Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpresë e sigurt për një të ardhme më të mirë

Shpresë e sigurt për një të ardhme më të mirë

 A je optimist për të ardhmen? Shumë njerëz përpiqen të jenë pozitivë, pavarësisht nga problemet serioze me të cilat po përballen sot. A është realiste të presim që gjërat të përmirësohen? Po. Bibla na jep një shpresë të sigurt për një të ardhme më të mirë.

 Cilën shpresë jep Bibla?

 Bibla pranon se njerëzimi po përballet me probleme të jashtëzakonshme. Gjithsesi premton që kjo situatë nuk do të zgjatë përgjithmonë. Ja disa nga problemet:

  •   Problemi: Mungesa e strehimit

     Bibla thotë: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të jetojnë në to.»—Isaia 65:21.

     Në të ardhmen: Njerëzit do të kenë shtëpitë e tyre.

  •   Problemi: Papunësia dhe varfëria

     Bibla thotë: «Të zgjedhurit e mi do të kënaqen plotësisht me veprën e duarve të tyre.»—Isaia 65:22.

     Në të ardhmen: Të gjithë njerëzit do të kenë një punë të kënaqshme, domethënëse dhe shpërblyese.

  •   Problemi: Padrejtësitë

     Bibla thotë: «Princat do të qeverisin për të siguruar drejtësinë.»—Isaia 32:1.

     Në të ardhmen: Asnjë person nuk do të trajtohet padrejtësisht për shkak të racës, të pozitës shoqërore ose të gjendjes ekonomike. Të gjithë do të trajtohen njësoj.

  •   Problemi: Kequshqyerja dhe uria

     Bibla thotë: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk e në majat e maleve drithi do të vërshojë.»—Psalmi 72:16.

     Në të ardhmen: Do të ketë ushqim të shëndetshëm me bollëk për të gjithë. Askush nuk do të flejë i uritur e as do të vuajë nga kequshqyerja.

  •   Problemi: Krimi dhe dhuna

     Bibla thotë: «Secili do të ulet nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë.»—Mikea 4:4.

     Në të ardhmen: Të gjithë do të ndihen të sigurt, sepse njerëzit e ligj do të shkatërrohen dhe «të drejtët do të trashëgojnë tokën».—Psalmi 37:10, 29.

  •   Problemi: Luftërat

     Bibla thotë: «Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, as do të mësojnë më të luftojnë.»—Isaia 2:4.

     Në të ardhmen: Në mbarë tokën do të mbizotërojë paqja. (Psalmi 72:7) Askush nuk do të vajtojë më për një njeri të dashur që i ka vdekur në luftë, madje as ka për ta braktisur vendin e tij për shkak të konflikteve të armatosura.

  •   Problemi: Sëmundjet

     Bibla thotë: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24.

     Në të ardhmen: Njerëzit nuk do të vuajnë më nga paaftësitë fizike dhe nuk do të sëmuren. (Isaia 35:5, 6) Madje, Bibla premton se «nuk do të ketë më vdekje».—Zbulesa 21:4.

  •   Problemi: Dëmi ndaj mjedisit

     Bibla thotë: «Shkretëtira dhe vendet e thata do të ngazëllojnë. Rrafshina e shkretë do të gëzojë dhe do të lulëzojë si shafrani.»—Isaia 35:1.

     Në të ardhmen: E gjithë toka do të kthehet në parajsë që të banojnë njerëzit, siç e kishte për qëllim Perëndia që në fillim.—Zanafilla 2:15; Isaia 45:18.

 Shumë e bukur për të qenë e vërtetë?!

 Është normale që mund të duket kështu. Gjithsesi të nxisim të shqyrtosh më tej çfarë thotë Bibla për të ardhmen. Pse? Premtimet që gjenden në Bibël, janë krejt ndryshe nga premtimet dhe parashikimet e njerëzve. Premtimet e Biblës janë nga Perëndia. Ky është një ndryshim shumë i madh. Pse e themi këtë?

  •   Perëndia është i besueshëm. Bibla thotë se Perëndia «nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Gjithashtu, vetëm Ai ka aftësinë për të parathënë të ardhmen. (Isaia 46:10) Bibla përmban plot shembuj që vërtetojnë se ajo që parathotë Perëndia, del gjithmonë e vërtetë. Për më shumë informacion, shih videon Si të jemi të sigurt se Bibla është e besueshme?

  •   Perëndia ka fuqinë për të zgjidhur problemet tona. Bibla thotë se Perëndia ka fuqinë të bëjë «gjithçka që i pëlqen». (Psalmi 135:5, 6) Me fjalë të tjera, asgjë nuk e ndalon dot të përmbushë premtimet e tij. Ç’është më e rëndësishmja, Ai na do, prandaj edhe dëshiron që të na ndihmojë.—Gjoni 3:16.

 Mirëpo, ndoshta vret mendjen: «Nëse Perëndia do që të na ndihmojë dhe ka fuqinë për ta bërë këtë, pse kemi akoma kaq shumë probleme?» Që të marrësh përgjigjen, shih videon Pse i lejon Perëndia vuajtjet?

 Si do të realizohet kjo shpresë?

 Perëndia do të përdorë Mbretërinë e tij, një qeveri qiellore, për të përmbushur premtimet. Ai ka caktuar Jezu Krishtin si Mbret të kësaj Mbretërie dhe i ka dhënë autoritet të kujdeset për tokën dhe për njerëzit. Kur ishte në tokë, Jezui shëroi të sëmurët, ushqeu të uriturit, mbajti nën kontroll motin e madje ringjalli të vdekurit. (Marku 4:39; 6:41-44; Luka 4:40; Gjoni 11:43, 44) Me këto vepra tregoi se çfarë do të bënte si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë.

 Për të mësuar me tepër se si të nxjerrësh dobi nga kjo Mbretëri, shih videon Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

 Kur do të realizohet kjo shpresë?

 Shumë shpejt. Pse mund të jemi të sigurt? Bibla parathotë disa ngjarje që sinjalizojnë se së shpejti Mbretëria e Perëndisë do të fillojë të mbretërojë në tokë. (Luka 21:10, 11) Kushtet e sotme përputhen plotësisht me atë që parathotë Bibla.

 Për më shumë informacion, lexo artikullin «Kur do ta qeverisë tokën Mbretëria e Perëndisë?»

 Si mund të na ndihmojë që tani shpresa që jep Bibla?

 Një shkrimtar i Biblës e quajti shpresën që jep Fjala e Perëndisë «spirancë për shpirtin». (Hebrenjve 6:19) Tamam si një spirancë që e mban të palëkundur një anije gjatë stuhisë, shpresa e sigurt që jep Bibla për të ardhmen na ndihmon të përballojmë problemet që hasim sot. Kjo shpresë na jep stabilitet emocional dhe mendor, e madje ndikon për mirë te shëndeti ynë.—1 Selanikasve 5:8.