Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse ekziston rrethi vicioz i urrejtjes?

Pse ekziston rrethi vicioz i urrejtjes?

Pse ekziston një rreth i tillë në botë? Për të ditur arsyen, duhet të kuptojmë ç’është urrejtja, pse njerëzit fillojnë të urrejnë dhe si përhapet.

Ç’është urrejtja?

Urrejtja është ndjenjë jashtëzakonisht e fortë papëlqyeshmërie ose armiqësie ndaj dikujt a një grupi njerëzish. Është dëshirë e vazhdueshme për ta parë tjetrin keq.

PSE NJERËZIT FILLOJNË TË URREJNË

Njerëzit fillojnë të urrejnë për arsye nga më të ndryshmet. Shpesh urrejtja nuk shfaqet ndaj të tjerëve medoemos për shkak të asaj që bëjnë, por për shkak të asaj që janë. Viktimat e urrejtjes mund të konsideron si njerëz të ligj, që duan t’u bëjnë keq të tjerëve, të pandreqshëm, inferiorë, kërcënim për shoqërinë ose si shkaktarë të problemeve. Njerëzit që urrejnë të tjerët, mund të kenë qenë viktima të dhunës, të padrejtësive a të diçkaje tjetër që ndezi brenda tyre ndjenja armiqësie.

SI PËRHAPET

Dikush mund t’i urrejë të tjerët pa pasur kontakt të drejtpërdrejtë me ta. Për shembull, mund të përvetësojë pa e kuptuar pikëpamjen paragjykuese të atyre që ka për zemër dhe respekton. Kështu urrejtja përhapet fare kollaj dhe bëhet pikëpamja e një grupi të tërë.

Kur shohim sa lehtë përhapet urrejtja, është e kuptueshme pse gjen kaq shumë terren. Ama, për t’i dhënë fund rrethit vicioz të urrejtjes që ka mbërthyer botën sot, duhet të shkojmë në rrënjë të problemit, e për këtë na vjen në ndihmë Bibla.

BIBLA ZBULON RRËNJËT E URREJTJES

URREJTJA NUK KA ORIGJINË NJERËZORE. Urrejtja zuri fill kur një engjëll në qiell, që u quajt Satana Djalli, u rebelua kundër Perëndisë. Djalli «ishte vrasës që kur filloi» rebelimin e tij dhe, si «gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës», vazhdon t’u fryjë flakëve të urrejtjes e të dhunës. (Gjoni 8:44; 1 Gjonit 3:11, 12) Bibla e përshkruan si të lig, plot zemërim dhe agresiv.—Jobi 2:7; Zbulesa 12:9, 12, 17.

URREJTJA ËSHTË PRIRJE E TRASHËGUAR. Njeriu i parë, Adami, ndoqi Satanain në rrugën e mëkatit. Si rezultat, të gjithë njerëzit kanë trashëguar mëkatin dhe papërsosmërinë. (Romakëve 5:12) Djali i madh i Adamit, Kaini, gjithë urrejtje vrau vëllanë e tij, Abelin. (1 Gjonit 3:12) Është e vërtetë që sot ka shumë njerëz të dashur e të dhembshur. Por për shkak të mëkatit të trashëguar, shumica kanë prirjen të jenë egoistë, ziliqarë dhe krenarë—tipare që ushqejnë urrejtjen.—2 Timoteut 3:1-5.

URREJTJA LULËZON NË NJË BOTË INTOLERANTE. Bota ku jetojmë, nxit urrejtjen me anë të qëndrimeve e sjelljeve të pamëshirshme e të dëmshme. Intoleranca, paragjykimi, të folurit fyes, bullizmi dhe vandalizmi lulëzojnë ngaqë «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut», Satana Djallit.—1 Gjonit 5:19.

Megjithatë, Bibla nuk na zbulon vetëm rrënjët e urrejtjes. Ajo na jep edhe zgjidhjen.