Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Me Jehovain gjithçka është e mundur

Me Jehovain gjithçka është e mundur

«NUK do të ketë më vdekje, e madje të vdekurit do të kthehen në jetë.» Gruas sime, që quhet Mairambubu, ia zuri veshi këto fjalë kur po udhëtonte me autobus. U bë kurioze dhe donte të dinte më shumë. Kur autobusi ndaloi dhe pasagjerët zbritën, ajo shkoi pas gruas që kishte thënë ato fjalë. Gruaja quhej Apuna Mambecadikova dhe ishte Dëshmitare e Jehovait. Në ato kohë, ishte e rrezikshme të flisje me Dëshmitarët, por ajo që mësuam më vonë nga Apuna na transformoi jetën.

PUNONIM NGA AGIMI NË MUZG

Linda në vitin 1937 në një kolkoz, ose fermë kolektive, afër Tokmokut në Kirgizistan. Familja jonë i përket popullsisë kirgize dhe flasim gjuhën kirgize. Prindërit e mi ishin bujq dhe punonin në kolkoz nga agimi në muzg. Fshatarët furnizoheshin me ushqime rregullisht, kurse rrogë merrnin vetëm një herë në vit. Mamasë i dilte shpirti që të kujdesej për mua dhe motrën e vogël. Pasi bëra vetëm pesë vite shkollë, fillova të punoja edhe unë në kohë të plotë në kolkoz.

Vargmali Teskej Ala-Tu

Në rajonin ku jetoja, varfëria ishte shumë e përhapur dhe të binte bretku që të nxirrje bukën e gojës. Kur isha i ri nuk e vrisja shumë mendjen për qëllimin e jetës a për të ardhmen. S’e imagjinoja kurrë që të vërtetat e mrekullueshme për Perëndinë Jehova dhe për qëllimin e tij do të më transformonin jetën. Historia si arriti dhe si u përhap ky mesazh në Kirgizistan është emocionuese. Gjithçka nisi në rajonin tim, në veri të Kirgizistanit.

ISH TË INTERNUARIT SJELLIN TË VËRTETËN NË KIRGIZISTAN

Në Kirgizistan farat e së vërtetës për Perëndinë Jehova zunë rrënjë në vitet 50. Për t’u arritur kjo, e vërteta duhej të mposhtte një ideologji të fuqishme. Pse? Vendi që sot njihet si Kirgizistan i përkiste atëherë Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). Në mbarë BRSS-në, Dëshmitarët e Jehovait qëndronin asnjanës në çështjet politike. (Gjoni 18:36) Ja pse i përndiqnin si armiq të shtetit komunist. Mirëpo asnjë ideologji nuk mund ta pengojë Fjalën e Perëndisë të depërtojë në zemrat e njerëzve të sinqertë. Në fakt, një nga mësimet më të çmuara që kam nxjerrë në tërë jetën time të gjatë është se me Jehovain përkrah, «gjithçka është e mundur».​—Mar. 10:27.

Emil Janceni

Përndjekja e Dëshmitarëve të Jehovait çoi në shtimin e tyre në Kirgizistan. Si ka mundësi? BRSS-ja përfshinte rajonin e Siberisë, ku internoheshin armiqtë e shtetit. Kur mbaronin dënimin, shumë nga këta të internuar vinin në Kirgizistan, e disa sollën të vërtetën. Një nga ish të internuarit ishte Emil Janceni, që kishte lindur në Kirgizistan më 1919. Emilin e çuan në një kamp pune ku takoi Dëshmitarët. Ai pranoi të vërtetën dhe u kthye në vendlindje në vitin 1956. Emili u vendos pranë Zokulukut, në rajonin tim. Zokuluku është qyteti ku u formua më 1958 kongregacioni i parë në Kirgizistan.

Viktor Vinteri

Rreth një vit më vonë, në Zokuluk u transferua Viktor Vinteri. Ky vëlla besnik hoqi vështirësi të njëpasnjëshme. Vuajti 2 dënime me nga 3 vite burg ngaqë mbajti asnjanësinë, pastaj kaloi edhe 10 vite të tjera në burg dhe 5 vjet në internim. Prapëseprapë, përndjekja nuk e ndaloi përparimin e adhurimit të vërtetë.

