Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gëzimi​—Një cilësi që e fitojmë nga Perëndia

Gëzimi​—Një cilësi që e fitojmë nga Perëndia

NJERËZIT normalisht duan që jeta e tyre të jetë e gëzuar. Por në këto ditë të fundit, secili nga ne has sprova «të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Si pasojë e padrejtësive, shëndetit të dobët, papunësisë, hidhërimit të vdekjes ose shkaqeve të tjera të ankthit e pikëllimit, disa mund ta humbin dalëngadalë gëzimin. Madje edhe shërbëtorët e Perëndisë mund të shkurajohen e t’u venitet gëzimi. Nëse të ka ndodhur kjo, si mund ta rifitosh gëzimin?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, së pari duhet të kuptojmë çfarë është gëzimi i vërtetë dhe si e kanë ruajtur gëzimin të tjerët pavarësisht nga sprovat. Pastaj do të mësojmë ç’mund të bëjmë që ta ruajmë edhe ne gëzimin, e madje ta shtojmë.

ÇFARË ËSHTË GËZIMI?

Të jesh i gëzuar nuk është njësoj si të jesh thjesht në qejf ose gazmor. Ta ilustrojmë: pasi ka kthyer shumë gota, një i dehur mund të qeshë orë e çast. Mirëpo kur bëhet esëll, nuk qesh më dhe mund të kthehet prapë te një jetë plot hidhërime e halle. Hareja e tij momentale nuk ishte gëzim i vërtetë.​—Prov. 14:13.

Në kontrast me këtë, gëzimi është një cilësi e zemrës që ka rrënjë të thella. Ai është përkufizuar si «ndjenja që lind nga fitimi ose pritja e diçkaje të mirë». Gëzimi është një gjendje lumturie ose kënaqësie që nuk largohet pavarësisht nëse kushtet përreth janë të mira apo jo. (1 Sel. 1:6) Në fakt, dikush mund të shqetësohet për diçka, por prapë të ketë gëzim në zemër. Për shembull, apostujt i rrahën sepse folën për Krishtin. Gjithsesi, ata «ikën nga Sinedri të gëzuar, sepse ishin çmuar të denjë të çnderoheshin për emrin e tij». (Vep. 5:41) S’do mend që nuk po gëzonin ngaqë i kishin rrahur. Por si shërbëtorë të Perëndisë, fakti që mbajtën integritetin ndaj tij ishte burim gëzimi të vërtetë.

Një gëzim i tillë nuk është një cilësi e lindur, e as zhvillohet automatikisht. Pse? Sepse gëzimi është pjesë e frytit të frymës së shenjtë të Perëndisë. Me ndihmën e frymës së Perëndisë, mund të zhvillojmë plotësisht «personalitetin e ri», që përfshin gëzimin. (Efes. 4:24; Gal. 5:22) Dhe kur zhvillojmë gëzimin jemi më të aftë të përballojmë streset e jetës.

SHEMBUJ QË DUAM T’I IMITOJMË

Qëllimi i Jehovait ishte që në tokë të lulëzonin gjërat e mira, jo të këqijat që i shohim kaq shpesh sot. Prapëseprapë, ligësitë që bëjnë të tjerët nuk ia grabitin gëzimin Jehovait. Fjala e Perëndisë thotë: «Forca dhe gëzimi janë në vendin e tij.» (1 Kron. 16:27) Veç kësaj, gjërat e mira që po realizojnë shërbëtorët e tij ‘ia gëzojnë zemrën’ Jehovait.​—Prov. 27:11.

Mund ta imitojmë Jehovain duke mos u shqetësuar së tepërmi kur gjërat nuk shkojnë siç e pritnim. Në vend që të humbim gëzimin, mund të përqendrohemi te gjërat e mira që kemi tani dhe të presim me durim gjërat akoma më të mira në të ardhmen. *

Në Bibël gjejmë edhe plot shembuj të njerëzve që e ruajtën gëzimin në situata të rënda. Për shembull, Abrahami u gjend në situata ku rrezikonte jetën dhe në vështirësi që ia shkaktuan të tjerët. (Zan. 12:10-20; 14:8-16; 16:4, 5; 20:1-18; 21:8, 9) Por me gjithë këto presione, Abrahami e ruajti gëzimin në zemër. Si ia doli? Ai kishte të qartë në mendje shpresën për të jetuar në botën e re nën mbretërimin e Mesisë. (Zan. 22:15-18; Hebr. 11:10) Jezui tha: «Abrahami, ati juaj, u gëzua shumë nga shpresa për të parë ditën time.» (Gjoni 8:56) Mund ta imitojmë Abrahamin duke bluar në mendje gëzimet që na presin.​—Rom. 8:21.

