Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | PSE U NDODHIN TË KËQIJA NJERËZVE TË MIRË?

Njerëzve të mirë u ndodhin të këqija—Pse?

Njerëzve të mirë u ndodhin të këqija—Pse?

Meqë Perëndia Jehova * është Krijuesi i gjithçkaje dhe është i plotfuqishëm, shumë veta mund ta bëjnë atë përgjegjës për çdo gjë që ndodh në botë, edhe për të këqijat. Gjithsesi, shqyrto ç’thotë Bibla për Perëndinë e vërtetë:

  •  «Jehovai është i drejtë në të gjitha udhët e tij.»Psalmi 145:17.

  •  «Të gjitha udhët e tij [të Perëndisë] janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi. I drejtë dhe i ndershëm është ai.»Ligji i përtërirë 32:4.

  • «Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm.»Jakovi 5:11.

Perëndia nuk i shkakton të këqijat. Por, mos vallë i nxit të tjerët të bëjnë vepra të liga? Kurrsesi! Shkrimet thonë: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po më sprovon Perëndia.’» Pse? Sepse «Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri». (Jakovi 1:13) Perëndia nuk sprovon asnjë duke e nxitur të sillet keq. Ai as i shkakton të këqijat, as i nxit të tjerët t’i bëjnë ato. Por atëherë, kush e ka fajin ose çfarë i shkakton të këqijat?

VENDI I GABUAR, KOHA E GABUAR

Duke treguar një nga arsyet pse vuajnë njerëzit, Bibla thotë: «Të gjithëve u rastis të kalojnë kohë . . . dhe . . . ngjarje të paparashikuara.» (Eklisiastiu 9:11) Nëse dikush preket apo jo nga ngjarje ose aksidente të paparashikuara, kjo varet në një masë të madhe se ku gjendet në atë moment. Afro 2.000 vjet më parë, Jezu Krishti foli për një fatkeqësi ku 18 njerëz vdiqën kur një kullë ra mbi ta. (Luka 13:1-5) Ata nuk vdiqën për shkak të llojit të jetës që kishin bërë; thjesht u ndodhën poshtë kullës kur ra. Kohët e fundit, një tërmet shkatërrimtar goditi Haitin në janar të 2010-s. Qeveria haitiane tha se mbi 300.000 veta humbën jetën. Gjithë ata njerëz vdiqën pavarësisht se kush ishin. Edhe sëmundjet mund të zënë këdo, në çdo kohë.

Pse nuk i mbron Perëndia njerëzit e mirë nga katastrofat?

Disa mund të pyesin: «A nuk mund t’i parandalonte Perëndia këto fatkeqësi vdekjeprurëse? A nuk mund t’i mbronte ai njerëzit e mirë?» Ndërhyrja e Perëndisë në këto mënyra, do të nënkuptonte që ai i di gjërat e këqija para se të ndodhin. Ndonëse është i aftë ta parashohë të ardhmen, pyetja që duhet të bëjmë, është: a zgjedh Perëndia ta përdorë pa kufij aftësinë e tij për t’i ditur që më përpara këto gjëra?—Isaia 42:9.

Shkrimet thonë: «Perëndia ynë është në qiej dhe ka bërë gjithçka që i ka pëlqyer.» (Psalmi 115:3) Jehovai bën atë që mendon se është e nevojshme—jo çdo gjë që është në gjendje të bëjë. Kjo zbatohet edhe për gjërat që vendos të parashohë. Për shembull, pasi ligësia u përhap jashtë mase në qytetet e lashta të Sodomës dhe  të Gomorrës, Perëndia i tha patriarkut Abraham: «Kam vendosur të zbres për të parë nëse ata po veprojnë vërtet ashtu si ka ardhur klithma tek unë, dhe nëse jo, kam për ta marrë vesh.» (Zanafilla 18:20, 21) Për njëfarë kohe, Jehovai zgjodhi të mos e dinte deri në ç’masë kishte shkuar ligësia e atyre qyteteve. Prandaj, në mënyrë të ngjashme, Jehovai mund të zgjedhë të mos parashohë gjithçka. (Zanafilla 22:12) Kjo nuk tregon aspak papërsosmëri ose dobësi nga ana e tij. Duke qenë se «e përsosur është vepra e tij», aftësinë për të parashikuar të ardhmen Perëndia e ekuilibron me qëllimin e tij; ai nuk i detyron kurrë njerëzit të ndjekin një drejtim të caktuar. * (Ligji i përtërirë 32:4) Çfarë mund të themi si përfundim? Thjesht këtë: Perëndia tregohet përzgjedhës dhe i matur me aftësinë për t’i ditur që më përpara gjërat.

Pse nuk i mbron Perëndia njerëzit e mirë nga krimet?

A JANË NJERËZIT PËRGJEGJËS?

Një pjesë të fajit për ligësinë e kanë njerëzit. Shiko si e përshkruan Bibla një proces që mund të çojë në veprime të dëmshme. «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin, dhe mëkati, pasi kryhet, sjell vdekjen.» (Jakovi 1:14, 15) Kur njerëzit veprojnë sipas dëshirave të tyre të papërshtatshme ose u dorëzohen nxitjeve të brendshme që janë të forta e të gabuara, do të kenë pasoja. (Romakëve 7:21-23) Siç e tregon historia, njerëzit kanë kryer vepra makabre dhe kanë shkaktuar vuajtje të papërshkrueshme. Për më tepër, të ligjtë mund të ndikojnë për keq te të tjerët, duke bërë kështu që ligësia të mbizotërojë.—Proverbat 1:10-16.

