Kalo te përmbajtja

Majtas: vëlla Volfram Slupina duke treguar një veshje që mbanin Dëshmitarët e Jehovait në kampet e përqendrimit. Djathtas: pllaka përkujtimore në kampin e Flosenbërgut

17 MAJ 2023
GJERMANI

Përurohet pllaka përkujtimore në nder të Dëshmitarëve të Jehovait në Flosenbërg

Përurohet pllaka përkujtimore në nder të Dëshmitarëve të Jehovait në Flosenbërg

Më 22 prill 2023, Qendra Memoriale e Kampit të Përqendrimit të Flosenbërgut në Bavari, Gjermani, përuroi një pllakë në kujtim të Dëshmitarëve të Jehovait që vdiqën ndërsa ishin të burgosur aty. Flosenbërgu është qendra memoriale e nëntë që i nderon Dëshmitarët e Jehovait me një pllakë përkujtimore.

Në Flosenbërg dhe në kampet përreth kanë qenë të burgosur mbi 100 Dëshmitarë të Jehovait. Ceremoninë e ndoqën disa prej familjarëve të tyre. Një vëlla, i pranishëm në event, komentoi se «vendi të ngjallte trishtim për shkak të gjërave të llahtarshme që kishin ndodhur aty. Megjithatë, falë meditimit për besnikërinë e vëllezërve, ky event u shndërrua në një rast të gëzuar e dinjitoz».

Profesor Jërg Skribelaiti, drejtor i Qendrës Memoriale të Kampit të Përqendrimit të Flosenbërgut, shpjegoi se «Dëshmitarët e Jehovait ishin komuniteti i parë fetar që u ndaluan pasi [nazistët] erdhën në pushtet në mars 1933». Në një fjalim të shkurtër, ai tha se «besimi u dha forcë [Dëshmitarëve] në kampe përqendrimi . . . jo vetëm të mbijetonin, por edhe të inkurajonin të tjerët që nuk kishin të njëjtin besim».

Auditori dëgjon me vëmendje gjatë ceremonisë në Bavari të Gjermanisë. Fotoja e vogël: motër Judita Ribiku, babai i së cilës ka qenë i burgosur në kampin e Flosenbërgut, dhe profesor Skribelaiti, duke zbuluar pllakën

Edhe vëlla Volfram Slupina, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, tha dy fjalë për të pranishmit. Ai u shpreh: «Për të gjithë ne është mjaft e rëndësishme që historia e vuajtjeve të Dëshmitarëve të Jehovait të mos mbulohet nga pluhuri i harresës; është historia e njerëzve që ishin gati të dëgjonin zërin e ndërgjegjes në kohët më të errëta të Gjermanisë.»

Jemi të sigurt se motrat e vëllezërit tanë besnikë që u përndoqën, e madje vdiqën në kampet e përqendrimit, janë në ‘librin e kujtimit’ të Perëndisë.—Malakia 3:16.