Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Mateu 6:33—«Para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë»

Mateu 6:33—«Para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë»

 «Vazhdoni, pra, të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.»—Mateu 6:33, Përkthimi Bota e Re.

 «Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.»—Mateu 6:33, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Mateut 6:33

 Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore që do të bëjë vullnetin e Perëndisë në tokë. (Mateu 6:9, 10) Një person kërkon në radhë të parë Mbretërinë kur e konsideron më të rëndësishmen në jetë. a Kjo nuk do të thotë vetëm se dëshiron me zjarr të mësojë për Mbretërinë e Perëndisë, por edhe t’u tregojë të tjerëve për gjërat e mira që do të sjellë. (Mateu 24:14) Gjithashtu, një person që kërkon Mbretërinë e Perëndisë, lutet që ajo të vijë.—Luka 11:2.

 Drejtësia e Perëndisë përfshin standardin e tij për sjelljen e drejtë dhe të gabuar. (Psalmi 119:172) Prandaj, një person që kërkon drejtësinë e Perëndisë, jeton në përputhje me ligjet morale të Perëndisë, të cilat sjellin gjithnjë dobi.—Isaia 48:17.

 Shprehja të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen është një premtim se Zoti do t’u sigurojë gjërat e nevojshme atyre që kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë dhe standardet e tij.—Mateu 6:31, 32.

Konteksti i Mateut 6:33

 Jezui i tha këto fjalë gjatë atij që njihet si Predikimi në Mal, i cili gjendet në kapitujt 5-7 të Mateut. Pa dyshim, shumë nga ata që e dëgjuan Jezuin, ishin të varfër, e mbase mendonin se në radhë të parë duhej të nxirrnin bukën e gojës. Si pasojë do t’u mbetej fare pak kohë për të kërkuar Mbretërinë. Por Jezui u tha të shihnin si kujdeset Perëndia për bimët dhe kafshët. Perëndia premton se do të bëjë po njësoj për ata që kërkojnë Mbretërinë e tij në radhë të parë.—Mateu 6:​25-30.

Ide të gabuara për Mateun 6:33

 Ide e gabuar: Ai që kërkon Mbretërinë e Perëndisë, do të pasurohet.

 Fakt: Jezui tha se ata që vënë në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë, do të kenë gjërat e nevojshme, si ushqim dhe veshje. (Mateu 6:25, 31, 32) Ama nuk premtoi luks, e po ashtu nuk la të kuptohej se mirëqenia materiale është tregues i bekimeve të Perëndisë. Në fakt, Jezui i paralajmëroi dëgjuesit e tij të mos rendnin pas pasurisë, pasi kjo e bën më të vështirë të kërkosh Mbretërinë në radhë të parë. (Mateu 6:19, 20, 24) Apostulli Pavël punoi me mish e me shpirt për Mbretërinë e Perëndisë, e prapëseprapë në disa raste ishte ngushtë ekonomikisht. Si Jezui, edhe ai dha paralajmërime për rreziqet që vijnë kur rendim pas pasurisë.—Filipianëve 4:11, 12; 1 Timoteut 6:6-10.

 Ide e gabuar: Të krishterët s’kanë pse të punojnë që të nxjerrin bukën e gojës.

 Fakt: Bibla thotë se të krishterët duhet të punojnë që të mbështetin veten dhe familjen. (1 Selanikasve 4:11, 12; 2 Selanikasve 3:10; 1 Timoteut 5:8) Jezui nuk tha se ndjekësit e tij duhet të kërkojnë vetëm Mbretërinë. Përkundrazi, tha se duhet të kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë.

 Ata që kërkojnë Mbretërinë e Perëndisë në radhë të parë dhe që punojnë për të nxjerrë bukën e gojës, mund të jenë të sigurt se Perëndia do t’i ndihmojë të kenë gjërat e nevojshme të jetës.—1 Timoteut 6:17-19.

a «Vazhdoni . . . të kërkoni» është përkthyer nga një formë e foljes greke që tregon vazhdimësi dhe mund të përkthehet edhe «kërkoni vazhdimisht». Kështu, Mbretëria duhet të ketë gjithnjë prioritet e nuk duhet të jetë thjesht një interes i momentit.