Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 90

«Ringjallja dhe jeta»

«Ringjallja dhe jeta»

GJONI 11:17-37

  • JEZUI MBËRRIN PASI KA VDEKUR LAZARI

  • «RINGJALLJA DHE JETA»

Jezui është nisur nga Perea dhe mbërrin në rrethinat e Betanisë, një fshat rreth 3 kilometra në lindje të Jerusalemit. Motrat e Lazarit, Maria dhe Marta, janë të pikëlluara për vëllanë që ka vdekur prej disa ditësh. Shumë njerëz kanë ardhur për t’i ngushëlluar.

Në një moment dikush i tregon Martës se po vjen Jezui, ndaj ajo nxiton t’i dalë përpara. Pastaj i thotë Jezuit diçka që, me shumë mundësi, bashkë me të motrën kanë katër ditë që e bluajnë në mendje: «Zotëri, po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur.» Megjithatë, fjalët që thotë tani, tregojnë se Marta nuk i ka humbur shpresat: «Unë e di se Perëndia të jep gjithçka që ti i kërkon.» (Gjoni 11:21, 22) Ajo mendon se Jezui ende mund të bëjë diçka për Lazarin.

Jezui i thotë: «Vëllai yt do të ringjallet.» Marta mendon se e ka fjalën për ringjalljen në tokë që do të ndodhë në të ardhmen, e njëjta shpresë që kishin Abrahami e të tjerët. Ndaj, e sigurt se kjo ringjallje do të ndodhë se s’bën, thotë: «E di se do të ringjallet në ditën e fundit.»—Gjoni 11:23, 24.

Por, a mund t’ia lehtësojë që tani dhembjen Jezui? Ai i kujton Martës se Perëndia i ka dhënë fuqi mbi vdekjen, kur thotë: «Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë, dhe kushdo që jeton dhe tregon besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës.»—Gjoni 11:25, 26.

Jezui nuk po nënkupton se dishepujt e asaj kohe s’do të vdesin kurrë. Madje, siç u ka thënë apostujve, edhe ai vetë duhet të vdesë. (Mateu 16:21; 17:22, 23) Me këto fjalë po thekson se kush tregon besim tek ai, do të jetojë përgjithmonë. Shumë veta do të gëzojnë jetën e përhershme pasi të ringjallen. Kurse njerëzit besnikë që do të jetojnë gjatë fundit të sistemit, mund të mos vdesin kurrë. Në të dyja rastet, kush tregon besim te Jezui, mund të jetë i sigurt se nuk do të mbetet përgjithmonë në vdekje.

Por, meqë Jezui tha se ‘është ringjallja dhe jeta’, a do ta ringjallë Lazarin, i cili ka disa ditë që ka vdekur? Ai e pyet Martën: «A e beson këtë?» Ajo i përgjigjet: «Po, Zotëri. Unë e besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, ai që duhet të vijë në botë.» Plot besim se Jezui mund të bëjë diçka pikërisht atë ditë, Marta nxiton për në shtëpi tek e motra dhe i thotë veçmas: «Mësuesi është këtu dhe po të kërkon.» (Gjoni 11:25-28) Maria niset menjëherë për te Jezui. Pas saj shkojnë edhe të tjerë që mendojnë se po shkon te varri i Lazarit.

Por Maria shkon te Jezui, i bie ndër këmbë, dhe duke qarë, i thotë të njëjtën gjë si e motra: «Zotëri, po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur.» Jezuit i pikon në zemër kur sheh Marinë dhe të tjerët duke qarë. Ai rënkon thellë, trishtohet e madje derdh lot. Kjo i prek shumë ata që po shohin. Megjithatë disa pyesin: ‘Nëse Jezui i hapi sytë të verbrit, nuk e parandalonte dot vdekjen e Lazarit?’—Gjoni 11:32, 37.