Kalo te përmbajtja

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Guajanë

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Guajanë

 «S’kam fjalë për të përshkruar gëzimin që provova kur shërbeva aty ku kishte më tepër nevojë!» Kështu u shpreh Xhoshua, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara por që ka shërbyer njëfarë kohe në Guajanë. Njësoj si ai ndiejnë gëzim edhe shumë Dëshmitarë të tjerë që kanë shërbyer në territorin e frytshëm të këtij vendi të Amerikës së Jugut. a Çfarë gjërash praktike mund të mësojmë nga ata që kanë shërbyer aty ku ka më tepër nevojë? Nëse ke dëshirë të shërbesh në një vend të huaj, si mund të përgatitesh edhe ti?

Çfarë i motivoi të transferoheshin?

Lineli

 Para se të shkonte në Guajanë, vëlla Lineli shërbente në vendin e tij në Shtetet e Bashkuara, në territore ku predikohet rrallë. Ai thotë: «Ishim një grup prej 20 vetash që na caktuan në një zonë rurale të Virxhinias Perëndimore. Predikimi dhe shoqëria që shijova gjatë atyre 2 javëve më ndryshuan jetën. Pas kësaj isha edhe më i vendosur që t’i shërbeja më plotësisht Jehovait.»

Erika dhe Garthi

 Garthi dhe Erika janë një çift që menduan seriozisht të shërbenin në një vend tjetër dhe zgjodhën Guajanën. Erika tregon pse zgjodhën këtë vend: «Bashkë me tim shoq njihnim një çift që ishte transferuar atje. Entuziazmi dhe dashuria e tyre për shërbimin në Guajanë na nxiti të transferoheshim edhe ne.» Erika dhe Garthi i përshkruajnë si «të paharrueshme» 3 vitet që kaluan atje. Garthi thotë: «Provuam shërbimin në një vend tjetër dhe e shijuam vërtet.» Më vonë ndoqën Shkollën e Galaadit dhe tani shërbejnë në Bolivi.

Ata që shërbejnë në vende të huaja, shpesh kënaqen me biseda të bukura për Biblën

Si u përgatitën?

 Parimet e Biblës na inkurajojnë që të mbajmë një jetë të thjeshtë. (Hebrenjve 13:5) Gjithashtu, ajo na nxit t’i bëjmë mirë llogaritë kur marrim vendime të rëndësishme. (Luka 14:26-33) S’diskutohet që këtu përfshihet edhe vendimi për t’u transferuar në një vend tjetër. Garthi shkruan: «Para se të shkonim në Guajanë, na u desh të thjeshtonim jetën. Kjo do të thoshte të shitnim biznesin, shtëpinë dhe të gjitha gjërat e panevojshme. Kjo na mori ca vite. Ndërkohë nuk e humbëm dëshirën për të shërbyer në Guajanë, duke mbajtur këtë synim e duke udhëtuar çdo vit atje.»

Shinada dhe Poli

 Të ardhurat janë një faktor tjetër që duhet të marrin parasysh ata që duan të shërbejnë ku ka më tepër nevojë. Ka vende që ligji i lejon të punojnë. Edhe pse janë larg, disa bëjnë të njëjtën punë online. Të tjerë kthehen në vendin e tyre për të punuar për periudha të shkurtra. Një çift nga Irlanda, Poli dhe Shinada, shkonin çdo vit në vendin e tyre për të punuar. Në këtë mënyrë shërbyen për 18 vite fantastike, duke përfshirë edhe 7 vjet pasi u lindi vajza.

Kristoferi dhe Lorisa

 Te Psalmi 37:5 (nwt) thuhet: «Lëre udhën tënde në dorë të Jehovait; mbështetu tek ai, dhe ai do të veprojë për të mirën tënde.» Kristoferi dhe Lorisa nga Shtetet e Bashkuara luteshin rregullisht për synimin që të shërbenin në një vend të huaj. Gjithashtu, gjatë adhurimit familjar diskutonin çfarë duhej të bënin që të kishin sukses në atë vend, duke peshuar mirë pluset e minuset. Ata zgjodhën Guajanën, ku anglishtja është gjuha zyrtare, e kështu nuk kishin pse të mësonin një gjuhë të re.

