Kalo te përmbajtja

A kanë rregulla Dëshmitarët e Jehovait për rastet kur një djalë dhe një vajzë nisin një lidhje?

A kanë rregulla Dëshmitarët e Jehovait për rastet kur një djalë dhe një vajzë nisin një lidhje?

 Dëshmitarët e Jehovait besojnë se parimet dhe urdhrat e Biblës na ndihmojnë të marrim vendime të pëlqyeshme për Perëndinë dhe të dobishme për ne. (Isaia 48:17, 18) Këto parime e urdhra nuk i kemi nxjerrë ne, e megjithatë i zbatojmë në jetë. Le të shohim si zbatohen disa prej tyre për lidhjet romantike. a

  •   Martesa është një lidhje e përhershme. (Mateu 19:6) Dëshmitarët e Jehovait, e shohin lidhjen mes një djali e një vajze si një hap drejt martesës, ndaj e marrin seriozisht.

  •   Vetëm ata që janë në moshë për t’u martuar, domethënë që e ‘kanë kaluar lulen e rinisë’, ose periudhën kur dëshirat seksuale janë më të forta se kurrë, mund të nisin një lidhje.​—1 Korintasve 7:​36.

  •   Ata që duan të lidhen me dikë duhet të jenë të lirë për t’u martuar. Disa që janë divorcuar ligjërisht, në sytë e Perëndisë nuk janë të lirë për t’u rimartuar, pasi e vetmja bazë e vlefshme për divorc sipas standardit të tij është imoraliteti seksual.​—Mateu 19:9.

  •   Të krishterët që duan të martohen, urdhërohen ta zgjedhin bashkëshortin vetëm mes bashkëbesimtarëve. (1 Korintasve 7:​39) Për Dëshmitarët e Jehovait, ky urdhër nuk u referohet thjesht atyre që i respektojnë bindjet tona, por atyre që i besojnë e i zbatojnë këto bindje si Dëshmitarë të pagëzuar. (2 Korintasve 6:​14) Perëndia i ka udhëzuar gjithmonë adhuruesit e tij të martohen vetëm me ata që kanë të njëjtin besim. (Zanafilla 24:3; Malakia 2:​11) Ky urdhër është edhe praktik, siç kanë zbuluar studiuesit e kohëve tona. b

  •   Fëmijët duhet t’u binden prindërve. (Proverbat 1:8; Kolosianëve 3:​20) Për fëmijët që jetojnë me prindërit, ky urdhër përfshin t’u binden vendimeve të prindërve për shoqërimin me dikë të seksit tjetër. Këto vendime mund të përfshijnë moshën kur djali a vajza mund të fillojë një lidhje dhe aktivitetet e lejuara gjatë lidhjes.

  •   Falë parimeve që japin Shkrimet, Dëshmitarët zgjedhin vetë nëse do të fillojnë një lidhje dhe me kë do të lidhen. Kjo është në përputhje me parimin: «Secili do të mbajë ngarkesën e vet.» (Galatasve 6:5) Megjithatë, shumë veta tregohen të mençur dhe kërkojnë këshilla nga Dëshmitarë të pjekur që u duan të mirën.​—Proverbat 1:5.

  •   Mjaft sjellje që ndodhin rëndom gjatë takimeve mes dy personave që janë lidhur, në fakt janë mëkate të rënda. Për shembull, Bibla urdhëron të mos kryejmë imoralitet seksual. Këtu futen jo vetëm marrëdhëniet seksuale, por edhe veprimet e papastra mes të pamartuarve, si përkëdhelja e organeve gjenitale të tjetrit dhe seksi oral e anal. (1 Korintasve 6:​9-​11) Edhe sjellja epshndjellëse para martese, ndonëse mund të mos përfundojë në imoralitet seksual, është ‘ndyrësi’ dhe nuk i pëlqen Perëndisë. (Galatasve 5:​19-​21) Bibla dënon edhe bisedat imorale ku përdoret ‘të folurit e ndyrë’.​—Kolosianëve 3:8.

  •   Zemra, ose njeriu i brendshëm, është e pabesë. (Jeremia 17:9) Ajo mund ta shtyjë dikë të bëjë gjëra që e di se janë të gabuara. Që zemra të mos i mashtrojë, çiftet e dashuruara duhet të bëjnë kujdes që të mos jenë vetëm për vetëm në rrethana tunduese. Mund të tregojnë kujdes të arsyeshëm, si për shembull duke ndenjur në shoqërinë e një grupi me norma të larta morale ose të një shoqëruesi të përshtatshëm. (Proverbat 28:26) Të krishterët beqarë që kërkojnë bashkëshort e kuptojnë rrezikun e siteve të internetit ku kërkohen partnerë, sidomos kur bëhet fjalë për t’u lidhur me dikë që e njohin fare pak.​—Psalmi 26:4.

a Shoqërimi para martese është normal në disa kultura, por jo në disa të tjera. Bibla nuk thotë se duhet patjetër të shoqërohesh për t’u njohur para martese apo se kjo është e vetmja rrugë që çon në martesë.

b Për shembull, një artikull në revistën Marriage & Family Review thoshte se «tri studime të bazuara në karakteristikat e martesave të qëndrueshme kanë treguar se prirjet fetare, besimi fetar dhe bindjet fetare të përbashkëta janë faktorë kyç të martesave që zgjasin (25 deri mbi 50 vjet)».​—Vëllimi 38, numri 1, faqja 88 (2005).