Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Ministria e Çështjeve Fetare në Serbi, ka pranuar kërkesën për regjistrim të entit ligjor që përfaqëson Dëshmitarët e Jehovait. Sipas të dhënave zyrtare, Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë aktivë në atë vend të paktën që nga viti 1930.

Është llogaritur se në vitin 2009, në të gjithë botën, 95 për qind e shkarkimeve të muzikës nga interneti janë bërë në mënyrë të paligjshme.​—TIME, SHBA.

Tërmetet​—«Katastrofat më vdekjeprurëse»

«Tërmetet shkaktuan katastrofat më vdekjeprurëse gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar»,—thuhet në një raport nga Strategjia Ndërkombëtare për Pakësimin e Katastrofave e Kombeve të Bashkuara, me qendër në Gjenevë, Zvicër. Ndër ata që vdiqën për shkak të katastrofave gjatë kësaj periudhe, afërsisht 60 për qind e tyre vdiqën si pasojë e tërmeteve. Ky «fenomen natyror i rrezikshëm» vazhdon të jetë një kërcënim serioz, duke pasur parasysh se 8 nga 10 qytetet më të populluara të botës ndodhen në zona të rrezikuara nga tërmeti mbi vijat e shkarjes së tokës. Dhjetë vitet e fundit kanë vdekur më shumë se 780.000 njerëz në 3.852 raste që janë konsideruar si katastrofa.

Profesion i rrezikshëm

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, me qendër në Vjenë, Austri, raporton se «gjatë vitit 2009, janë vrarë gjithsej 110 gazetarë për shkak të punës së tyre, duke bërë që në dhjetëvjeçarin e kaluar ky vit të ishte më vdekjeprurësi» për ata që kanë këtë profesion. Në zonat me konflikte, të tilla si Afganistani, Iraku, Pakistani dhe Somalia, raporti thotë se këto vitet e fundit «gazetarët janë vënë në shënjestër qëllimisht». Kjo ka sjellë si rezultat më pak informacione dhe «një mungesë kuptueshmërie . . . për ngjarjet e ndërlikuara» në këto zona. Iraku ishte vendi më i rrezikshëm për gazetarët gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, i ndjekur nga Filipinet, Kolumbia, Meksika dhe Rusia.

Importi i lirë pakëson vjedhjet

Duke cituar fjalët e Xhejms Treduellit, pedagog i kriminologjisë në Universitetin e Leiçesterit në Angli, Agjencia e Lajmeve Rojters në Londër raporton se «importimi me shumicë i artikujve elektronikë me çmim të lirë» mund t’i lërë pa punë hajdutët britanikë. Për shembull, çmimi i ulët i aparateve të reja të DVD-ve, bën që fitimi i tyre kur shiten përsëri të jetë pothuajse zero. «Thjesht nuk ja vlen t’i vjedhësh»,—thotë Treduelli. Megjithatë, ulja e çmimeve nuk i ka dhënë fund krimit. Madje, tani hajdutët ua kanë vënë syrin artikujve më të shtrenjtë e më të kërkuar në treg, ‘të tillë si celularë dhe iPod-ë, të cilët njerëzit i mbajnë me vete kudo që shkojnë’. Kështu ish-hajdutët e shtëpive u janë futur krimeve të tjera, si për shembull grabitjeve në rrugë.