Kalo te përmbajtja

A janë paratë rrënja e çdo gjëje të keqe?

A janë paratë rrënja e çdo gjëje të keqe?

Përgjigjja e Biblës

 Jo. Bibla nuk thotë se paratë janë të këqija ose shkaku i çdo gjëje të keqe. Shprehja ‘paratë janë rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme’ është një citim i paplotë nga Bibla që përcjell një ide të gabuar. Citimi i plotë është «dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme».—1 Timoteut 6:10.

 Çfarë thotë Bibla për paratë?

 Bibla tregon se paratë janë të dobishme, madje edhe «mbrojtje», nëse përdoren me mençuri. (Eklisiastiu 7:12) Përveç kësaj lavdëron ata që janë bujarë me të tjerët, qoftë edhe kur japin para.—Proverbat 11:25.

 Në të njëjtën kohë, Bibla paralajmëron që paratë të mos jenë strumbullari i jetës sonë. Ajo thotë: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat që keni.» (Hebrenjve 13:5) Pra mësojmë se paratë duhet t’i mbajmë në vendin e vet dhe nuk duhet të rendim pas pasurisë. Duhet të jemi të kënaqur me gjërat e domosdoshme, si ushqimi, veshja dhe strehimi.—1 Timoteut 6:8.

 Pse Bibla na paralajmëron për dashurinë për para?

 Njerëzit lakmitarë nuk do të fitojnë jetën e përhershme. (Efesianëve 5:5) Një nga arsyet është se lakmia është një formë idhujtarie, ose adhurimi të rremë. (Kolosianëve 3:5) Një arsye tjetër është se shpesh njeriu lakmitar shpërfill parimet e mira si e si të marrë atë që do. Sipas Proverbave 28:20, «kush nxiton të fitojë pasuri, s’do të mbetet i pafaj». Madje, një lakmitar mund të tundohet të kryejë krime, si shantazhe, zhvatje, mashtrime, rrëmbime ose vrasje.

 Ndonëse dashuria për para mund të mos ndikojë për keq te sjellja e dikujt, ajo mund të sjellë pasoja të tjera negative. Bibla thotë se «ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme».—1 Timoteut 6:9.

 Si të nxjerrim dobi nga këshilla e Biblës për paratë?

 Nëse s’bëjmë kompromis me vlerat morale dhe të krishtere për hir të parave, do të kemi respekt për veten si dhe miratimin e mbështetjen e Perëndisë. Atyre që përpiqen me gjithë zemër ta kënaqin, Perëndia u premton: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Hebrenjve 13:5, 6) Gjithashtu na siguron se: «Njeriu i besueshëm do të marrë shumë bekime.»—Proverbat 28:20, nwt.