 Hapi tjetër ishte që zbatuan parimin e Proverbave 15:22 (nwt): «Planet prishen kur nuk konsultohesh, por plotësohen me shumë këshilltarë.» Ata i shkruan një letër prezantimi zyrës së degës që mbikëqyr veprën në Guajanë, b ku shpjeguan se ishin të gatshëm për të shërbyer atje. Kërkuan edhe informacione për shërbimet shëndetësore, klimën dhe zakonet e vendit. Dega iu përgjigj pyetjeve të tyre dhe i ndihmoi të kontaktonin trupin e pleqve në zonën ku do të transferoheshin më vonë.

 Lineli, i përmendur më sipër, tani shërben si mbikëqyrës udhëtues në Guajanë. Para se të transferohej, edhe ai kishte zbatuar parimin që gjendet te Proverbat 15:22. Lineli shprehet: «Përveçse të kurseja për udhëtimin, fola me të tjerë që kishin shërbyer në një vend të huaj. E diskutova këtë me familjen, me pleqtë e kongregacionit dhe me mbikëqyrësin qarkor. Gjithashtu, lexova çdo gjë që arrita të gjeja në botime për shërbimin në vendet ku ka më tepër nevojë.»

Xhozefi dhe Kristina

 Shumë që duan të shërbejnë në vend të huaj me mençuri vendosin që ta vizitojnë njëherë vendin. Një çift, Xhozefi dhe Kristina, u shprehën: «Herën e parë që shkuam në Guajanë, qëndruam 3 muaj. Kaq kohë na mjaftoi për të kuptuar nëse mund të përshtateshim. Pastaj u kthyem në shtëpi, vumë gjërat në vijë dhe u transferuam.»

Si u përshtatën?

Xhoshua

 Që të kesh sukses teksa i shërben Perëndisë në një vend të huaj, duhet të kesh një frymë vetëmohuese dhe të jesh i gatshëm të përshtatesh me kushtet dhe zakonet e vendit. Për shembull, ata që lëvizin nga rajone më të ftohta në vende tropikale shpesh zbulojnë që atje ka lloj-lloj insektesh. Xhoshua, i përmendur më sipër, thotë: «S’kisha parë ndonjëherë kaq shumë insekte. Duket se edhe ato e kishin për zemër Guajanën. Por me kalimin e kohës u mësova edhe unë me to. Vura re se sa më e pastër të jetë shtëpia, aq më pak të vizitonin insektet. Kjo përfshin të mos lësh enë pa larë, të hedhësh mbeturinat dhe ta pastrosh rregullisht shtëpinë.»

 Gjithashtu, kur shkon në një vend tjetër, ndoshta duhet të mësohesh me ushqimet vendëse dhe të dish si t’i gatuash. Xhoshua kujton: «Bashkë me vëllanë që jetonte me mua, u kërkonim vëllezërve e motrave të na mësonin të gatuanim me prodhimet e vendit. Pasi mësonim një lloj gatimi, ftonim disa nga kongregacioni që të hanim së bashku. Ishte një mënyrë shumë e mirë për t’u njohur me vëllezërit dhe për të krijuar miqësi.»

Poli dhe Ketlina

 Duke folur për zakonet e vendit, Poli dhe Ketlina kujtojnë: «Për ne ishte diçka e re të përshtateshim me normat e pranueshme në tropik, për sjelljen dhe për veshjen. Ndaj duhej të ishim të përulur e të bënim ndryshime, por pa bërë kompromis me parimet e Biblës. Përshtatja me kulturën vendase na afroi më tepër me kongregacionin dhe ndikoi për mirë në shërbimin tonë.»

Si nxorën dobi?

 Te këto fjalë të Xhozefit dhe të Kristinës gjejnë veten edhe shumë të tjerë: «Bekimet janë ku e ku më të mëdha se sfidat e vështirësitë. Vendimi për të lënë rehatinë tonë na ndihmoi të rishikonim përparësitë. Ato që më përpara ishin të rëndësishme për ne, tani nuk janë edhe aq. Pas çdo eksperience ishim edhe më të vendosur të vazhdonim të bënim gjithçka për Jehovain. Ndiheshim vërtet të kënaqur e të lumtur.»

 Erika, që u përmend më lart, thotë: «Shërbimi aty ku kishte më tepër nevojë na ndihmoi të kuptonim më plotësisht se ç’do të thotë të besosh te Jehovai. E kemi parë dorën e tij në mënyra që s’i kishim provuar më parë. Dhe gjërat e reja që kemi kaluar së bashku na kanë lidhur më ngushtë me njëri-tjetrin.»

aLibrin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 2005 tregohet historia e veprës në Guajanë.

b Dega e Trinidadit dhe Tobagos mbikëqyr veprën atje.