Kalo te përmbajtja

Si mund të bëhesh mik me Perëndinë?

Si mund të bëhesh mik me Perëndinë?

Përgjigjja e Biblës

 Mund të bëhesh mik me Perëndinë duke mësuar për të dhe duke bërë gjërat që i pëlqejnë. Atëherë Ai ‘do të të afrohet’. (Jakovi 4:8) Bibla na siguron se Perëndia «nuk është larg nga secili prej nesh».—Veprat 17:27.

 Hapa për t’u bërë mik me Perëndinë

 Lexo Biblën

  •  Bibla thotë: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.»—2 Timoteut 3:16.

  •  Kuptimi: Perëndia është Autori i Biblës. Ai vuri mendimet e tij në mendjet e shkrimtarëve të Biblës. Nëpërmjet këtij libri unik na tregon se ç’lloj jete dëshiron për ne. Na zbulon edhe anë të ndryshme të personalitetit të tij, si dashuria, drejtësia dhe mëshira.—Eksodi 34:6; Ligji i përtërirë 32:4.

  •  Ç’mund të bësh: Lexo Biblën çdo ditë. (Josiu 1:8) Mendo për atë që lexon dhe pyet veten: «Çfarë më mëson kjo për Perëndinë?»—Psalmi 77:12.

     Për shembull, lexo Jereminë 29:11, pastaj pyet veten: «Çfarë do Perëndia për mua: të kem paqe apo të këqija? A është Perëndi hakmarrës, apo do që të kem një të ardhme të lumtur?»

 Vështro me kujdes krijimin

  •  Bibla thotë: ‘Cilësitë e padukshme [të Perëndisë] shihen qartë që nga krijimi i botës, sepse dallohen nga gjërat që ka bërë.’—Romakëve 1:20.

  •  Kuptimi: Krijimi fizik i Perëndisë na zbulon aspekte të personalitetit të tij, njësoj si një vepër arti flet për autorin e saj ose si një makineri e ndërlikuar na tregon shumë për shpikësin e vet. Për shembull, kapaciteti dhe kompleksiteti i trurit të njeriut dëshmon për mençurinë e Perëndisë dhe energjia e diellit dhe e yjeve të tjera dëshmon për fuqinë e tij.—Psalmi 104:24; Isaia 40:26.

  •  Ç’mund të bësh: Lër kohë të vështrosh krijimin dhe të mësosh për të. Ndërkohë pyet veten: «Çfarë na mësojnë për Perëndinë projektet mbresëlënëse që shohim në natyrë?» a S’diskutohet ka edhe shumë gjëra të tjera që natyra nuk mund të na i mësojë për Perëndinë. Prandaj, Ai na ka dhënë Biblën.

 Përdore emrin e Perëndisë

  •  Bibla thotë: «Do ta mbroj ngaqë njeh emrin tim. Ai do të më thërrasë, e unë do t’i përgjigjem.»—Psalmi 91:14, 15.

  •  Kuptimi: Perëndia, emri i të cilit është Jehova, i kushton vëmendje të veçantë atyre që e njohin emrin e tij dhe e përdorin me respekt. b (Psalmi 83:18; Malakia 3:16) Perëndia na tregon emrin e tij kur na prezantohet me fjalët: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im.»—Isaia 42:8.

  •  Ç’mund të bësh: Përdore emrin e Jehovait kur flet për të.

 Lutju Jehovait

  •  Bibla thotë: «Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin.»—Psalmi 145:18.

  •  Kuptimi: Jehovai u afrohet atyre që i luten me besim. Lutja është një aspekt i adhurimit që tregon se kemi nderim të thellë për Perëndinë.

  •  Ç’mund të bësh: Lutju shpesh Perëndisë. (1 Selanikasve 5:17) Fol me të për gjërat që të shqetësojnë dhe për ndjenjat e tua.—Psalmi 62:8. c

 Zhvillo besim te Perëndia

  •  Bibla thotë: «Pa besim është e pamundur të kesh vërtet pëlqimin e Perëndisë.»—Hebrenjve 11:6.