Njerëzit kanë kryer vepra makabre dhe kanë shkaktuar vuajtje të papërshkrueshme

A duhet të ndërhyjë Perëndia dhe t’i parandalojë njerëzit që të mos bëjnë gjëra të këqija? Shqyrto si është krijuar njeriu. Shkrimet thonë se Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, pra, në ngjashmëri me të. Kështu, njerëzit janë të aftë të pasqyrojnë cilësitë e Perëndisë. (Zanafilla 1:26) Ata kanë dhuratën e vullnetit të lirë dhe mund të zgjedhin ta duan Perëndinë dhe t’i qëndrojnë besnikë, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e tij. (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Nëse Perëndia do t’i detyronte njerëzit të ndiqnin një drejtim të caktuar, a nuk do ta bënte kjo të pavlefshme dhuratën e vullnetit të lirë? Për më tepër, njerëzit s’do të ishin gjë tjetër veçse robotë, që do të vepronin sipas programimit. Do të ishte e njëjta gjë nëse fati, ose kismeti, do të diktonte veprimet tona dhe gjithçka që na ndodh. Sa të lumtur jemi që Perëndia na jep dinjitet duke na lejuar ta zgjedhim vetë drejtimin në jetë! Megjithatë, kjo nuk do të thotë se e keqja që vjen nga gabimet njerëzore dhe nga zgjedhjet e këqija, do të vazhdojë ta mundojë pafundësisht njerëzimin.

 A SHKAKTON KARMA VUAJTJE?

Nëse pyetjen e kopertinës së kësaj reviste ia bën një hinduisti ose një budisti, ka të ngjarë që të marrësh këtë përgjigje: «Të këqijat u ndodhin njerëzve të mirë për shkak të ligjit të karmës. Ata po korrin frytet e asaj që kanë bërë në jetën e mëparshme.» *

Në lidhje me mësimin e karmës, ia vlen të përmendet çfarë thotë Bibla për vdekjen. Në kopshtin e Edenit, vendi ku nisi jeta njerëzore, Krijuesi i tha njeriut të parë, Adamit: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:16, 17) Nëse Adami nuk do të kishte mëkatuar duke mos iu bindur Perëndisë, ai do të kishte jetuar përgjithmonë. Vdekja erdhi si ndëshkim për mosbindjen ndaj urdhrit të Perëndisë. Më pas, kur lindën fëmijët, «vdekja u përhap në të gjithë njerëzit». (Romakëve 5:12) Kështu, mund të themi se «paga që paguan mëkati është vdekja». (Romakëve 6:23) Gjithashtu, Bibla shpjegon: «Kush vdes, shfajësohet nga mëkati i vet.» (Romakëve 6:7) Me fjalë të tjera, njerëzit nuk vazhdojnë të paguajnë pas vdekjes për mëkatet e tyre.

Miliona njerëz sot shpjegojnë se problemi i vuajtjeve njerëzore lidhet me karmën. Zakonisht, një besimtar i pranon vuajtjet e tij dhe të të tjerëve, pa u shqetësuar shumë. Gjithsesi, e vërteta është se ky koncept nuk ofron asnjë shpresë që gjërat e këqija të mos ndodhin më. Besohet se i vetmi lehtësim që i ofrohet dikujt, është çlirimi nga ciklet e rilindjes nëpërmjet sjelljes së pranueshme për shoqërinë dhe nëpërmjet njohurisë së veçantë. Sigurisht, këto ide ndryshojnë kryekëput nga ajo që thotë Bibla. *

SHKAKU KRYESOR

A e dije se shkaku kryesor i vuajtjeve është «sundimtari i kësaj bote», Satana Djalli?—Gjoni 14:30

Megjithatë, shkaku kryesor i ligësisë nuk është njeriu. Satana Djalli, i cili në fillim ishte një engjëll besnik i Perëndisë, «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën» dhe solli mëkatin në botë. (Gjoni 8:44) Ai nxiti një rebelim në kopshtin e Edenit. (Zanafilla 3:1-5) Jezu Krishti e identifikoi si «i ligu» dhe «sundimtari i kësaj bote». (Mateu 6:13; Gjoni 14:30) Njerëzimi në përgjithësi e ndjek Satanain duke ia vënë veshin nxitjeve të tij për të mos ecur sipas udhëve të mira të Jehovait. (1 Gjonit 2:15, 16) «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut»,—thuhet te 1 Gjonit 5:19. Ka edhe krijesa të tjera që janë bërë të liga dhe janë bashkuar me Satanain. Bibla tregon se Satanai me demonët e tij ‘po mashtrojnë gjithë tokën e banuar’ dhe po shkaktojnë ‘mjerime në tokë’. (Zbulesa 12:9, 12) Kështu, fajin kryesor për ligësinë e ka Satana Djalli.

Është e qartë, Perëndia nuk është përgjegjës për gjërat e këqija që u ndodhin njerëzve dhe as ua shkakton ai vuajtjet. Përkundrazi, ai ka premtuar se do ta zhdukë ligësinë, siç e tregon edhe artikulli vijues.

^ par. 3 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.

^ par. 11 Për të mësuar pse e lejon ende Perëndia ligësinë, shih kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 16 Për të mësuar origjinën e asaj që quhet ligji i karmës, shih faqet 8-12 të broshurës Çfarë ndodh me ne kur vdesim?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 18 Për të ditur ç’thotë Bibla për gjendjen e të vdekurve dhe për shpresën e tyre, shih kapitullin 6 dhe 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?