Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Pse bëj të prera në trup?

Pse bëj të prera në trup?

 Çfarë do të thotë të bësh të prera në trup?

 Të bësh të prera do të thotë ta dëmtosh veten në mënyrë impulsive me një objekt të mprehtë. Kjo është një formë e vetëdëmtimit. Forma të tjera përfshijnë të digjesh, të bëhesh vula-vula ose të godasësh veten. Ndonëse ky artikull flet për prerjet në trup, parimet e trajtuara zbatohen për të gjitha format e vetëdëmtimit.

 Pyetësor: e vërtetë apo e rreme?

  1.   Vetëm vajzat bëjnë të prera në trup.

  2.   Kjo gjë shkel urdhrin e Biblës te Levitiku 19:28, ku thuhet: «Mos bëni prerje në trup.»

 Përgjigjet e sakta:

  1.   E rreme. Megjithëse ky problem është më i përhapur te vajzat, edhe disa djem bëjnë të prera në trup dhe e dëmtojnë veten në forma të ndryshme.

  2.   E rreme. Levitiku 19:28 flet për një rit të lashtë pagan, jo për zakonin e prerjeve në trup që bëhet në mënyrë impulsive, i cili trajtohet në këtë artikull. Sidoqoftë, është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se Krijuesi ynë i dashur nuk do që të dëmtojmë veten.​—1 Korintasve 6:12; 2 Korintasve 7:1; 1 Gjonit 4:8.

 Pse e dëmtojnë veten?

 Pyetësor: cili pohim mendon se është më i saktë?

 Njerëzit bëjnë të prera në trup . . .

  1.   sepse përpiqen të kapërcejnë torturën emocionale.

  2.   sepse duan të vrasin veten.

 Përgjigjja e saktë: A. Shumica e atyre që bëjnë të prera nuk duan të vdesin. Thjesht nuk duan të vuajnë emocionalisht.

 Ja çfarë thonë disa të rinj për këtë veprim:

 Silia: «Deri diku më lehtësonte.»

 Tamara: «Më dukej sikur arratisesha diku. Dhembja fizike ishte më e mirë se ajo emocionale.»

 Keri: «E urreja trishtimin. Kur bëja të prera, shpërqendrohesha nga mërzia dhe përqendrohesha te dhembja fizike.»

 Xherina: «Sa herë që bëja të prera në trup, bëhesha gati e pavetëdijshme për gjërat që më rrethonin dhe më dukej sikur nuk kisha më probleme. Mezi e prisja këtë ndjesi.»

 Si të heqësh dorë nëse e ke këtë problem?

 Lutjet drejtuar Perëndisë Jehova mund të jenë një hap i rëndësishëm drejt shërimit. Bibla thotë: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.»​—1 Pjetrit 5:7.

 Sugjerim: fillo me lutje të shkurtra, ndoshta thjesht duke i thënë Jehovait: «Kam nevojë për ndihmë.» Me kalimin e kohës do të arrish të hapesh më shumë dhe t’ia zbrazësh ndjenjat ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi’.​—2 Korintasve 1:3, 4.

 Lutja nuk është mbështetje nga ana psikologjike. Është komunikim domethënës me Atin tënd qiellor, i cili premton: «[Unë] do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.»​—Isaia 41:10.

 Shumë nga ata që janë përpjekur të mos bëjnë më prerje, janë lehtësuar kur kanë folur me njërin nga prindërit ose me një të rritur të besuar. Ja disa nga komentet e tre të rinjve që kanë vepruar pikërisht kështu.

 Pyetje për të menduar

  • Kujt mund t’i hapesh kur ke nevojë për ndihmë?

  • Çfarë mund t’i thuash Jehovait në lutje për këtë çështje?

  • A mund të përmendësh dy mënyra (pa përmendur vetëdëmtimin) si e çliron stresin dhe ankthin?