Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Si ta lësh punën «në punë»?

Si ta lësh punën «në punë»?

 Në këtë epokë dixhitale, shefi, kolegët ose klientët mund të presin që të jesh në dispozicion 24/​7. Kjo e bën të vështirë të ruash atë që njihet si ekuilibri punë-jetë, pra të ndash jetën profesionale nga jeta private dhe t’u japësh përparësi aspekteve të tjera të jetës, përfshirë martesës.

 Çfarë duhet të dish?

  •   Teknologjia mund ta mjegullojë kufirin mes punës dhe jetës private. Çdo telefonatë, email ose mesazh që merr pas pune, mund të duket si një zjarr që duhet shuar patjetër.

     «Një herë e një kohë, kur ktheheshe nga puna, rrije me familjen. Sot harroje! Përderisa email-et dhe telefonatat vazhdojnë edhe pas pune, martesa kalon në plan të dytë.»—Zhaneta.

  •   Ekuilibri punë-jetë varet nga ti. Nëse nuk bën një plan, ka shumë të ngjarë që puna të ndërhyjë në martesën tënde.

     «I pari që vuan, është bashkëshorti, sepse thua me vete: ‘Ai më kupton, nuk mërzitet. Se fundja do të rrimë bashkë më vonë.’»—Holi.

 Sugjerime si ta ruash ekuilibrin

  •   Jepi përparësi martesës. Bibla thotë: «Atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.» (Mateu 19:6, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar) Nëse askush nuk ‘do të të ndante’ nga bashkëshorti, pse puna po?

     «Disa klientë mendojnë se, përderisa të paguajnë, duhet të jesh në dispozicion të tyre. Për mua përparësi ka martesa, prandaj u them se nuk jam i disponueshëm kur nuk jam në punë dhe se do t’i kontaktoj së shpejti.»—Marku.

     Pyet veten: «A tregojnë veprimet e mia se martesa ka më shumë rëndësi sesa puna?»

  •   Mëso të thuash jo. Bibla thotë: «Mençuria është me modestët.» (Proverbat 11:2) Nëse je modest, do ta kuptosh se është e mençur ta refuzosh ose ta delegosh një pjesë të punës.

     «Jam hidraulik, prandaj kur dikush telefonon për një emergjencë, zakonisht është i stresuar. Nëse nuk ia zgjidh dot hallin kur do ai, i rekomandoj një hidraulik tjetër.»—Kristoferi.

     Pyet veten: «A do të isha i gatshëm të refuzoja një punë ekstra nëse bashkëshorti do të ndihej i lënë pas dore? Çfarë do të thoshte bashkëshorti?»

  •   Rezervo kohë për bashkëshortin. Bibla thotë: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.» (Eklisiastiu 3:1) Në martesë është e rëndësishme të kalohet kohë së bashku dhe, veçanërisht kur ngarkesa e punës bëhet e madhe, kjo kohë duhet planifikuar.

     «Zakonisht, kur na mblidhen shumë gjëra njëherësh, biem dakord kur mund të rrimë pak bashkë, pa na ndërhyrë asgjë. Sikur edhe për të ngrënë një darkë ose për të bërë dy hapa buzë detit.»—Debora.

     Pyet veten: «A programoj të kaloj kohë me bashkëshortin pa më shpërqendruar asgjë? Çfarë do të thoshte bashkëshorti?»

  •   Hiq spinën. Bibla thotë: «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.» (Filipianëve 1:10) Me raste, a mund t’i fikësh pajisjet elektronike, që të mos shpërqendrohesh nga mesazhet ose telefonatat e punës?

     «Përpiqem të mos punoj pas një orari të caktuar. Pas atij orari, çaktivizoj njoftimet në celular.»—Xherëmi.

     Pyet veten: «A ndihem i detyruar të jem gjithnjë online se mos më kërkon shefi ose klienti? Çfarë do të thoshte bashkëshorti?»

  •   Ji elastik. Bibla thotë: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë.» (Filipianëve 4:5) Të jemi realistë: ndonjëherë puna mund të ndërhyjë në kohën që kemi rezervuar për njëri-tjetrin. Për shembull, lloji i punës që ka bashkëshorti, kërkon që të jetë i disponueshëm edhe kur nuk është në punë. Prandaj mos pretendo tepër nga bashkëshorti.

     «Kemi një biznes të vogël, dhe burrit i ndodh shpesh të merret me të papriturat që lindin jashtë orarit të punës. Ka raste kur kjo më bezdis, por në fund të fundit ne kalojmë kohë së bashku, prandaj është ok edhe kështu.»—Bevërli.

     Pyet veten: «A e mbaj parasysh sa i ngarkuar është bashkëshorti nga puna, e të mos pretendoj tepër nga ai? Çfarë do të thoshte bashkëshorti?»

 Pyetje për diskutim

Në fillim, secili nga ju të shqyrtojë pyetjet e mëposhtme. Pastaj, përgjigjet diskutojini me njëri-tjetrin.

  • A të është ankuar ndonjëherë bashkëshorti që e sjell punën në shtëpi? Nëse po, a je dakord?

  • Në cilat aspekte mendon se mund të përmirësosh ekuilibrin punë-jetë?

  • A ke menduar ndonjëherë se bashkëshorti yt nuk ia del dot ta lërë punën «në punë»? Nëse po, a të kujtohet një rast specifik?

  • A dëshiron që bashkëshorti të bëjë ndryshime për të pasur ekuilibër të mirë punë-jetë? Nëse po, cilat?