Kalo te përmbajtja

Çfarë është mëkati?

Çfarë është mëkati?

Përgjigjja e Biblës

 Mëkat quhet çdo veprim, ndjenjë ose mendim që bie ndesh me normat e Perëndisë. Mëkat quhet edhe kur shkelen ligjet e Perëndisë duke bërë atë që është e gabuar ose e padrejtë në sytë e tij. (1 Gjonit 3:4; 5:​17) Bibla tregon se mëkat është edhe kur nuk vepron, domethënë kur nuk bën diçka që duhet bërë.​—Jakovi 4:​17.

 Në gjuhët që u shkrua Bibla, fjalët që u përdorën për mëkatin kanë kuptimin «të mos qëllosh në shenjë» ose të dalësh huq. Për shembull, në Izraelin e lashtë kishte një grup luftëtarësh kaq të aftë në hedhjen e gurëve me hobe, sa asnjëherë «nuk u dilte huq». Kjo shprehje e fundit, fjalë për fjalë mund të përkthehet «nuk mëkatonin». (Gjykatësit 20:16) Pra të mëkatosh do të thotë të dalësh huq në normat e përsosura të Perëndisë.

 Si Krijuesi i gjithçkaje, Perëndia ka të drejtën të vendosë norma për njerëzit. (Zbulesa 4:​11) Do t’i japim llogari për veprimet tona.​—Romakëve 14:12.

A është e mundur të mos mëkatojmë fare?

 Jo. Bibla thotë se «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë». (Romakëve 3:​23; 1 Mbretërve 8:46; Eklisiastiu 7:20; 1 Gjonit 1:8) Pse?

 Njerëzit e parë, Adami dhe Eva, në fillim ishin pa mëkat, sepse u krijuan të përsosur, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. (Zanafilla 1:​27) Por e humbën përsosmërinë kur nuk iu bindën Zotit. (Zanafilla 3:​5, 6, 17-​19) Kur lindën fëmijë, ua kaluan mëkatin dhe papërsosmërinë si të meta të trashëguara. (Romakëve 5:​12) Të njëjtën gjë tha edhe Davidi, mbreti i Izraelit: «Në faj erdha në dritë mes dhembjeve të lindjes.»​—Psalmi 51:5.

A janë disa mëkate më të rënda se të tjerat?

 Po. Për shembull, Bibla thotë se njerëzit e Sodomës në lashtësi ishin «të këqij dhe mëkatonin rëndë», mëkati i tyre ishte «shumë i rëndë». (Zanafilla 13:13; 18:20) Shqyrto tre faktorë që përcaktojnë sa i madh apo i rëndë është një mëkat.

  1.   Sa serioz është? Bibla na paralajmëron që t’i shmangim mëkate të tilla serioze, si imoraliteti seksual, idhujtaria, vjedhja, të pirët me tepri, zhvatja, vrasja dhe spiritizmi. (1 Korintasve 6:​9-​11; Zbulesa 21:8) Bibla bën një dallim të madh midis këtyre mëkateve dhe mëkateve të pamenduara apo të paqëllimshme, si për shembull fjalët dhe veprimet që lëndojnë të tjerët. (Proverbat 12:18; Efesianëve 4:​31, 32) Gjithsesi, ajo na nxit të mos minimizojmë asnjë lloj mëkati, pasi, sado të vegjël, ata mund të na çojnë në shkelje më të mëdha të ligjeve të Perëndisë.​—Mateu 5:​27, 28.

  2.   Me çfarë motivi bëhet? Disa mëkate bëhen në padije të asaj që kërkon Perëndia. (Veprat 17:30; 1 Timoteut 1:​13) Edhe pse nuk i justifikon këto mëkate, Bibla i dallon nga mëkatet që bëhen duke shkelur me vetëdije ligjet e Perëndisë. (Numrat 15:30, 31) Mëkatet e vullnetshme vijnë nga një ‘zemër e ligë’.​—Jeremia 16:12.

  3.   Sa shpesh bëhet? Bibla bën dallim edhe midis rastit kur mëkati është kryer vetëm një herë dhe rastit kur është praktikuar për një periudhë të gjatë. (1 Gjonit 3:​4-8) Ata që «praktikojnë me dashje mëkatin», edhe pasi kanë mësuar si të bëjnë atë që është e drejtë, do të marrin gjykimin e Perëndisë.​—Hebrenjve 10:26, 27.

 Atyre që kanë bërë mëkate serioze, mund t’u rëndojë barra e fajit. Për shembull mbreti David shkroi: «Fajet e mia më kaluan mbi krye si dallgë, më rëndojnë shumë, si një barrë tepër e rëndë.» (Psalmi 38:4) E megjithatë, Bibla jep këtë shpresë: «I ligu le ta lërë rrugën e tij dhe shpirtkeqi le t’i largojë mendimet e tij. Le të kthehet te Jehovai, i cili do t’i tregojë mëshirë, dhe te Perëndia ynë, sepse do ta falë në masë të madhe.»​—Isaia 55:7.