Kalo te përmbajtja

A është Mbretëria e Perëndisë në zemrën tënde?

A është Mbretëria e Perëndisë në zemrën tënde?

Përgjigjja e Biblës

 Jo, Mbretëria e Perëndisë nuk është një gjendje në zemrën e të krishterëve. a Bibla identifikon vendndodhjen e saj të vërtetë kur e quan «mbretëria e qiejve». (Mateu 4:17, Diodati i Ri) Shqyrto si e tregon Bibla se ajo është një qeveri reale që po sundon nga qielli.

  •   Mbretëria e Perëndisë ka sundimtarë, nënshtetas, ligje dhe një mandat me qëllim që vullneti i Perëndisë të bëhet në qiell dhe në tokë.​—Mateu 6:10; Zbulesa 5:10.

  •   Qeveria ose Mbretëria e Perëndisë do të sundojë mbi gjithë «popujt, kombet dhe gjuhët» e tokës. (Danieli 7:13, 14) Autoritetin për të sunduar nuk ia japin nënshtetasit, por vetë Perëndia.​—Psalmi 2:4-6; Isaia 9:7.

  •   Jezui u tha apostujve besnikë se do të ishin me të në Mbretërinë e qiejve që ‘të uleshin në frone’.​—Luka 22:28, 30.

  •   Kjo Mbretëri ka armiq, të cilët do t’i shkatërrojë.​—Psalmi 2:1, 2, 8, 9; 110:1, 2; 1 Korintasve 15:25, 26.

 Bibla nuk mëson se Mbretëria e qiejve është në zemrën tënde në kuptimin që sundon përmes zemrës së një personi. Gjithsesi, ajo tregon se ‘fjala e mbretërisë’ ose ‘lajmi i mirë për mbretërinë’ mund dhe duhet të na prekë zemrën.​—Mateu 13:19; 24:14.

Çfarë do të thotë shprehja «mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush»?

 Disa janë pështjelluar për vendndodhjen e Mbretërisë nga përkthimi i Lukës 17:21 në disa versione të Biblës. Për shembull, përkthimi Diodati i Ri thotë se «mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush». Për ta kuptuar siç duhet këtë varg, duhet të shqyrtojmë kontekstin.

Mbretëria e Perëndisë nuk ishte në zemrën e kundërshtarëve kryeneçë dhe vrasës të Jezuit

 Jezui po fliste me farisenjtë, një grup krerësh fetarë që iu kundërvunë dhe morën pjesë në komplotin e vrasjes së tij. (Mateu 12:14; Luka 17:20) A ka kuptim të mendojmë që Mbretëria ishte një gjendje në zemrën e tyre kryeneçe? Jezui u tha: «Përbrenda jeni plot me hipokrizi dhe paligjshmëri.»​—Mateu 23:27, 28.

 Përkthime të tjera i qartësojnë mirë fjalët e Jezuit te Luka 17:21: «Mbretëria e Hyjit është mes jush!» (Kursivi është yni; Bibla Simon Filipaj) «Mbretëria e Perëndisë është mes jush.» (Përkthimi Bota e Re) Mbretëria e qiejve ishte «mes» farisenjve në kuptimin që Jezui, ai që ishte caktuar nga Perëndia për të sunduar si Mbret, ndodhej para tyre.​—Luka 1:​32, 33.

a Shumë fe të krishtere mësojnë se Mbretëria e Perëndisë është brenda një personi ose në zemrën e tij. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, Kuvendi i Baptistëve Jugorë deklaroi se Mbretëria e Perëndisë është pjesërisht «mbretërimi i Perëndisë në zemrën dhe jetën e individit». Po kështu, papa Benedikti XVI tha në librin e tij Jezui i Nazaretit: «Mbretëria e Perëndisë vjen kur një zemër bindet.»