E VËRTETA VJEN MË AFËR QYTETIT TIM

Eduard Varteri

Në vitin 1963 ishin tashmë rreth 160 Dëshmitarë në Kirgizistan, shumë prej tyre me origjinë nga Gjermania, Ukraina dhe Rusia. Ndër ta ishte Eduard Varteri, një i internuar që ishte pagëzuar në Gjermani më 1924. Në vitet 40, nazistët e kishin çuar në një kamp përqendrimi dhe disa vjet më vonë, komunistët në BRSS e kishin internuar. Në vitin 1961 ky vëlla besnik u transferua në qytetin e Kantit, që ndodhet shumë pranë qytetit tim.

Elizabeta Foti; Aksamei Sulltanaljeva

Në Kant jetonte edhe Elizabeta Foti, një shërbëtore besnike e Jehovait. Për të siguruar jetesën, punonte si rrobaqepëse. Ngaqë ishte e zonja në zanatin e saj, njerëz me profesione si mjekë a mësues qepnin tek ajo. Një nga klientet e saj quhej Aksamei Sulltanaljeva, gruaja e një zyrtari të prokurorisë së shtetit. Aksamei shkoi tek Elizabeta për të qepur rroba, por i bëri shumë pyetje rreth kuptimit të jetës dhe gjendjes së të vdekurve. Elizabeta iu përgjigj pyetjeve të saj direkt nga Bibla. Aksamei u bë një lajmëtare e zellshme e lajmit të mirë.

Nikolai Çimposhi

Rreth asaj kohe, Nikolai Çimposhi nga Moldavia u emërua mbikëqyrës qarkor dhe shërbeu si i tillë për gati 30 vjet. Ai jo vetëm vizitonte kongregacionet, por edhe organizonte shumëfishimin dhe shpërndarjen e literaturës sonë. Aktivitetet e tij u ranë në sy autoriteteve. Kështu, Eduard Varteri i dha Nikolait këto këshilla inkurajuese: «Kur autoritetet të të marrin në pyetje, thuaju hapur se e marrim literaturën nga selia botërore në Bruklin. Shikoje agjentin e KGB-së drejt e në sy. S’ke arsye pse të frikësohesh.»​—Mat. 10:19.

Pak pas asaj bisede, Nikolain e thirrën në qendrën e KGB-së në Kant. Ai tregoi çfarë ndodhi më tej: «Agjenti më pyeti nga e merrnim literaturën. I thashë se e merrnim nga Bruklini. Kur dëgjoi këtë, s’dinte ç’të thoshte. Thjesht më la të ikja dhe nuk më thirri më kurrë.» Këta Dëshmitarë sypatrembur vazhduan të përhapnin me maturi lajmin e mirë në rajonin ku jetoja, në veri të Kirgizistanit. Kur më në fund e vërteta e vyer për Jehovain arriti në familjen time në vitet 80, e para që e dëgjoi ishte ime shoqe, Mairambubu.

IME SHOQE DALLON SHPEJT TINGULLIN E SË VËRTETËS

Mairambubu është nga rajoni i Narinit në Kirgizistan. Një ditë në gusht të 1974-s erdhi për vizitë te shtëpia e motrës sime ku u takuam për herë të parë. Më pëlqeu sa e pashë dhe u martuam po atë ditë.

Apuna Mambecadikova

Në janar 1981, kur po shkonte në treg me autobus, gruas sime i zuri veshi bisedën që përmenda në fillim. Mairambubu donte të dinte më shumë, ndaj i kërkoi gruas emrin dhe adresën. Ajo i tregoi se quhej Apuna, por bëri kujdes sepse edhe në vitet 80, aktivitetet e Dëshmitarëve ishin të ndaluara. Në vend që t’i jepte adresën e vet, Apuna mori shënim adresën tonë. Ime shoqe erdhi në shtëpi plot entuziazëm.

