Kalo te përmbajtja

Çfarë është ardhja e Krishtit?

Çfarë është ardhja e Krishtit?

Përgjigjja e Biblës

 Në Shkrime ka dhjetëra vargje që i referohen kohës kur Krishti do të vijë për të gjykuar njerëzit. a Për shembull, Mateu 25:31-​33 thotë:

 «Kur Biri i njeriut [Jezu Krishti] të mbërrijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt, atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. Tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë. Delet do t’i vërë në të djathtë, kurse cjeptë në të majtë.»

 Kjo kohë gjykimi do të jetë pjesë e një ‘shtrëngimi të madh’ që historia njerëzore nuk e ka parë deri tani. Ky shtrëngim do të arrijë kulmin me luftën e Harmagedonit. (Mateu 24:21; Zbulesa 16:16) Armiqtë e Krishtit, që në ilustrimin e tij krahasohen me dhitë, «do të ndëshkohen me shkatërrim të përhershëm». (2 Selanikasve 1:9; Zbulesa 19:11, 15) Kurse shërbëtorët e tij besnikë, domethënë delet, do të kenë shpresën e ‘jetës së përhershme’.​—Mateu 25:46.

Kur do të vijë Krishti?

 Jezui tha: «Atë ditë dhe atë orë s’e di askush.» (Mateu 24:36, 42; 25:13) Megjithatë, ai dha përshkrimin e një ‘shenje’ të përbërë nga disa elementë, që do të ishte e dukshme e do të ndihmonte për të identifikuar periudhën pikërisht para ardhjes së tij.​—Mateu 24:​3, 7-​14; Luka 21:10, 11.

A do të vijë Krishti me trup të padukshëm apo të dukshëm?

 Jezui u ringjall me një trup të padukshëm, prandaj ai nuk vjen në mish, por në frymë, pra si krijesë e padukshme. (1 Korintasve 15:45; 1 Pjetrit 3:​18) Ja pse ditën para se të vdiste, Jezui u tha apostujve: «Edhe pak dhe bota nuk do të më shohë më.»​—Gjoni 14:19.

Koncepte të gabuara të përhapura për ardhjen e Krishtit

 Koncept i gabuar: Përderisa Bibla thotë se njerëzit do ta shohin Jezuin «të vijë në re», Jezui do të jetë i dukshëm kur të vijë.​—Mateu 24:30.

 Fakt: Në Bibël retë lidhen shpesh me diçka që nuk shihet nga syri i njeriut. (Levitiku 16:2; Numrat 11:25; Ligji i përtërirë 33:26) Për shembull, Perëndia i tha Moisiut: «Po vij te ti në një re të errët.» (Dalja 19:9) Moisiu nuk e pa Perëndinë në kuptimin e mirëfilltë. Po kështu, Krishti ‘vjen në re’ në kuptimin që njerëzit arrijnë ta dallojnë ardhjen e tij edhe pse nuk mund ta shohin në kuptimin e mirëfilltë.

 Koncept i gabuar: Shprehja «do ta shohë çdo sy» te Zbulesa 1:7 për ardhjen e Krishtit, duhet marrë në kuptimin e mirëfilltë.

 Fakt: Fjalët greke «sy» dhe «shoh» që përdoren në Bibël, ndonjëherë nuk nënkuptojnë shikimin e mirëfilltë, por japin idenë e dallimit ose të perceptimit. b (Mateu 13:15; Luka 19:42; Romakëve 15:21; Efesianëve 1:​18) Bibla e përshkruan Jezuin e ringjallur si ai ‘që banon në dritë të paafrueshme, të cilin askush nuk mund ta shohë’. (1 Timoteut 6:​16) Pra, «do ta shohë çdo sy» në kuptimin që të gjithë njerëzit do të dallojnë se ai që sjell gjykimin e Perëndisë është Jezui.​—Mateu 24:30.

 Koncept i gabuar: Fjalët e 2 Gjonit 7 tregojnë se Jezui do të vijë në mish, ose ndryshe me trup njerëzor.

 Fakt: Ky varg biblik thotë: «Shumë mashtrues kanë dalë në botë, njerëz që nuk rrëfejnë se Jezu Krishti erdhi në mish.»

 Në ditët e apostullit Gjon disa e mohonin se Jezui kishte ardhur në tokë me trup njerëzor. Ata u quajtën gnostikë. Shkrimi i 2 Gjonit 7 u shkrua për të përgënjeshtruar fjalët e tyre.

a Megjithëse shumë njerëz përdorin shprehjen «ardhja e dytë» ose «kthimi i Krishtit» për t’iu referuar ardhjes së Krishtit, këto shprehje nuk gjenden në Bibël.

b Shih fjalorin The New Thayer’s Greek-English Lexicon of the New Testament (1981), faqet 451 dhe 470.