pas Luftës së Parë Botërore.

Një epidemi fatale që u quajt gripi spanjoll kishte përpirë fushëbetejat e Francës në qershor të vitit 1918. S’kaloi shumë dhe virusi tregoi sa fatal mund të ishte. Për shembull, brenda pak muajsh vrau më tepër ushtarë amerikanë në Francë se plumbat e armikut. Dhe gripi u përhap me shpejtësi në mbarë botën, pasi trupat ushtarake e mbartën me vete virusin kur u kthyen në atdhe në fund të luftës.

Vitet e pasluftës u karakterizuan edhe nga uria e skamja. Pjesa më e madhe e Evropës po vdiste urie kur armiqësitë morën fund më 1918. Në vitin 1923 monedha gjermane thuajse u zhvleftësua fare. Gjashtë vjet më vonë, e gjithë ekonomia botërore pësoi kolaps. Dhe në fund, më 1939 filloi Lufta e Dytë Botërore, që në disa aspekte ishte vazhdimi i së parës. Çfarë fshihej pas këtij zinxhiri katastrofash të papara?

SHENJA E DITËVE TË FUNDIT

Profecitë biblike na ndihmojnë të kuptojmë çfarë fshihet pas disa ngjarjeve historike, dhe kjo vlen sidomos për Luftën e Parë Botërore. Jezu Krishti paratha se do të vinte një kohë kur ‘do të ngrihej komb kundër kombi’ dhe mungesat e ushqimit e murtajat do të mbërthenin mbarë botën. (Mateu 24:3, 7; Luka 21:10, 11) Ai u tha dishepujve se këto gjëma do të formonin një shenjë që sinjalizonte ditët e fundit. Më shumë hollësi për këtë jepen te libri i Zbulesës, që i lidh mjerimet e tokës me një luftë në qiell.—Shih kutinë  «Luftë në tokë e luftë në qiell».

Po ky libër biblik përshkruan katër kalorës, që ndonjëherë quhen katër kalorësit e Apokalipsit. Tre prej tyre paraqitin të njëjtat katastrofa që kishte parathënë më parë Jezui: luftëra, zi buke dhe murtaja. (Shih kutinë  «A po kalërojnë vërtet katër kalorësit?») Është e qartë se Lufta e parë Botërore ishte shkëndija e një kohe mjerimesh që nuk kanë reshtur ende. Dhe Bibla tregon se ai që, si të thuash, e shkrepi atë shkëndijë ishte Satanai. (1 Gjonit 5:19) A do t’i vihet ndonjëherë fre pushtetit të tij?

Libri i Zbulesës na siguron edhe se Satanait i ka mbetur veç ‘një periudhë kohe e shkurtër’. (Zbulesa 12:12) Ja pse është i xhindosur dhe shkakton mjerime të papara mbi tokë. Por, njëherazi, problemet që shohim tregojnë se Satanait po i troket fundi.

VEPRAT E DJALLIT DO TË ZHBËHEN

Lufta e Parë Botërore ishte vërtet pikë kthese në historinë e njerëzimit. Ajo solli një epokë luftërash globale, ndezi revolucione dhe mosbesim te udhëheqësit njerëzorë. Ishte edhe dëshmi e gjallë e dëbimit të Satanait nga qielli. (Zbulesa 12:9) Dhe ky sundimtar i padukshëm veproi si një diktator smirëzi që e di se i ka ditët të numëruara. Kur t’i sosen ditët, kohët e trazuara që shkaktoi Lufta e Parë Botërore më në fund do të mbarojnë.

Duke pasur parasysh profecitë biblike, ke arsye për të besuar se Jezu Krishti, Mbreti ynë qiellor, shumë shpejt ‘do t’i zhbëjë veprat e Djallit’. (1 Gjonit 3:8) Miliona veta po luten që të vijë Mbretëria e Perëndisë. Po ti? Falë kësaj Mbretërie, njerëzit besnikë më në fund do të shohin në tokë përmbushjen e vullnetit të Perëndisë dhe jo të Satanait. (Mateu 6:9, 10) Nën Mbretërinë e Perëndisë, nuk do të ketë më kurrë as luftëra botërore e as ndonjë lloj lufte tjetër. (Psalmi 46:9) Mëso për këtë Mbretëri, jeto e shiko me sytë e tu paqen që do të mbizotërojë në tokë.—Isaia 9:6, 7.

^ par. 20 Shih kapitullin 8 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.