Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për vullnetin e lirë? A i ka Perëndia në dorë gjërat?

Çfarë thotë Bibla për vullnetin e lirë? A i ka Perëndia në dorë gjërat?

Përgjigjja e Biblës

 Perëndia na ka trajtuar me dinjitet duke na dhënë vullnet të lirë, fuqinë për t’i marrë vetë vendimet, në vend që t’ia lëmë Perëndisë ose fatit të paracaktojë se ç’do të bëjmë. Shqyrto çfarë mëson Bibla.

  •   Perëndia i ka krijuar njerëzit sipas shëmbëlltyrës së tij. (Zanafilla 1:26) Ndryshe nga kafshët, që kryesisht udhëhiqen nga instinkti, ne i ngjajmë Krijuesit sepse jemi të aftë të shfaqim cilësi si dashuria dhe drejtësia. Dhe, ashtu si Krijuesi ynë, ne kemi vullnet të lirë.

  •   Në një masë të madhe, ne mund ta zgjedhim vetë të ardhmen tonë. Bibla na nxit ‘të zgjedhim jetën duke e dëgjuar zërin e Perëndisë’, pra, të zgjedhim t’u bindemi urdhërimeve të tij. (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Kjo mundësi do të ishte e pakuptimtë, madje mizore, nëse s’do të kishim vullnet të lirë. Në vend që të na detyrojë të bëjmë ç’thotë ai, Perëndia na bën këtë thirrje të ngrohtë: «Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë.»—Isaia 48:18.

  •   Suksesi ose dështimi ynë nuk vendoset nga fati. Nëse duam të kemi sukses në diçka, duhet të përpiqemi fort. Bibla thotë: «Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde.» (Eklisiastiu 9:10) Gjithashtu, thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.»—Proverbat 21:5.

 Vullneti i lirë është dhuratë e çmuar nga Perëndia, pasi na lejon ta duam atë «me gjithë zemrën» tonë, pa qenë të detyruar.—Mateu 22:37.

A nuk e ka gjithçka Perëndia në dorë?

 Bibla na mëson se Perëndia është i Plotfuqishmi; askush s’mund t’ia kufizojë fuqinë. (Jobi 37:23; Isaia 40:26) Gjithsesi, ai nuk e përdor fuqinë për të kontrolluar gjithçka. Për shembull, Bibla thotë se Perëndia ‘tregoi vetëkontroll’ ndaj Babilonisë së lashtë, një armike e popullit të tij. (Isaia 42:14) Në mënyrë të ngjashme, tani për tani, ai zgjedh t’i tolerojë ata që e keqpërdorin vullnetin e lirë në dëm të të tjerëve. Por Perëndia nuk do t’i tolerojë pafundësisht.—Psalmi 37:10, 11.