Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Një numër marramendës prej 60 për qind të popullsisë së botës, tani [kanë] celular. . . . Ky është një ndryshim i madh krahasuar me gjashtë vjet më parë, kur më pak se 15 për qind e popullsisë përdornin celularin.»—MACLEAN’S, KANADA.

Dekadën e kaluar u zbuluan 1.068 lloje të reja në rajonin e Mekongut në Azinë Juglindore.—FONDI BOTËROR PËR NATYRËN, SHBA.

«Amerika ka më pak se 5% të popullsisë së botës, por thuajse 25% të të burgosurve të saj. Atje burgosen 756 njerëz për çdo 100.000 banorë, afërsisht 5 herë më shumë se mesatarja në të gjithë botën.»—THE ECONOMIST, BRITANI.

«Mbingarkesa shpërqendruese»

Disa forma komunikimi të teknologjisë së lartë mund të pengojnë të përqendrohesh në punë të tjera. Ekspertët që studiojnë marrëdhëniet e njeriut me teknologjinë raportojnë se ata që përdorin mjete të tilla si—komunikimi aty për aty online, përkujtuesit kalendarikë, posta elektronike, mesazhet e papritura në kompjuter—vuajnë nga «mbingarkesa shpërqendruese dhe vazhdimisht e kanë vëmendjen të shpërndarë». Siç thotë revista Newsweek, si pasojë e ndërprerjeve të vazhdueshme, «rrezikon të mos përqendrohesh kurrë për një kohë të gjatë vetëm në një mendim a ide e të mos jesh në gjendje të çosh asnjë punë nga fillimi në fund pa ndërprerje». Përveç gjërave të tjera, këto shpërqendrime mund të shkaktojnë «humbje kujtese dhe kujtesë të mjegullt», si edhe gabime që mund të jenë fatale.

Nevojiten përkthyes

Gjykatat, rajonet e policisë, spitalet dhe institucione të tjera në shërbim të njerëzve në SHBA shpesh kanë nevojë për ndihmë që të kuptojnë çfarë u thonë njerëzit. Agjencitë që sigurojnë përkthyes po plotësojnë nevojën për të komunikuar në «një botë gjithnjë e më shumë poliglote», siç e quan Agjencia e Lajmeve Rojters. Një kompani me bazë në Kaliforni punëson 5.200 përkthyes që flasin 176 gjuhë. Këtu përfshihen nga ato që janë relativisht më të njohura si, kinezisht, rusisht dhe spanjisht, e deri tek ato më pak të njohura, si gjuhët që fliten në zona të Afrikës dhe të Meksikës. Agjencia thotë se, brenda një minute, këto kompani mund «të përcaktojnë çfarë gjuhe flet personi» dhe futin në linjë një përkthyes që i ndihmon klientët «të merren vesh».

Burim i papritur ari

Agjencia e Lajmeve Rojters nga Japonia raporton se prefektura e Naganos, në veriperëndim të Tokios, ka «zbuluar një burim të ri pasurie minerare: ujërat e zeza». Analizat zbuluan se hiri i marrë nga djegia e llumit të ujërave të zeza të trajtuara në sistemin e qytetit të Suvës, kishte përqindje shumë më të lartë ari se xeherorët e nxjerrë në minierat më të pasura të arit në Japoni. Prefektura pret të marrë 15 milionë jenë për arin ose mbi 116.096 euro, vetëm brenda një viti financiar. Sipas raportit, mendohet se përqindja e lartë e arit tek ujërat e zeza «i detyrohet numrit të madh të uzinave që prodhojnë pajisje të përpikërisë së lartë, që ndodhen aty afër dhe përdorin metalin e verdhë».