Ashtu si Abrahami, apostulli Pavël dhe shoku i tij Sila u përqendruan te premtimet e Perëndisë. Ata kishin besim të fortë dhe e mbajtën gjallë gëzimin pavarësisht nga përvojat negative. Për shembull, pasi i rrahën mizorisht dhe i futën në burg, në ‘mes të natës, ata po luteshin dhe po lëvdonin Perëndinë me këngë’. (Vep. 16:23-25) Përveçse morën forcë nga shpresa e tyre, Pavli dhe Sila ishin të gëzuar ngaqë po vuanin për hir të emrit të Krishtit. Mund t’i imitojmë Pavlin dhe Silën duke mbajtur ndër mend të mirat që vijnë kur i shërbejmë Perëndisë besnikërisht.​—Filip. 1:12-14.

Sot mes vëllazërisë sonë kemi plot shembuj të shkëlqyer të bashkëbesimtarëve që ruajtën gëzimin përballë sprovave. Për shembull, në nëntor të vitit 2013, supertajfuni Haijan bëri kërdinë në Filipinet Qendrore, duke shkatërruar shtëpitë e mbi 1.000 familje Dëshmitarësh. Shtëpia e Xhorxhit në qytetin e Taklobanit u rrafshua. Ai tha: «Pavarësisht nga ajo që ndodhi, vëllezërit janë të lumtur. Nuk i gjej dot fjalët për ta shprehur gëzimin që ndiejmë.» Sa herë që përballojmë vështirësi të mëdha, do ta ruajmë gëzimin nëse meditojmë me çmueshmëri rreth asaj që ka bërë Jehovai për ne. Çfarë tjetër ka siguruar Jehovai që na jep arsye të gëzojmë?

ARSYET QË KEMI PËR TË GËZUAR

A ka vallë arsye më të madhe për të gëzuar sesa marrëdhënia që kemi me Perëndinë?! Vetëm mendo: njohim Sovranin e universit. Ai është Ati, Perëndia dhe Miku ynë!​—Psal. 71:17, 18.

Gjithashtu, e çmojmë tej mase dhuratën e jetës dhe aftësinë për ta shijuar atë. (Ekl. 3:12, 13) Si krijesa me intelekt që Jehovai na ka tërhequr drejt vetes, kuptojmë cili është vullneti i Perëndisë për ne. (Kolos. 1:9, 10) Ja pse kemi një qëllim të vërtetë dhe një drejtim në jetë. Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese e njerëzimit nuk ka asnjë ide të qartë për qëllimin e jetës. Duke nënvizuar këtë kontrast, Pavli shkroi: «‘Syri s’i ka parë dhe veshi s’i ka dëgjuar, as janë konceptuar në zemrën e njeriut gjërat që Perëndia i ka përgatitur për ata që e duan.’ Sepse Perëndia na i ka zbuluar neve nëpërmjet frymës së tij.» (1 Kor. 2:9, 10) A nuk na gëzon zemra ngaqë kuptojmë vullnetin dhe qëllimin e Jehovait?

Të mendojmë çfarë ka bërë tjetër Jehovai për shërbëtorët e tij. A nuk ndihemi të lumtur që mund të na falen mëkatet? (1 Gjon. 2:12) Falë mëshirës së Perëndisë, kemi shpresën e gjallë se një botë e re është në prag. (Rom. 12:12) Qysh tani, Jehovai na jep një shoqëri ndërtuese me bashkadhurues. (Psal. 133:1) Fjala e Perëndisë na siguron edhe se Jehovai i mbron shërbëtorët e vet nga Satanai dhe demonët e tij. (Psal. 91:11) Nëse meditojmë për të gjitha këto bekime nga Perëndia, gëzimi ynë do të bëhet më i thellë e do të rritet.​—Filip. 4:4.

