Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Paragjykimet—A je infektuar

Paragjykimet—A je infektuar

Paragjykimet janë si një virus që dëmton personin e infektuar, dhe ai mund të mos e dijë që është prekur.

Njerëzit mund të kenë paragjykime jo vetëm ndaj njerëzve të një kombi, race, fisi ose gjuhe tjetër, por edhe ndaj njerëzve të një feje, gjinie a të një klase sociale tjetër. Disa i shohin me sy të shtrembër njerëzit në bazë të moshës, arsimimit, paaftësive fizike ose pamjes dhe, prapëseprapë, mendojnë se nuk janë paragjykues.

A mund të jesh ti i infektuar nga paragjykimet? Shumë prej nesh i dallojnë paragjykimet te të tjerët. Ama mund të jetë e vështirë t’i vëmë re te vetja. Realiteti është që deri diku të gjithë ne paragjykojmë. Profesori i sociologjisë Dejvid Uilliams thotë se, kur njerëzit mendojnë negativisht për një grup e më pas takojnë dikë nga ai grup, «e trajtojnë ndryshe nga të tjerët dhe as që janë të vetëdijshëm për këtë».

Për shembull, në vendin ku jeton Jovica, në Ballkan, ka një grup minoritar. Ai pranon: «Mendoja se asnjë njeri i atij grupi s’mund të ishte i mirë, e nuk e kuptoja që kisha paragjykime. Në fund të fundit për mua ky ishte thjesht një fakt.»

Shumë qeveri nxjerrin ligje kundër racizmit dhe formave të ndryshme të paragjykimit. Gjithsesi paragjykimet nuk janë zhdukur. Pse? Sepse ligjet përqendrohen vetëm te veprimet. Ato s’kanë se si t’i kontrollojnë mendimet dhe ndjenjat. E paragjykimet nisin pikërisht në mendjen e në zemrën tonë. A është lufta kundër paragjykimeve një betejë e humbur? A ka shërim kundër paragjykimeve?

Artikujt vijues do të trajtojnë 5 parime që kanë ndihmuar mjaft veta të luftojnë paragjykimet që në zanafillë, në mendje e në zemër.