Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pikëpamja e Biblës

Pse Perëndia nuk e shfaros Djallin?

Pse Perëndia nuk e shfaros Djallin?

A NUK do t’ia lehtësoje vuajtjet dikujt po të kishe mundësi? Zakonisht vullnetarët shkojnë me nxitim në vendin ku ka ndodhur një katastrofë natyrore, për të ndihmuar e për të shpëtuar njerëz që as i njohin fare. Prandaj dikush mund të pyesë: «Pse po vonon Perëndia dhe nuk e shfaros Djallin, përgjegjësin e vuajtjeve të panumërta njerëzore?»

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, përfytyroni një çështje gjyqësore të rëndësishme. Vrasësi, i cili me çdo mënyrë përpiqet të ndalojë procesin gjyqësor, e akuzon gjyqtarin për pandershmëri në mënyrën se si i drejton gjërat në sallën e gjyqit, dhe madje shton se ai i ka korruptuar anëtarët e jurisë. Për këtë arsye, gjyqtari lejon që dëshmitarë të shumtë të paraqesin dëshminë e tyre.

Gjyqtari e di se procesi gjyqësor i stërzgjatur mund të shkaktojë shumë probleme dhe ai do të donte ta mbyllte çështjen pa vonesa të kota. Megjithatë, ai e kupton se për të arritur në një vendim gjyqësor që do të shërbejë si precedent për çështje të tjera që mund të ngrihen në të ardhmen, të dy palët duhet të kenë kohën e duhur për të paraqitur mbrojtjen e tyre në këtë çështje.

Për të arritur në një vendim gjyqësor që do të shërbejë si precedent për çështje të tilla, të dy palët duhet kenë kohën e duhur për të paraqitur argumentet e tyre në çështjen gjyqësore

Si lidhet ky ilustrim me akuzën që Djalli​—i cili ndryshe quhet edhe ‘dragua’, ‘gjarpër’ dhe «Satana»​—i bëri Jehovait, ‘Më të Lartit në tërë dheun’? (Zbulesa 12:9; Psalmi 83:18) Kush është në të vërtetë Djalli? Çfarë akuzash ka ngritur ai kundër Perëndisë Jehova? Dhe kur do ta shfarosë Perëndia atë?

Një precedent për të vendosur drejtësinë

Në fillim, ai që më vonë u bë Djalli, ishte një krijesë frymore e përsosur, një nga engjëjt e Perëndisë. (Jobi 1:6, 7) Ai u kthye vetë në Djall kur në zemrën e tij zuri rrënjë ambicia egoiste që njerëzit ta adhuronin. Kështu ai sfidoi të drejtën e Perëndisë për të sunduar, madje duke lënë të nënkuptohej se Perëndia nuk meriton t’i bindemi. Djalli ngriti akuzën se njerëzit i binden Perëndisë vetëm kur i «korrupton» me bekimet e tij. Por sipas tij, nën vështirësi, të gjithë ‘do ta mallkonin’ Krijuesin e tyre.​—Jobi 1:8-11; 2:4, 5.

Perëndia s’mund t’u jepte përgjigje këtyre akuzave të Satanait thjesht duke përdorur forcën. Në fakt, në qoftë se do ta ekzekutonte Djallin menjëherë, disa ndoshta do të mendonin se Djalli kishte të drejtë. Prandaj Perëndia, duke pasur autoritet absolut, filloi një proces gjyqësor që vëzhguesit të kuptonin se si qëndronte e vërteta.

Në harmoni me parimet dhe me drejtësinë e tij të përsosur, Perëndia Jehova la të nënkuptohej se secila palë do të kishte dëshmitarët e vet që do të siguronin dëshmi të mjaftueshme në këtë çështje. Koha që Jehovai ka lejuar, u ka dhënë mundësi pasardhësve të Adamit të jetojnë e të japin dëshmi të mëtejshme në favor të Perëndisë. Këtë e bëjnë duke zgjedhur t’i qëndrojnë besnik Perëndisë nga dashuria, pavarësisht vështirësive.

Edhe për sa kohë?

Perëndia Jehova është mjaft i vetëdijshëm se, ndërsa ky proces gjyqësor zhvillohet, njerëzit vazhdojnë të vuajnë. Megjithatë, Ai është i vendosur ta mbyllë çështjen sa më shpejt të jetë e mundur. Bibla e përshkruan atë si «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi». (2 Korintasve 1:3) Është e qartë se «Perëndia i çdo ngushëllimi» nuk do të lejojë që Djalli të jetojë më tepër se ç’është e nevojshme dhe që pasojat e ndikimit të tij të vazhdojnë. Nga ana tjetër, Ai nuk do ta eliminojë Djallin para kohe, pra pa përfunduar një herë e mirë çështja gjyqësore universale.

Kur çështjet të zgjidhen përfundimisht, e drejta e Jehovait për të sunduar do të jetë shfajësuar plotësisht. Çështja ligjore kundër Satanait do të shërbejë si një gur prove për gjithë përjetësinë. Nëse një çështje e ngjashme do të ngrihet përsëri në të ardhmen, rasti i Satanait do të shërbejë si precedent që s’do ketë më nevojë të përsëritet.

Në kohën e duhur, Perëndia Jehova do ta drejtojë Birin e tij të ringjallur që të shfarosë Satanain dhe të zhbëjë veprat e tij. Bibla tregon se kur Krishti «të ketë asgjësuar çdo qeveri, autoritet dhe fuqi, . . . do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij. Sepse, ai duhet të mbretërojë derisa Perëndia t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja.»​—1 Korintasve 15:24-26.

Jemi të lumtur që Bibla premton se do të ketë kushte parajsore në çdo vend të tokës. Njerëzit do të jetojnë në një parajsë paqësore, siç kishte si qëllim Perëndia në fillim. «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.» Po, «të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të».​—Psalmi 37:11, 29.

Vini re çfarë perspektive e mrekullueshme përshkruhet në Bibël për shërbëtorët e Perëndisë: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»​—Zbulesa 21:3, 4.