SI TA SHTOJMË GËZIMIN

A mund ta shtojë gëzimin një i krishterë që tashmë është i gëzuar? Jezui tha: «Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të jetë te ju dhe gëzimi juaj të bëhet i plotë.» (Gjoni 15:11) A nuk tregon kjo se gëzimi ynë mund të rritet? Përpjekjet që bën për të shtuar gëzimin mund t’i krahasosh me përpjekjet për të mbajtur ndezur një zjarr. Që zjarri të ngrohë më shumë, duhet ta ushqesh me dru. Po njësoj, që gëzimi yt të rritet, duhet ta ushqesh marrëdhënien me Perëndinë. Mos harro: karburanti i gëzimit tënd është fryma e Perëndisë. Prandaj, do ta zhvillosh më shumë gëzimin duke kërkuar rregullisht ndihmën e frymës së Jehovait dhe duke medituar në lutje për Fjalën e tij të frymëzuar.​—Psal. 1:1, 2; Luka 11:13.

Gëzimin mund ta shtosh edhe duke qenë i zellshëm në veprat që i pëlqejnë Jehovait. (Psal. 35:27; 112:1) Pse? Ngaqë ne u krijuam që ‘t’i frikësohemi Perëndisë së vërtetë dhe të përmbushim urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut’. (Ekl. 12:13) Me fjalë të tjera, ne u projektuam që të bëjmë vullnetin e Perëndisë. Prandaj kur i shërbejmë Jehovait, natyrshëm gjejmë kënaqësinë më të madhe në jetë. *

DOBITË QË SJELL GËZIMI

Ndërsa zhvillojmë gëzimin hyjnor, do të kemi dobi që nuk kufizohen thjesht tek ajo që ndiejmë përbrenda. Për shembull, do të bëhemi më të bukur në sytë e Atit tonë qiellor teksa i shërbejmë me gëzim, pavarësisht nga problemet që mund të përballojmë. (Ligj. 16:15; 1 Sel. 5:16-18) Gjithashtu, nëse kemi gëzim të vërtetë, do të hedhim poshtë një mënyrë jetese materialiste; në vend të kësaj, do të përpiqemi të bëjmë sakrifica edhe më të mëdha personale për hir të Mbretërisë së Perëndisë. (Mat. 13:44) Kur shohim të mirat që vijnë nga kjo, gëzimi ynë do të rritet, do të ndihemi më mirë për veten dhe do t’u shtojmë lumturinë të tjerëve.​—Vep. 20:35; Filip. 1:3-5.

«Nëse je i lumtur dhe i kënaqur me jetën tënde sot, ka më shumë të ngjarë të kesh shëndet të mirë në të ardhmen.» Kështu shkroi një studiues në Universitetin e Nebraskës në Shtetet e Bashkuara pasi shqyrtoi një sërë studimesh për shëndetin. Kjo është në harmoni me Biblën, që thotë: «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç.» (Prov. 17:22) Po, ndërsa e shton gëzimin, ka shumë mundësi të gëzosh shëndet më të mirë.

Pra, ndonëse jetojmë në kohë stresuese, mund të zhvillojmë një gëzim të vërtetë e jetëgjatë teksa marrim frymën e shenjtë me anë të lutjeve, studimit dhe meditimit për Fjalën e Jehovait. E rritim gëzimin tonë edhe kur reflektojmë për bekimet që kemi sot, imitojmë besimin e të tjerëve dhe përpiqemi të bëjmë vullnetin e Perëndisë. Në të gjitha këto mënyra, mund të shijojmë personalisht sa i vërtetë është Psalmi 64:10, që thotë: «I drejti do të gëzojë falë Jehovait dhe me të vërtetë do të gjejë strehë tek ai.»

^ par. 10 Cilësia e durimit do të shqyrtohet në një artikull të ardhshëm të kësaj serie për ‘frytin e frymës’.

^ par. 20 Për më shumë mënyra si ta rritësh gëzimin, shih kutinë « Mënyra të tjera si ta shtosh gëzimin».