«Kam dëgjuar gjëra të mrekullueshme,​—më tha.—​Një grua më tregoi se së shpejti njerëzit nuk do të vdesin më. Madje edhe kafshët e egra do të zbuten.» Mua kjo m’u duk si përrallë. I thashë: «Të presim njëherë të vijë për të na treguar hollësitë.»

Apuna na erdhi në shtëpi tre muaj më vonë. Ajo vizitë u pasua edhe nga të tjera, falë të cilave njohëm disa nga Dëshmitarët e parë të popullsisë kirgize. Motrat që vinin, na mësuan të vërtetat e mrekullueshme për Jehovain dhe qëllimin e tij për njerëzimin. Na bënë studim me librin Nga parajsa e humbur në parajsën e rifituar. * E meqë në Tokmok gjendej vetëm një kopje e këtij libri, e kopjuam me dorë që të kishim librin tonë.

Një nga gjërat e para që mësuam ishte profecia e Zanafillës 3:15. Kjo profeci do të plotësohet nëpërmjet Jezuit si Mbreti mesianik i Perëndisë. Ky është një mesazh i rëndësishëm që duhet ta dëgjojë çdo njeri! Një arsye më e fortë kjo për t’u bashkuar në veprën e predikimit. (Mat. 24:14) Shpejt, e vërteta e Biblës nisi të na transformonte jetën.

MBLEDHJET DHE PAGËZIMI NË KOHËN E NDALIMIT

Një vëlla në Tokmok na ftoi në një dasmë. Unë dhe gruaja e vumë re menjëherë që Dëshmitarët silleshin ndryshe. Në dasmë nuk kishte alkool dhe çdo gjë u zhvillua me rregull. Kjo bënte shumë kontrast me dasmat e tjera ku kishim marrë pjesë e ku të ftuarit shpesh deheshin, silleshin keq dhe përdornin fjalë të ndyra.

Veç kësaj, ndoqëm disa mbledhje në kongregacionin e Tokmokut. Kur e lejonte moti, ato mbaheshin në pyll. Vëllezërit e motrat e dinin se policia i mbante nën vëzhgim të rreptë, prandaj vinin një rojë. Në dimër i mbanim mbledhjet nëpër shtëpi. Kishte raste kur policët hynin në shtëpi dhe donin të dinin çfarë po bënim. Kur unë dhe Mairambubu u pagëzuam në korrik të vitit 1982 në lumin Çuj, duhej të tregoheshim të kujdesshëm. (Mat. 10:16) Vëllezërit vinin në grupe të vogla dhe u mblodhën në pyll. Kënduam një këngë Mbretërie dhe dëgjuam fjalimin e pagëzimit.

SHFRYTËZOJMË RASTIN PËR TË ZGJERUAR SHËRBIMIN

Në vitin 1987, një vëlla më kërkoi të vizitoja një të interesuar që jetonte në qytetin e Balikçit. Që të shkonim atje, duhej të udhëtonim 4 orë me tren. Pasi vajtëm disa herë në Balikçi për të predikuar, gjetëm interes të madh. Dukej qartë se kjo ishte një mundësi për të zgjeruar shërbimin.

Unë dhe ime shoqe udhëtonim shpesh për në Balikçi. Zakonisht në fundjavë rrinim atje, dilnim në shërbim dhe mbanim mbledhjet. Kërkesa për botimet tona u rrit në mënyrë drastike. Botimet që merrnim nga Tokmoku i mbanim në një mishok, një thes që përdoret për të transportuar patate. Dy thasë plot çdo muaj mezi i plotësonin kërkesat për literaturë. Edhe rrugës vajtje-ardhje për në Balikçi, kishim mundësi t’u dëshmonim pasagjerëve në tren.

Më 1995, tetë vjet pas vizitës sonë të parë në Balikçi, u formua një kongregacion. Udhëtimet e atyre viteve nga Tokmoku në Balikçi kushtonin shumë. Të ardhurat tona ishin të kufizuara. Atëherë, si ia dilnim? Një vëlla na jepte rregullisht para për të mbuluar shpenzimet. Jehovai e pa dëshirën tonë për të zgjeruar shërbimin dhe na hapi «portat e qiejve». (Mal. 3:10) Pa dyshim që me Jehovain përkrah, gjithçka është e mundur!

