Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | ÇFARË MENDON ZOTI PËR LUFTËN?

Pikëpamja e Zotit për luftën sot

Pikëpamja e Zotit për luftën sot

Sot njerëzit po vuajnë nën darën e shtypjes. Shumë i thërrasin Zotit vazhdimisht për ndihmë dhe pyesin veten nëse do t’u vijë ndonjëherë shpëtimi. A i dëgjon Zoti thirrjet e tyre? Ç’të themi për ata që zgjedhin luftën për t’i dhënë fund shtypjes? A i mbështet Zoti përpjekjet e tyre, duke justifikuar luftën?

Lufta e Harmagedonit do t’u japë fund gjithë luftërave

Si fillim, merr zemër nga kjo e vërtetë: Perëndia i sheh vuajtjet anembanë botës sot dhe nuk do të rrijë duarkryq. (Psalmi 72:13, 14) Në Fjalën e tij, në Bibël, premton se ‘atyre që vuajnë shtrëngim do t’u japë lehtësim’. Kur? «Kur të zbulohet nga qielli Zotëria Jezu. Ai do të shfaqet tok me engjëjt e tij të fuqishëm . . . dhe do të sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu.» (2 Selanikasve 1:7, 8) Kjo do të ndodhë në të ardhmen, gjatë asaj që Bibla e quan ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’, që njihet edhe si Harmagedoni.​—Zbulesa 16:14, 16.

Në këtë luftë të ardhshme, Perëndia nuk do të autorizojë njerëzit për të luftuar kundër të ligjve, por Birin e tij, Jezu Krishtin, bashkë me krijesa të tjera të fuqishme frymore. Forcat qiellore do t’i japin fund çdo lloj shtypjeje.​—Isaia 11:4; Zbulesa 19:11-16.

Edhe sot e kësaj dite, pikëpamja e Zotit për luftën s’ka ndryshuar. Ai ende e sheh si mënyrë të përshtatshme për t’i dhënë fund shtypjes e ligësisë. Megjithatë, siç ka ndodhur gjatë gjithë historisë, është Zoti ai që vendos se kur do të bëhet lufta dhe kush do të luftojë. Siç e kemi parë, tashmë Perëndia ka vendosur që lufta për të zhdukur ligësinë e për t’u hakmarrë ndaj shtypësve të bëhet në të ardhmen dhe të drejtohet nga Biri i tij, Jezu Krishti. Kjo do të thotë se luftërat që bëhen sot në tokë nuk bëhen me miratimin e Perëndisë, pavarësisht sa fisnik mund të duket qëllimi i tyre.

Le ta ilustrojmë: imagjino dy vëllezër të vegjël që fillojnë të zihen kur i ati nuk është në shtëpi. Në një moment marrin të atin në telefon. Njëri ankohet se sherrin e nisi i vëllai, kurse tjetri thotë se ai po e ngacmonte. Të dy i luten të atit me shpresën se do të kenë përkrahjen e tij. Gjithsesi, pasi i dëgjon, i ati u thotë të mos zihen më dhe të presin derisa të kthehet në shtëpi për t’i zgjidhur gjërat. Për njëfarë kohe, vëllezërit presin. Por s’kalon shumë dhe zënkat fillojnë sërish. Kur i ati kthehet në shtëpi, nuk është i kënaqur me asnjërin nga djemtë dhe i ndëshkon për mosbindjen.

Në ditët tona kombet e përfshira në luftë, shpesh i luten Zotit të mbajë anën e tyre. Por ai nuk merr anën e askujt në luftërat e sotme. Përkundrazi, në Fjalën e tij, në Bibël, ai thotë: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe» dhe «mos u hakmerrni për veten». (Romakëve 12:17, 19) Për më tepër, e ka bërë të qartë se njerëzimi duhet ‘të presë me qetësi’ derisa ai të veprojë në Harmagedon. (Psalmi 37:7, Bibla ECM) Kur kombet nuk presin që Zoti të veprojë dhe zgjedhin të luftojnë, ai i sheh këto luftëra si veprime arrogante e të dhunshme që i sjellin pakënaqësi. Prandaj në Harmagedon Zoti do të shprehë indinjatën dhe do t’i zgjidhë një herë e mirë mosmarrëveshjet mes kombeve ‘duke pushuar luftërat deri në skaj të dheut’. (Psalmi 46:9; Isaia 34:2) Po, Harmagedoni do të jetë lufta që do t’u japë fund të gjitha luftërave.

Fundi i luftërave është vetëm një nga bekimet e shumta të Mbretërisë së Perëndisë. Jezui e përmendi këtë qeveri kur bëri lutjen e njohur: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Mbretëria e Perëndisë nuk do të zhdukë vetëm luftërat, por edhe rrënjën e saj, ligësinë. * (Psalmi 37:9, 10, 14, 15) Ja pse dishepujt e Jezuit i presin me padurim bekimet e Mbretërisë së Perëndisë.​—2 Pjetrit 3:13.

Po sa duhet të presim që Mbretëria e Perëndisë t’u japë fund gjithë vuajtjeve, shtypjes e ligësisë? Plotësimi i profecive biblike tregon se po jetojmë në «ditët e fundit» të këtij sistemi. (2 Timoteut 3:1-5) * Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do t’u japë fund këtyre ditëve të fundit me anë të luftës së Harmagedonit.

Siç u shpjegua më lart, ata që do të humbin jetën në këtë luftë përfundimtare do të jenë ata që nuk «i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë Jezu». (2 Selanikasve 1:8) Por, le të mos harrojmë se Zoti nuk kënaqet me vdekjen e askujt, as me vdekjen e të ligjve. (Ezekieli 33:11) Ngaqë ai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë» në këtë luftë të fundit, po merr masa në ditët e sotme që lajmi i mirë për Zotërinë Jezu «të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet» para se të vijë fundi. (2 Pjetrit 3:8, 9; Mateu 24:14; 1 Timoteut 2:3, 4) Po, me anë të veprës globale të predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait, njerëzve po u jepet mundësia të njohin Zotin, t’i vënë veshin lajmit të mirë për Jezuin dhe të shohin me sytë e tyre ditën kur nuk do të ketë më luftëra.

^ par. 9 Mbretëria e Perëndisë do të eliminojë edhe armikun e njerëzimit, vdekjen. Siç e shpjegon edhe artikulli «Përgjigje për pyetje biblike», Zoti do të ringjallë shumë e shumë njerëz, mjaft prej të cilëve kanë qenë viktima lufte gjatë gjithë historisë.

^ par. 10 Për më shumë informacion për ditët e fundit, shih kapitullin 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.