Kalo te përmbajtja

Motrat tona pranë stendave me literaturë, jashtë stadiumit kombëtar të Santiagos, Kili

26 DHJETOR 2023
KILI

Dëshmitarët përhapin lajmin e mirë gjatë Lojërave Panamerikane 2023, në Kili

Dëshmitarët përhapin lajmin e mirë gjatë Lojërave Panamerikane 2023, në Kili

Lojërat Panamerikane të vitit 2023, u mbajtën në qytete të ndryshme të Kilit, nga data 20 tetor deri më 5 nëntor 2023. Mbi 6.900 atletë e sportistë nga 46 vende morën pjesë në disiplina të ndryshme, në këtë eveniment ndërkombëtar. Gjatë lojërave, gati 1.500 Dëshmitarë të Jehovait ndihmuan në një fushatë speciale predikimi. Vëllezërit vendosën stenda me literaturë në gjuhët angleze, portugeze dhe spanjolle. Patën shumë biseda të bukura me sportistë dhe spektatorë.

Për shembull, një atlet shumë i njohur foli me Dëshmitarët te stendat. Ai shpjegoi se, kur ishte i ri, ndiqte mbledhjet me mamanë. Edhe pse kishte fituar shumë para në karrierën e tij si atlet, nuk i falnin lumturinë dhe kënaqësinë që priste. Dëshmitarët i lexuan disa vargje inkurajuese nga Bibla, dhe u shpreh se ato mendime i dhanë shumë zemër.

Një polic që gjithashtu kishte ndjekur mbledhjet kur ishte i ri, u afrua te stendat. U tha vëllezërve se, kur i pa atje, iu kujtuan kohët e bukura që kalonte me kongregacionin. Vëllai e informoi policin se ku ndodhej kongregacioni më afër zonës së tij dhe oraret e mbledhjeve. Ai pranoi me kënaqësi një Bibël dhe broshurën Gëzoje jetën përgjithmonë. Polici tha se ishte shumë i emocionuar që ra prapë në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait.

Një vajzë 19 vjeçe foli me një motër te stendat dhe tha se kohët e fundit ishte lutur për ndihmë që të kuptonte Biblën. Kur motra jonë i ofroi një studim, ajo pranoi me kënaqësi. Më vonë, po atë ditë, motra filloi të studionte me vajzën dhe që atëherë ka vazhduar rregullisht studimin.

U jemi shumë mirënjohës vëllezërve e motrave në Kili që morën pjesë në këtë fushatë speciale predikimi. Falë përpjekjeve të tyre, u gjetën disa të interesuar për mesazhin e Biblës. Rezultatet pozitive provojnë se Jehovai vazhdon të kujdeset për ata që e kërkojnë.—Isaia 55:6.