Kalo te përmbajtja

Mbrohet fauna e egër në Çelmsford

Mbrohet fauna e egër në Çelmsford

Dëshmitarët e Jehovait në Britani kanë nisur të ndërtojnë zyrën e re të degës pranë Çelmsfordit, në kontenë e Eseksit. Në këtë zonë panoramike jetojnë disa lloje gjallesash të egra që në Mbretërinë e Bashkuar mbrohen nga ligji për botën e egër shtazore dhe për zonat rurale, i miratuar më 1981. Si po e zbatojnë Dëshmitarët e Jehovait këtë ligj gjatë ndërtimit dhe si po i mbrojnë këto specie?

Duke ndërtuar një urë për gjumashin e lajthisë

Me dru të ricikluar nga vendi i ndërtimit, Dëshmitarët bënë kuti të vogla në formë foleje për ta mbajtur larg kantierit gjumashin e lajthisë. Për të mos e shkëputur nga habitati i tij, ndërtuan edhe një urë të veçantë për këtë lloj miu mbi rrugën e re hyrëse. Për më tepër, për dobinë e kësaj specieje, Dëshmitarët po ndjekin një program për mirëmbajtjen e pemëve e të shkurrnajës. Çdo vit pritet një pjesë e tyre gjatë gjumit letargjik të gjumashit të lajthisë. Në këtë mënyrë ai nuk bezdiset, mbrohet habitati i tij dhe ka gjithmonë burime të ndryshme ushqimi në kantier.

Duke vënë kuti-fole për gjumashin e lajthisë

Dëshmitarët po mbrojnë edhe gjarpërinjtë e barit, hardhucat e zakonshme dhe disa lloje të vogla hardhucash pa gjymtyrë që quhen kakëzogëza. Ekologjistët i mblodhën këta zvarranikë poshtë strehëve të përkohshme me tjegulla, dhe më pas i çuan në një zonë të sigurt, larg kantierit. Habitati i ri i zvarranikëve përfshin dhoma për gjumin letargjik dhe një gardh të veçantë që i pengon të kalojnë. Dëshmitarët e kontrollojnë rregullisht gardhin për t’u siguruar që zvarranikët të mos hyjnë brenda kantierit të ndërtimit e të mos dëmtohen.

Gjumashi i lajthisë

Në kantier përdoren disa llamba LED me sensorë për të mos penguar aktivitetin e lakuriqëve të natës. Këto llamba ndizen vetëm kur ka lëvizje mjetesh, që lakuriqët e natës të rrinë sa më shumë në errësirë. Ngaqë ata shpesh kërkojnë ushqim gjatë natës në shkurrnajat përreth kantierit, do të pritet vetëm një pjesë e vogël e tyre, si edhe do të mbillen mbi dy kilometra e gjysmë shkurrnaja të reja. Ishte e pamundur të mos priteshin disa pemë nga kantieri, prandaj punëtorët vunë disa kuti për lakuriqët e natës për të kompensuar foletë që mund të ishin prishur.

Duke vënë kuti për lakuriqët e natës

Dëshmitarët po i mbrojnë disa pemë të çmuara​—që njihen si pemë veterane—​duke mos kaluar me mjetet e ndërtimit në zonat ku ato shtrijnë rrënjët. Këto pemë veterane janë habitati i shumë specieve të jovertebrorëve, të lakuriqëve të natës dhe të zogjve. Të gjitha këto tregojnë se Dëshmitarët janë të vendosur ta mbrojnë faunën e egër në Çelmsford.