Kalo te përmbajtja

Albumi i tretë me foto nga Britania (shtator 2016-shkurt 2017)

Albumi i tretë me foto nga Britania (shtator 2016-shkurt 2017)

Shih sa ka përparuar ndërtimi i zyrës së re të degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Britani gjatë periudhës shtator 2016-shkurt 2017.

13 shtator 2016—Vendi i degës së re

Një ekskavator ngarkon me dhé një kamion vetëshkarkues. Dheun e gërmuan dhe e transportuan në një zonë tjetër, që vendi të bëhej gati për ndërtimin.

15 shtator 2016—Kantieri mbështetës

Pjesëtare të Repartit Elektrik duke fiksuar kabllo që do të përdoren për transmetimin e të dhënave. Kjo godinë do të shërbejë përkohësisht si zyrë dhe si sallë ngrënieje gjatë ndërtimit të godinave të reja të degës, që do të ndërtohen aty afër.

19 shtator 2016—Vendi i degës së re

Pamje nga lart e rrethrrotullimit të ri në fazën fillestare dhe e rrugës hyrëse për në degë. Në të majtë të rrethrrotullimit po bëhet një kopsht dhe një liqen i vogël, me pamje të bukur për banorët vendës dhe për vizitorët.

3 nëntor 2016—Vendi i degës së re

Betoni i hequr nga kantieri, thërrmohet dhe përdoret sërish për të ndërtuar rrugë brenda zonës së ndërtimit.

4 nëntor 2016—Vendi i degës së re

Në plan të parë duken punëtorë që ndërtojnë rrugë të përkohshme dhe të përhershme. Ata përdorin topa me membranë gjeotekstili të bardhë, një lloj materiali i depërtueshëm që e bën rrugën të qëndrueshme. Në të djathtë të fotos duket një rrul që sheshon rrugën para se të shtrohet kjo membranë.

5 nëntor 2016—Mbledhja rajonale për transferimin e degës

Vullnetarët informohen në një nga 18 mbledhjet rajonale që organizoi në Britani dhe Irlandë Komiteti i Projektit të Ndërtimit. Në to morën pjesë mbi 15.000 Dëshmitarë dhe shumë nga të pranishmit dolën vullnetarë për t’u përfshirë në këtë projekt.

28 nëntor 2016—Vendi i degës së re

Vullnetare duke plehëruar një shelg të bardhë të sapombjellë. Kjo është një nga më se 700 pemët e mbjella atje. Liqeni i vogël u bë që të minimizohen përmbytjet nga stuhitë e mëdha, pasi ai grumbullon ujin nga shirat dhe e zbraz në një masë të kontrolluar.

5 dhjetor 2016—Vendi i degës së re

Në një ditë me mjegull intensifikohet puna e heqjes së dheut teksa nis faza finale për nivelimin e duhur të terrenit. Kontraktuesit kanë hequr gjithsej rreth 160.000 metër kub material​—aq sa për të mbushur më tepër se 10.000 nga këta kamionë vetëshkarkues.

6 dhjetor 2016—Vendi i degës së re

Skuadra e sistemimit të ambientit përgatit tokën për mbjelljen e një gardhi me shkurre në kufi të kopshtit ku ka bimë të zonës. Në këtë kopsht dhe në zonën përreth janë mbjellë 11 lloje pemësh dhe 16 lloje bimësh, të gjitha tipike të zonës.

19 dhjetor 2016—Godinat e banimit

Në të majtë, një makineri shpimi bën një vrimë për kolonat e themelit. Fillimisht, një sondë në formë turjele shpon tokën. Më pas, betoni pompohet nëpër tubin e sondës teksa ajo nxirret nga toka. Në fund, siç shihet në qendër të fotos, kontraktuesit vënë një skelet hekuri në betonin e derdhur, për të përfunduar themelin. Për themelin e godinave të banimit janë bërë mbi 360 kolona nëntokësore.

29 dhjetor 2016—Vendi i degës së re

Në një mëngjes të acartë një hidraulik monton tubat e ujit që do të furnizojnë zyrat e përkohshme.

16 janar 2017—Vendi i degës së re

Një ekskavator amfib heq baltë dhe mbeturina nga një rezervuar brenda perimetrit të kantierit. Disa nga këta rezervuarë ishin në gjendje të mjerueshme dhe duheshin rregulluar. Rregullimet e pjesëve të tyre anësore do t’i mbrojnë nga erozioni dhe do të zvogëlojnë rrezikun e përmbytjeve. Para se të niste puna, më tepër se 2.500 peshq i zhvendosën me kujdes në rezervuarë të tjerë të kantierit.

17 janar 2017—Godinat e banimit

Pamje nga lart nga pjesa lindore e kantierit. Në plan të parë shihen punimet për hedhjen e themeleve të dy godinave të banimit. Në të djathtë poshtë shihen majat e kolonave të themelit. Në të majtë poshtë janë derdhur bazamente prej betoni mbi kolonat nëntokësore. Në qendër, një makineri shpimi vazhdon të hapë vrima për kolonat e themelit.

23 janar 2017—Kantieri mbështetës

Një vullnetare duke izoluar kornizën e një dere në Qendrën e Vizitorëve, para se të lyhet. Këtu, vizitorët do të shohin një ekspozitë që tregon hollësi të projektit dhe, nga një platformë e lartë, do të vërejnë sa ka përparuar ndërtimi.

14 shkurt 2017—Godinat e banimit

Ngrihet dhe montohet bazamenti rrotullues i një vinçi-kullë. Ky vinç rreth 40 metra i lartë, mund të ngrejë pesha deri në 16 tonë.

15 shkurt 2017—Godinat e banimit

Pritet pjesa e sipërme e kolonave nëntokësore që të jenë në nivelin e duhur. Skeleti i hekurit i çdo kolone do të bashkohet me bazamentin e betonit që do të hidhet përsipër.

17 shkurt 2017—Vendi i degës së re

Elektricistët vënë njërën nga dy tabelat me logon JW.ORG në muret e veshura me pllaka guri, në të dyja anët e hyrjes për në pronën e degës.

17 shkurt 2017—Vendi i degës së re

Pamje nga lart e rrethrrotullimit të përfunduar para hyrjes kryesore, në një ditë me trafik. Në të majtë lart shihen tabelat e sapovëna JW.ORG që identifikojnë pronën e degës. Kur të përfundohet liqeni i vogël dhe kopshti me bimët tipike të zonës, hyrja do të bëhet më e hijshme.

24 shkurt 2017—Godinat e banimit

Vinçi-kullë me një rreze prej 65 metrash arrin ta mbulojë gjithë zonën ku do të ndërtohen katër nga pesë godinat e banimit. Në plan të parë kontraktuesit po hedhin një shtresë të trashë betoni për parkingun e një godine banimi. Skeletet përforcuese të hekurit janë gati për kolonat dhe muret mbështetëse të ndërtesës.