Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Feja: Thjesht një biznes gjigant?

Feja: Thjesht një biznes gjigant?

 A e ke vënë re se shumë fe duket se janë më të përqendruara për të bërë pará, sesa për t’i ndihmuar njerëzit që t’i afrohen Perëndisë? Ato reklamojnë dhe shesin si shërbimet fetare, ashtu edhe mallrat e tyre. Shumë nga udhëheqësit e tyre kanë rroga marramendëse dhe jetojnë në luks. Të shqyrtojmë disa shembuj:

  •   Gjatë një hetimi u zbulua se për 13 vjet një peshkop katolik përdori fondet e kishës që të paguante afërsisht 150 fluturime me avionë privatë dhe rreth 200 udhëtime me limuzinë. Gjithashtu shpenzoi mbi 4 milionë dollarë që të rinovonte rezidencën e tij që ishte pronë e kishës.

  •   Një predikues në një vend të Afrikës mban rregullisht shërbesa fetare me dhjetëra mijë të pranishëm. Në kompleksin e stërmadh të kishës së tij shiten lloj-lloj mallrash—duke filluar nga «vajrat mrekullibërës» deri te peshqirët dhe bluzat me fotografinë e tij. Shumica e atyre që e dëgjojnë, janë të varfër, kurse ai është i krimbur në pará.

  •   Dy nga katër malet e shenjta budiste në Kinë janë regjistruar si kompani publike, aksionet e të cilave janë vënë në dispozicion për publikun. Tempulli i famshëm Shaolin është përfshirë në shumë projekte biznesesh. Në fakt, murgu i tij kryesor njihet gjerësisht si «murgu menaxher».

  •   Bizneset në të gjithë Amerikën po punësojnë këshilltarë që të shpikin rite fetare dhe që t’u sigurojnë punëtorëve të tyre udhëheqje fetare.

 Si ndihesh kur sheh që fetë janë zhytur kokë e këmbë në biznes? A ke menduar ndonjëherë cila është pikëpamja e Perëndisë për ata njerëz që përpiqen të përfitojnë financiarisht nga veprimtaritë fetare?

Çfarë mendon Perëndia për përzierjen e fesë me biznesin?

 Perëndia nuk e miraton përzierjen e fesë me biznesin. Bibla tregon se në të shkuarën, Ai nuk ishte fare i kënaqur me priftërinjtë që pretendonin se e përfaqësonin dhe ndërkohë i mësonin njerëzit «me pagesë». (Mikea 3:11) Perëndia i dënoi njerëzit që me praktikat e tyre tregtare lakmitare e kishin kthyer vendin e tij të adhurimit në një «shpellë kusarësh».—Jeremia 7:11.

 Njësoj si Perëndia, edhe Jezui tregoi se ndiente neveri për ata që e përdornin fenë për përfitime financiare. Në ditët e tij, krerët fetarë përfitonin nga tregtarët lakmitarë, të cilët i kishin lejuar të merreshin me tregti brenda tempullit të Jerusalemit. Ata i shfrytëzonin njerëzit e sinqertë që vinin në tempull për të adhuruar Perëndinë. Plot guxim, Jezui i flaku nga zona e tempullit këta tregtarë hajdutë dhe u tha: «Mos e bëni më shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!»—Gjoni 2:14-16.

 Gjithashtu, Jezui pasqyroi pikëpamjen e Perëndisë në shërbimin e tij. (Gjoni 8:28, 29) Jezui kurrë nuk kërkoi pará kur i mësoi njerëzit për Perëndinë, as kur kreu vepra të mrekullueshme, si për shembull, kur ushqeu të uriturit, kur shëroi të sëmurët dhe kur ringjalli të vdekurit. Asnjëherë nuk e përdori shërbimin për të grumbulluar pasuri—madje s’pati kurrë një shtëpi të vetën.—Luka 9:58.

Si arritën të krishterët në shekullin e parë të mos e përzienin adhurimin me biznesin?

 Jezui i udhëzoi dishepujt e tij që në asnjë rast të mos kërkonin përfitime financiare për aktivitetet fetare. Ai tha: «Falas morët, falas jepni.» (Mateu 10:8) Ata dishepuj të hershëm, që më vonë u njohën si të krishterë, i ndoqën me kujdes udhëzimet e Jezuit. Le të shohim disa shembuj:

  •   Një burrë me emrin Simon kërkonte pozitë dhe autoritet, prandaj i ofroi pará Pjetrit, një apostulli që e shoqëroi Jezuin gjatë shërbimit të tij. Pjetri e hodhi poshtë menjëherë ofertën e Simonit dhe e korrigjoi me vendosmëri, duke i thënë: «Argjendi yt marrtë fund bashkë me ty, se mendove që mund ta blije me pará dhuratën e Perëndisë!»—Veprat 8:18-20.

  •   Apostulli Pavël ishte një shërbëtor udhëtues shumë i njohur. Edhe pse shërbeu fort për vite me radhë në shumë kongregacione të krishtere, ai nuk kërkoi kurrë pará për këto shërbime. Ai dhe të krishterët e tjerë nuk ishin ‘shitës ambulantë të fjalës së Perëndisë, siç ishin shumë njerëz’. (2 Korintasve 2:17) Përkundrazi shkroi: «Ne punuam natë e ditë që të mos i bëheshim barrë e rëndë askujt prej jush teksa ju predikonim lajmin e mirë të Perëndisë.»—1 Selanikasve 2:9.

 Sigurisht, të krishterët e hershëm kishin nevojë për disa të ardhura që të mbulonin shpenzimet për fushatat e mëdha të predikimit, si dhe për veprat e bamirësisë. Por asnjëherë nuk kërkuan pará për shërbimet e tyre fetare. Njerëzit mund të kontribuonin, në qoftë se kishin dëshirë, duke ndjekur këto udhëzime:

  •   2 Korintasve 8:12: «Sepse Perëndia është veçanërisht i kënaqur kur japim me gatishmëri, me aq sa kemi, dhe jo me atë që nuk kemi.»

     Kuptimi: Motivi i një personi është shumë më i rëndësishëm se sasia e kontributit që ofron.

  •   2 Korintasve 9:7: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me gjysmë zemre a me detyrim, sepse Perëndia i do ata që japin me gëzim.»

     Kuptimi: Perëndia nuk do që të japim me detyrim. Ai kënaqet kur japim me dëshirë.

Çfarë do të ndodhë së shpejti me fetë lakmitare?

 Bibla e thotë qartë se Zoti nuk i pranon të gjitha fetë ose format e adhurimit. (Mateu 7:21-23) Në një profeci mbresëlënëse, Bibla i krahason të gjitha organizatat e rreme fetare me një prostitutë, sepse ato lidhin aleanca me qeveritë për pará ose për favore të tjera, si edhe i zhvatin njerëzit nga të gjitha kombet. (Zbulesa 17:1-3; 18:3) Profecia thotë edhe se së shpejti Perëndia do të ekzekutojë gjykimin mbi fenë e rreme.—Zbulesa 17:15-17; 18:7.

 Ndërkohë, Perëndia nuk do që për shkak të veprimeve të këqija të fesë së rreme, njerëzit të mashtrohen ose të largohen prej tij. (Mateu 24:11, 12) Ai i nxit njerëzit e sinqertë që të mësojnë si t’i shërbejnë atij në mënyrë të pranueshme dhe të heqin dorë nga feja e rreme.—2 Korintasve 6:16, 17.