Kalo te përmbajtja

Vëllezërit e motrat duke marrë pjesë në forma të ndryshme shërbimi në Botsvanë

19 SHKURT 2024
BOTSVANË

50 vjet liri fetare në Botsvanë

50 vjet liri fetare në Botsvanë

Data 20 shkurt 2024 shënon 50-vjetorin e njohjes ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait në Botsvanë. Para se qeveria të jepte këtë status ligjor në vitin 1974, vëllezërit tanë në Botsvanë përballuan periudha të ndryshme kur vepra jonë ishte e kufizuar, e madje një periudhë kur ishte nën ndalim.

Vëllezër e motra të mbledhur për një fotografi në një asamble qarkore në Mahalapi, Botsvanë, më 1965

Lajmi i mirë për Mbretërinë filloi të predikohej në Botsvanë, që më parë njihej si Beçuanalend, në vitin 1929. Megjithatë, për shkak të situatës së tensionuar politike gjatë Luftës II Botërore, më 1941 qeveria e Botsvanës vendosi kufizime për veprën tonë dhe për shpërndarjen e botimeve të bazuara në Bibël. Kur këto kufizime u hoqën në vitin 1959, Dëshmitarët e Jehovait vazhduan aktivitet e tyre pa shumë vështirësi.

Në vitin 1972, një ligj i ri kërkonte që të gjitha organizatat në Botsvanë të regjistroheshin zyrtarisht. Megjithatë, kur vëllezërit u përpoqën të vepronin në përputhje me ligjin, kërkesa e tyre nuk u miratua, dhe qeveria u dha vetëm 20 ditë për të ndaluar të gjitha aktivitetet fetare. Dëshmitarët e Jehovait në Botsvanë u ndaluan. Kushdo që kapej duke marrë pjesë në shërbim ose në mbledhje mund të dënohej me deri 7 vjet burg. Megjithatë, vëllezërit vazhduan të mblidheshin fshehurazi. Për shembull, ndonjëherë mbledhjet mbaheshin në vende të thella e të izoluara. Duke kujtuar atë kohë, vëlla Tomi Marupingu tha: «Edhe pse ishim nën ndalim, ishim më të vendosur se kurrë më parë për të vazhduar në predikim e për të mos lënë mbledhjet. Kishim besim se Jehovai do të na mbështeste, dhe ashtu ka bërë gjithmonë.»

Pjesëmarrësit në Kongresin Rajonal 2023 «Prisni me durim!» në Gaberone, Botsvanë

Më 20 shkurt 1974, qeveria anuloi vendimin e ndalimit, dhe Dëshmitarët e Jehovait patën mundësi të regjistroheshin zyrtarisht si një organizatë fetare. Sot, në Botsvanë ka gati 2.400 lajmëtarë në 42 kongregacione. Aktualisht, mbledhjet mbahen në gjuhët angleze, botsvaniane të shenjave, kalange (Botsvanë), setsvane dhe shone. Vëlla Hju Kormekani, që filloi të shërbente si misionar në Botsvanë pak pasi u hoq ndalimi, tha: «Deri më sot, besimi i motrave dhe i vëllezërve vazhdon të rritet e të bëhet akoma më i fortë. Fakti që mund ta adhurojmë Jehovain së bashku lirisht në mbledhje, asamble dhe kongrese, na ndihmon të shijojmë unitetin e vërtetë që gëzon populli i Jehovait.»

Qëndrueshmëria që kanë treguar vëllezërit e motrat në Botsvanë është provë e qartë se Jehovai do të bekojë gjithmonë përpjekjet e shërbëtorëve të tij besnikë ‘për të zbatuar urdhërimet e tij’.—1 Gjonit 5:3.