Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 41

Mrekulli—Me fuqinë e kujt?

Mrekulli—Me fuqinë e kujt?

MATEU 12:22-32 MARKU 3:19-30 LUKA 8:1-3

  • JEZUI NIS FUSHATËN E DYTË TË PREDIKIMIT

  • DËBON DEMONË DHE PARALAJMËRON PËR MËKATIN E PAFALSHËM

Pak pasi foli për faljen kur ishte në shtëpinë e fariseut Simon, Jezui nis një fushatë tjetër predikimi në Galile. Është viti i dytë i shërbimit dhe nuk po udhëton vetëm. Me të janë 12 apostujt, si edhe disa gra që Jezui ‘i ka shëruar nga frymërat e liga dhe sëmundjet’. (Luka 8:2) Mes tyre janë Maria-Magdalena, Suzana dhe Joana, bashkëshorti i së cilës është zyrtar i mbretit Herod Antipa.

Sa më shumë hapet fjala për Jezuin, aq më shumë përplasen opinionet e njerëzve rreth aktivitetit të tij. Kjo bëhet e qartë kur një të demonizuar, që është i verbër dhe nuk flet, e sjellin te Jezui dhe ai e shëron. Tani që s’është më i pushtuar nga demonët, burri flet dhe shikon. Njerëzit shastisen dhe thonë: «Mos është ky Biri i Davidit?!»—Mateu 12:23.

Turma e mbledhur rreth shtëpisë ku qëndron Jezui, është kaq e madhe sa ai dhe dishepujt nuk arrijnë as të hanë bukë. Por jo të gjithë janë të mendimit se Jezui është ‘Biri i premtuar i Davidit’. Disa skribë dhe farisenj kanë bërë rrugë të gjatë që nga Jerusalemi—por nuk kanë ardhur për t’u mësuar nga Jezui ose për ta përkrahur. Ata u thonë njerëzve se «ai ka Belzebubin», kështu që është ortak me ‘sundimtarin e demonëve’. (Marku 3:22) Kur të afërmit e Jezuit marrin vesh për rrëmujën që është krijuar, dalin ta marrin me vete. Po pse?

Deri tani, vëllezërit e tij të gjakut nuk besojnë se Jezui është Biri i Perëndisë. (Gjoni 7:5) Njeriu që gjoja po krijon këtë rrëmujë nuk ngjan fare me vëllanë e tyre, me të cilin janë rritur në Nazaret. Duke menduar se ka diçka që nuk shkon me Jezuin, thonë: «Ai ka luajtur mendsh.»—Marku 3:21.

Por çfarë tregojnë faktet? Jezui sapo ka shëruar një të demonizuar i cili tani sheh dhe flet. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Prandaj skribët dhe farisenjtë orvaten ta diskreditojnë Jezuin me një akuzë të rreme: «Ky njeri i dëbon demonët vetëm me anë të Belzebubit, sundimtarit të demonëve.»—Mateu 12:24.

Jezui e di fare mirë çfarë po mendojnë skribët dhe farisenjtë, prandaj nxjerr në pah këtë realitet: «Çdo mbretëri e përçarë, përfundon në shkretim dhe çdo qytet apo shtëpi e përçarë, nuk do të qëndrojë. Po ashtu, nëse Satanai dëbon Satanain, do të thotë se është përçarë. Si do të qëndrojë, pra, mbretëria e tij?»—Mateu 12:25, 26.

Ç’logjikë mbresëlënëse! Farisenjtë e dinë se disa judenj dëbojnë demonë. (Veprat 19:13) Prandaj Jezui i pyet: «Nëse unë i dëboj demonët me anë të Belzebubit, me anë të kujt i dëbojnë bijtë tuaj?» Me fjalë të tjera, akuza që ngrenë, bie edhe mbi ta. Jezui vazhdon arsyetimin: «Por, nëse unë i dëboj demonët me anë të frymës së Perëndisë, atëherë Mbretëria e Perëndisë ju ka gjetur vërtet në befasi.»—Mateu 12:27, 28.

Fakti që Jezui dëbon demonët, tregon qartë se ai është më i fuqishëm se Satanai. Për të ilustruar këtë, Jezui thotë: «Si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një burri të fortë e ta grabitë nëse nuk e lidh më parë? Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë. Kush nuk është me mua, është kundër meje, dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.» (Mateu 12:29, 30) S’diskutohet se skribët dhe farisenjtë janë kundër Jezuit, dhe kështu e tregojnë sheshit se janë ortakë të Satanait. Ata i shpërndajnë njerëzit larg Birit të Perëndisë, i cili ka mbështetjen e Jehovait.

Jezui i paralajmëron këta kundërshtarë satanikë: «Bijve të njerëzve do t’u falet gjithçka, pavarësisht nga mëkatet që bëjnë dhe blasfemitë që thonë. Por kushdo që blasfemon kundër frymës së shenjtë, nuk do të falet kurrën e kurrës. Ai është fajtor për mëkat të përhershëm.» (Marku 3:28, 29) Mendo çfarë i pret ata që ia japin meritën Satanait për ato vepra që duken qartë se kryhen falë frymës së Perëndisë!