  •  Kuptimi: Që t’i afrohemi Perëndisë, duhet të kemi besim tek ai. Sipas Biblës, të kesh besim nuk do të thotë thjesht të besosh se Perëndia ekziston. Do të thotë edhe të besosh se premtimet e tij do të dalin të vërteta dhe se standardet e tij janë të mençura. Besimi është jetësor në një miqësi të ngushtë.

  •  Ç’mund të bësh: Besimi i sinqertë bazohet te njohuria. (Romakëve 10:17) Prandaj studio Biblën dhe vërtetoja vetes se mund t’i besosh Perëndisë dhe këshillave të tij. Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur të studiojnë Biblën me ty. d

 Bëj atë që i pëlqen Perëndisë

  •  Bibla thotë: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.»—1 Gjonit 5:3.

  •  Kuptimi: Jehovai bëhet mik me ata që tregojnë se e duan duke bërë çmos t’u binden urdhërimeve të tij.

  •  Ç’mund të bësh: Ndërsa studion Biblën, mëso çfarë i pëlqen Perëndisë dhe çfarë nuk i pëlqen. Pyet veten: «Ç’ndryshime duhet të bëj që t’i pëlqej Krijuesit tim?»—1 Selanikasve 4:1.

 Ndieje kujdesin e Perëndisë ndërsa zbaton këshillat e tij

  •  Bibla thotë: «Nga eksperienca do të shohësh se [Perëndia] është i mirë.»—Psalmi 34:8, The Bible in Basic English.

  •  Kuptimi: Perëndia të fton ta shohësh vetë sa i mirë është. Kur provon dashurinë dhe mbështetjen e tij, do të nxitesh t’i afrohesh më shumë.

  •  Ç’mund të bësh: Teksa lexon Biblën, zbato këshillat e Perëndisë dhe provo bekimet që vijnë. (Isaia 48:17, 18) Gjithashtu shih shembuj realë të atyre që me ndihmën e Perëndisë përballuan vështirësi, përmirësuan jetën e tyre dhe të familjeve, si dhe gjetën lumturinë e vërtetë. e

  Ide të gabuara për miqësinë me Perëndinë

 Ide e gabuar: Perëndia është tepër i fuqishëm dhe i rëndësishëm që të bëhet mik me mua.

 Fakt: Edhe pse Perëndia është Qenia më e fuqishme dhe më e rëndësishme që ekziston, ai na fton t’i afrohemi. Bibla përmban shumë shembuj të burrave e grave që u bënë miq me të.—Veprat 13:22; Jakovi 2:23.

 Ide e gabuar: Nuk mund ta njohim Perëndinë, sepse është mister.

 Fakt: Edhe pse nuk mund të kuptojmë çdo gjë për Perëndinë, si për shembull faktin që është Frymë e padukshme, prapë mund ta njohim. Bibla thotë se duhet të njohim Perëndinë që të kemi jetën e përhershme. (Gjoni 17:3) Ajo flet me terma të thjeshtë për Krijuesin tonë, personalitetin e tij, qëllimin që ka për njerëzimin dhe tokën, si dhe për standardet e tij. (Isaia 45:18, 19; 1 Timoteut 2:4) Dhe siç e përmendëm, Bibla na tregon edhe emrin e Perëndisë. (Psalmi 83:18) Prandaj jo vetëm që mund ta njohim Perëndinë, por edhe të bëhemi miq me të.—Jakovi 4:8.

a Për të mësuar më shumë për mençurinë e Perëndisë që shohim në natyrë, shih serinë «A është projektuar»?

b Mendohet se emri Jehova do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Duke na zbuluar emrin e tij, në të vërtetë Perëndia po thotë: «Vullnetin dhe qëllimin tim do t’i plotësoj patjetër. Unë e mbaj fjalën gjithmonë.»

d Për më shumë informacion shih videon Si zhvillohet një studim biblik?