Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Natyra e butë është udha e mençurisë

Natyra e butë është udha e mençurisë

Tonia, që punon si infermiere, i ra ziles dhe në derë doli një mesogrua. Ajo e ofendoi dhe iu hakërrua Tonias pse nuk kishte shkuar më shpejt për t’u kujdesur për nënën e moshuar të gruas. Tonia nuk kishte vajtur me vonesë në punë. Prapëseprapë, me qetësi i kërkoi falje për keqkuptimin.

KUR shkoi herën tjetër, gruaja iu shfry përsëri me zemërim. Si reagoi Tonia? Ajo pranon: «Ishte një situatë shumë e vështirë. Fjalët e saj të vrazhda ishin të pajustifikuara.» Gjithsesi, Tonia i kërkoi sërish falje dhe i tha gruas se e kuptonte vuajtjen që po kalonte.

Si mendon se do të reagoje po të ishe në vend të Tonias? A do të ishe përpjekur të tregoje një frymë të butë? A do ta kishe të vështirë t’i mbaje nën kontroll nervat? S’diskutohet, mund të mos jetë e lehtë të ruash gjakftohtësinë në një situatë si ajo që përshkruhet më sipër. Është vërtet e vështirë të mbajmë një frymë të butë kur jemi nën stres a kur na provokojnë.

Megjithatë, Bibla i nxit të krishterët të kenë një frymë ose natyrë të butë. Në të vërtetë, Fjala e Perëndisë e lidh karakterin e butë me mençurinë. «Kush ndër ju është i mençur dhe ka kuptueshmëri?»​—pyet Jakovi. «Le të tregojë me sjelljen e vet të shkëlqyer veprat e tij, me butësinë që vjen nga mençuria.» (Jak. 3:13) Në ç’kuptim është tregues i mençurisë nga lart natyra e butë? Dhe çfarë mund të na ndihmojë ta kultivojmë këtë cilësi që i pëlqen Perëndisë?

MENÇURIA E NATYRËS SË BUTË

Natyra e butë mund të qetësojë situatat e tensionuara. «Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë që shkakton dhembje, ngjall zemërim.»​Prov. 15:1.

Një reagim plot zemërim mund ta keqësojë një situatë të pakëndshme, sepse i hedh dru zjarrit. (Prov. 26:21) Kurse një përgjigje e butë shpesh ka efekt qetësues. Madje ajo mund të zbutë edhe qëndrimin e dikujt që është armiqësor.

Tonia e provoi vetë këtë. Kur dëgjoi përgjigjen e butë të Tonias, gruaja s’i mbajti dot lotët. I shpjegoi se i kishin rënë disa halle personale e familjare. Tonia dha dëshmi të shkëlqyer, dhe u nis një studim biblik​—e gjithë kjo falë sjelljes së saj të qetë e paqësore.

Natyra e butë mund të na bëjë të lumtur. «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!»​Mat. 5:5.

Pse janë të lumtur njerëzit me natyrë të butë? Shumë veta që dikur ishin tipa agresivë, tani janë të lumtur ngaqë janë veshur me butësi. Jeta e tyre është përmirësuar dhe e dinë se i pret një e ardhme e mrekullueshme. (Kolos. 3:12) Adolfo, një mbikëqyrës qarkor në Spanjë, kujton si ishte jeta e tij para se të merrte të vërtetën.

Ai thotë: «Jeta ime s’kishte asnjë qëllim. . . . Gjithnjë e humbja vetëkontrollin deri aty sa edhe shokët ua kishin frikën reagimeve të mia arrogante dhe të dhunshme. Më në fund, një pikë kthese për mua ishte një rast kur plasi sherri keq. Mora gjashtë plagë me armë të ftohtë dhe humba aq shumë gjak sa pashë vdekjen me sy.»

Mirëpo tani Adolfo u mëson të tjerëve me fjalë e me vepra të kenë natyrë të butë. Shumë njerëz i bën për vete personaliteti i tij i dashur e i këndshëm. Adolfo thotë se është i lumtur që ka arritur të bëjë ndryshime. Veç kësaj, i është mirënjohës Jehovait që e ka ndihmuar të zhvillojë një natyrë të butë.

Natyra e butë bën të lumtur Jehovain. «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.»​Prov. 27:11.

Jehovain e sfidon armiku i tij kryesor, Djalli. Perëndia ka çdo arsye për t’u zemëruar me këto fyerje të qëllimshme, por Bibla e përshkruan Jehovain si një person që «nuk zemërohet shpejt». (Dal. 34:6) Kur bëjmë çmos të imitojmë Jehovain që nuk zemërohet shpejt dhe që është i butë, ndjekim një udhë të mençur që i pëlqen jashtë mase atij.​—Efes. 5:1.

Shpesh, bota e sotme është një ambient armiqësor. Mund të përballemi me njerëz «mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, . . . shpifës, pa vetëkontroll, të egër». (2 Tim. 3:2, 3) Ama, kjo nuk duhet ta pengojë një të krishterë të kultivojë një frymë të butë. Fjala e Perëndisë na kujton se «mençuria nga lart është . . . paqësore, e arsyeshme». (Jak. 3:17) Kur shfaqim një frymë paqësore e të arsyeshme, japim prova se kemi fituar mençurinë që vjen nga Perëndia. Kjo mençuri do të na shtyjë të reagojmë me butësi kur na provokojnë dhe do të na afrojë gjithnjë e më shumë me Burimin e mençurisë së pafund, Jehovain.