TË PËRKUSHTUAR PAS FAMILJES DHE SHËRBIMIT

Më 1992 u emërova plak kongregacioni, plaku i parë kirgiz në vend. Në kongregacionin e qytetit tonë, në Tokmok, u krijuan mundësi të reja shërbimi. Kishim shumë studime biblike me të rinj kirgizë që studionin në shkolla profesionale. Një nga të rinjtë me të cilët studiuam, tani shërben në Komitetin e Degës dhe dy të tjerë janë pionierë specialë. Gjithashtu, bënim çmos të ndihmonim ata që vinin në mbledhje. Në fillim të viteve 90, botimet tona dhe mbledhjet ishin në gjuhën ruse. Mirëpo, gjithnjë e më shumë veta në kongregacion kishin gjuhë amtare gjuhën kirgize. Prandaj unë përktheja, e kjo i ndihmonte ta kuptonin më kollaj të vërtetën.

Me gruan dhe tetë nga fëmijët tanë më 1989

Unë dhe Mairambubu vazhdonim t’i përkushtoheshim edhe familjes sonë që rritej. I merrnim fëmijët në veprën e predikimit dhe në mbledhjet e kongregacionit. Vajza jonë Gulsajra​—12 vjeçe në atë kohë—​kishte qejf të fliste me kalimtarët në rrugë dhe t’u tregonte për Biblën. Fëmijëve tanë u pëlqente shumë të mësonin përmendsh vargje biblike. Kështu ata, e më vonë nipërit e mbesat, ishin të zhytur në aktivitetet e kongregacionit. Nga 9 fëmijët dhe 11 nipërit e mbesat që jetojnë ende, 16 i shërbejnë Jehovait ose ndjekin mbledhjet me prindërit e tyre.

NDRYSHIME MBRESËLËNËSE

Vëllezërit e motrat e dashura që nisën veprën e Jehovait në zonën tonë në vitet 50 do të mrekulloheshin po të shihnin ndryshimet që kemi pasur. Së pari, që nga vitet 90 kemi gëzuar më shumë liri për të predikuar lajmin e mirë dhe për t’u mbledhur në grupe të mëdha.

Me gruan në shërbim

Në vitin 1991 unë dhe ime shoqe ndoqëm për herë të parë një kongres në Alma-Atë, në Kazakistan. E më 1993 vëllezërit në Kirgizistan organizuan për herë të parë një kongres në stadiumin «Spartak» në Bishkek. Para kongresit lajmëtarët kaluan një javë për të pastruar stadiumin. Drejtorit i bëri kaq përshtypje, sa na lejoi ta përdornim stadiumin falas.

Viti 1994 shënoi një tjetër ngjarje historike kur doli botimi i parë në gjuhën kirgize. Tani një skuadër përkthimi në zyrën e degës në Bishkek përkthen rregullisht literaturë në gjuhën kirgize. Në fakt, në vitin 1998 vepra e Dëshmitarëve u njoh ligjërisht në Kirgizistan. Organizata është rritur dhe tani jemi më tepër se 5.000 lajmëtarë. Sot kemi gjithsej 83 kongregacione dhe 25 grupe në gjuhët angleze, kineze, kirgize, ruse, ruse të shenjave, turke, ujgure dhe uzbeke. Të gjithë këta bashkëbesimtarë të dashur me prejardhje të ndryshme i shërbejnë Jehovait në unitet. Tërë këto ndryshime mbresëlënëse i ka bërë të mundura Jehovai.

Gjithashtu, Jehovai ka transformuar jetën time. U rrita në një familje fshatare të thjeshtë dhe bëra vetëm pesë vite shkollë. Megjithatë, Jehovai më ka përdorur që të shërbej si plak dhe që t’u mësoj të vërtetat e çmuara biblike njerëzve më të arsimuar se unë. Po, Jehovai bën realitet gjërat më të pazakonta. Përvoja e jetës sime më nxit të vazhdoj të dëshmoj besnikërisht për Jehovain, me të cilin «gjithçka është e mundur».​—Mat. 19:26.

^ par. 21 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.