Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Martin peshkatari plot ngjyra

Martin peshkatari plot ngjyra

Martin peshkatari plot ngjyra

NJË vezullimë gurkali ose bojëqielli e ndezur kridhet vetëtimthi në ujë dhe sakaq del sërish teksa rreh krahët dhe fluturon në ajër me një peshk në sqep. Shpesh, kjo pamje që zhduket sa hap e mbyll sytë, është prezantimi i parë i njerëzve me martin peshkatarin, një zog shumëngjyrësh, tek i cili koka dhe sqepi spikatin për madhësi. Megjithatë, pavarësisht nga emri, jo të gjithë zogjtë e familjes së martin peshkatarit janë peshkngrënës. Disa lloje preferojnë hardhucat, gjarpërinjtë, gaforret, madje edhe insektet. Këto të fundit shpesh i kapin në fluturim. Për më tepër, rreth një e treta e këtyre zogjve jetojnë pranë ujit. Habitati i tyre nis që nga pyjet e dendura tropikale dhe ishujt koralorë e deri tek shkretëtirat. Një banor i shkretëtirave është martin peshkatari kurrizkuq, që strehohet thatësirave në zemër të Australisë.

Llojet që peshkojnë janë mjeshtra të zanatit. Zakonisht zogu përgjon me durim nga një degë peme. Me të pikasur peshkun, mbledh forcat për zhytje dhe instinktivisht e llogarit mirë ku të marrë shënjestër, pasi, nga përthyerja e dritës, pozicioni i presë duket ndryshe nga ç’është. Pastaj zogu sulet drejt ujit, teksa rreh krahët për të marrë shpejtësi. Nëse peshku është afër sipërfaqes, zogu vetëm sa e kap fluturimthi. Përndryshe mbledh krahët prapa dhe zhytet si shigjetë në ujë. «I gjithë veprimi është shfaqje e një zotësie të jashtëzakonshme, e realizuar pa pikë ngurrimi a hutimi»,—thuhet në librin Jeta e zogjve (anglisht). Këta zogj janë të zotë të kapin edhe disa peshq njëherësh. Veç kësaj, në rajonet e ftohta janë parë disa që zhyten përmes akullit të hollë për të kapur prenë. Në Australi, martin peshkatarin e kaltër e kanë parë tek kapte vrik kafshë të vogla ujore të hutuara nga ornitorinkët që kërkonin ushqim në ujërat e një lumi.

Çiftimi dhe ngritja e çerdhes

Ritualet e çiftimit të martin peshkatarit mund të jenë goxha argëtuese. Disa lloje e zgjedhin partnerin ndërsa rendin pas njëri-tjetrit në ajër. Pastaj mashkulli tregon zotësinë e tij për të gërmuar një çerdhe. Rituali mund të përfshijë edhe «qerasjen». Mashkulli i bën reklamë vetes duke i ofruar femrës një copëz të shijshme.

Martin peshkatari nuk ndërton çerdhe tipike si zogjtë e tjerë. Disa lloje e ngrenë folenë në një kthinë në fund të një tuneli që gërmojnë buzë ujit, në ndonjë kanal ose gropë në zallishtë. Të tjera jetojnë në strofka lepujsh ose në ndonjë zgavër në pemë.

Për të ndërtuar një kthinë nëntokësore, martin peshkatari hap një tunel nja një metër të gjatë. Gjithsesi, fillimi i punës mund të jetë i vështirë. Disa lloje e zgjidhin problemin duke u sulur në breg me sqepin e drejtuar para, një strategji mjaft e rrezikshme që mund ta trullosë, madje ta vrasë zogun. Në pyjet tropikale të shiut në Guinenë e Re dhe Australinë Veriore, martin peshkatari i parajsës zakonisht hap një vrimë në folenë e termiteve. Duket se insektet nuk i bezdis ky mysafir i paftuar. Me të ikur ai pas shumimit, ato riparojnë dëmet.

Edhe kujdesi për të vegjlit është goxha punë për martin peshkatarin. Një vrojtues në Afrikë pa një çift që u shpërndante 60 deri në 70 peshq çdo ditë pesë të vegjëlve të tyre, përveçse ushqeheshin edhe vetë. Në një rast, mashkulli i rriti mirë të vegjlit, ndonëse femra kishte ngordhur katër ditë para çeljes së vezëve. Në disa lloje, zogj që nuk kanë bërë vezë, ndihmojnë zogj prindër për ngrohjen e vezëve dhe pastaj për t’u kujdesur për të vegjlit.

Nga Irlanda në Ishujt Solomon

Martin peshkatari i zakonshëm ose bilbili i ujit ka një habitat të stërmadh që shtrihet nga Irlanda në veriperëndim, përmes Evropës dhe Rusisë e deri në Ishujt Solomon në juglindje. Meqë territori i tij përfshin rajone ku dimri bën acar, është një prej të paktave lloje që shtegtojnë, disa për gati 3.000 kilometra. Një numër i konsiderueshëm bilbilash uji dhe martin peshkatari larosh e ai gushëbardhë gjenden në Izrael pranë detit të Galilesë dhe përgjatë lumit Jordan. Ka të ngjarë që edhe Jezu Krishti t’i ketë vëzhguar këta zogj të bukur dhe veprimtarinë e tyre.—Shih kutinë  «Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit».

Një lloj veçanërisht i njohur i familjes së martin peshkatarit është kokabura që «qesh» e Australisë. Ky zog kryesisht kafe, rreth 43 centimetra i gjatë, me sqep të fuqishëm 8 centimetra, është i përhapur në kopshtet e Australisë. Kokabura njihet për zërin e saj që i ngjason së qeshurës djallëzore. Ky zog është gjahtar i patrembur që ha edhe gjarpërinj të gjatë deri në një metër. *

Ndonëse familja e martin peshkatarit ka pak armiq natyrorë, numri i këtyre zogjve bie kur lumenjtë ndoten ose pyjet shkatërrohen. Ç’është e vërteta, rreth 25 lloje të martin peshkatarit klasifikohen në kategoritë që kanë filluar të rrezikojnë e deri tek ato në prag të zhdukjes. Shpresojmë që përpjekjet në mbrojtje të natyrës të ndihmojnë për ruajtjen e këtyre zogjve të bukur dhe shpesh argëtues.

[Shënimi]

^ par. 11 Një lloj i afërt, kokabura me krahë të kaltër, që jeton në Australinë Veriore, nuk «qesh».

[Kutia dhe figura në faqen 17]

 «VËSHTRONI ME KUJDES ZOGJTË E QIELLIT»

Jezu Krishti ishte një vëzhgues i kujdesshëm i natyrës dhe shpesh i përdorte këto vrojtime për ilustrime të menduara mirë, nëpërmjet të cilave mësonte të vërteta morale dhe shpirtërore. Për shembull, Jezui tha: «Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në depo, e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata?» (Mateu 6:26) Sa mësim prekës rreth dashurisë së Perëndisë për krijesat e tij njerëzore!

[Figura në faqen 16]