Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

2 Timoteut 1:7—«Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike»

2 Timoteut 1:7—«Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike»

 «Perëndia nuk na dha frymën e frikacakëve, por të fuqisë, të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë.»—2 Timoteut 1:7, Përkthimi Bota e Re.

 «Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.»—2 Timoteut 1:7, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i 2 Timoteut 1:7

 Perëndia mund ta ndihmojë një njeri të ketë guxim për të bërë atë që është e drejtë. Zoti nuk do që ndonjë të dorëzohet para ‘frikës’—një frike të papërshtatshme që mund ta pengojë dikë të bëjë gjërat që i pëlqejnë Atij.

 Në këtë varg përmenden tri cilësi që na jep Perëndia e që mund të na ndihmojnë ta kapërcejmë frikën.

 ‘Fuqia.’ Të krishterët ia kanë dalë mbanë që t’i shërbejnë Perëndisë me guxim edhe kur janë përballur me shumë armiq e situata të rrezikshme. Ata nuk janë sprapsur nga frika. (2 Korintasve 11:23-27) Si ka mundësi? Apostulli Pavël e shpjegon kështu: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:13) Perëndia mund t’u japë adhuruesve të tij ‘fuqi përtej asaj që është normale’ që të dalin fitimtarë para çdo sfide.—2 Korintasve 4:7.

 ‘Dashuria.’ Dashuria e thellë për Zotin e ndihmon një të krishterë të mbrojë me guxim atë që është e drejtë. Po kështu, dashuria për njerëzit e tjerë e motivon që të vendosë nevojat e tyre para të tijave, edhe kur përballet me kundërshtim ose rreziqe.—Gjoni 13:34; 15:13.

 ‘Mendja e shëndoshë.’ Në Bibël, kjo cilësi zakonisht i referohet aftësisë për të marrë vendime të mençura duke u bazuar tek ajo që mëson Bibla. Një njeri me mendje të shëndoshë arrin të arsyetojë si duhet dhe të ruajë një mendje të kthjellët edhe kur has vështirësi. Ai merr vendime që përputhen me mënyrën si mendon Perëndia, sepse miqësinë me Perëndinë e konsideron më të rëndësishme se opinionin e të tjerëve.

Konteksti i 2 Timoteut 1:7

 Librin e Biblës që e njohim si Letra e dytë drejtuar Timoteut, e shkroi apostulli Pavël. Këtë letër ai ia drejtoi mikut dhe bashkëpunëtorit të tij të shtrenjtë, Timoteut. Nëpërmjet saj, Pavli i jep zemër Timoteut të ri që të vazhdojë të punojë fort në shërbim. (2 Timoteut 1:1, 2) Ndoshta Timoteu ishte pak i ndrojtur dhe mbase kjo e stepte disi që të bënte gjithçka mundej në kongregacion. (1 Timoteut 4:12) Mirëpo, Pavli i kujtoi Timoteut se kishte marrë një dhuratë—pra, një caktim të veçantë shërbimi brenda kongregacionit. Ai e nxiti Timoteun të mos ngurronte ta ushtronte autoritetin e tij si mbikëqyrës në kongregacion, kur predikonte lajmin e mirë dhe kur përballonte vështirësitë për hir të besimit.—2 Timoteut 1:6-8.

 Kjo letër në fillim u shkrua për Timoteun. Megjithatë, ajo u jep siguri të gjithë atyre që duan t’i shërbejnë Perëndisë sot se Ai do t’u japë ndihmën që u duhet për t’ia dalë mbanë me sukses, të ndodhë ç’të ndodhë.